E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, mësuesit nisin “operacionin” e kurseve private



Jonida Tashi

Me afrimin e provimeve të Maturës dhe Lirimit, mësuesit kanë nisur “operacionin” e kurseve private për përgatitjen e nxënësve. Vetë maturantët pranojnë se t’i nënshtrohesh provimeve të Maturës Shtetërore, nuk do të thotë vetëm të stresohesh pa fund, por edhe të zbrazësh xhepat. Pikërisht tani është koha e përshtatshme kur mësuesit njoftojnë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë nxënësit se kanë nevojë që të përmirësojnë dijet e tyre jo vetëm në dy provimet me detyrim, por edhe në lëndët me zgjedhje, për të fituar sa më shumë dije shtesë. Të gjendur përballë kësaj situate, prindërit nga dëshira e madhe për të shkolluar fëmijën e tyre pranojnë të “zhvaten” nga mësuesit, mjafton që kursi t’i shërbejë fëmijës për të marrë ca pikë më shumë në universitet.
Mjediset
“Operacioni i dijeve” tashmë ka filluar. Mësuesit kanë siguruar klientët e tyre, madje edhe mjediset ku mund të japin kurse private. Më së shumti, shtëpitë e këtyre arsimtarëve shërbejnë si oaza ku nxënësit mund të bëhen më të mirë, dhe pothuaj gati për provimet e Maturës Shtetërore. Për pasojë, shtimi i stresit për maturantët duket se po shoqërohet me mbushjen e xhepave të mësuesve. Vetëm një orë kurs anglishteje, i vlefshëm për Maturën Shtetërore, kushton plot 1500 lekë. Ndërsa Matematika, sidomos në shkollat me profil shoqëror, vlen 2 mijë lekë. Nxënësit e shkollave të mesme pohojnë se mësuesit u kane kërkuar indirekt, ose me anë të “sekserëve” që të zhvillojnë kurse private, sepse kështu kanë më shumë shanse për ta fituar shkollën e lartë. Në fakt, nxënësit denoncojnë në heshtje, sepse nuk mund të rrezikojnë ti prishin punë vetes. Gjithsesi, ata nuk ngurrojnë që të tregojnë se sa kushtojnë konsultimet private te mësuesit e shkollave të tyre. Por, jo vetëm nëpër shkolla, por edhe në qendra private bëhen kurse të Maturës Shtetërore. Madje, disa prej tyre nuk kanë nguruar të nxjerrin njoftime në vende të ndryshme. “Japim kurse për provimet e Maturës Shtetërore”, njoftojnë disa qendra private, ndonëse një gjë e tillë ndalohet kategorikisht nga Ministria e Arsimit. Çuditërisht njoftime të tilla vihen re lehtësisht edhe në disa pika të shitjes së gazetave, revistave, dhe librave shkollorë. Pavarësisht deklaratave të dikasterit të Arsimit kundër këtyre kurseve, ofruesit e tyre vazhdojnë programin e nisur me sloganin e ofrimit të dijeve shtesë, prej të cilit nxjerrin fitime të majme, ndërsa deri më tani MASH-i nuk ka ndërmarrë asnjë sanksion për këtë veprimtari të paligjshme.
Çmimet
Nxënësit pohojnë jo pa shqetësim se çmimet e një ore kursi janë tepër të larta. E keqja, sipas tyre, është se nuk bëhet fjalë për një orë, ose thjesht për një lëndë, por për shumë të tilla. Kësisoj, atyre që u bie barra për të paguar, janë pikërisht prindërit. Megjithëse nxënësit nuk pranojnë të flasin me emra, pasi i druhen ndëshkimit të mësuesve në notë, tregojnë se sa u kushton marrja e dijeve ekstra. Një nxënëse e vitit të katërt, në një gjimnaz të njohur të kryeqytetit, pohon se vetëm një orë për anglishten kushton 1500 lekë. Kurse një orë kursi për gjuhën frënge kushton 1300 lekë, ndërsa matematika, 2 mijë lekë. Njohuria për Shoqërinë dhe filozofia kushtojnë 800 lekë ora, ndërsa historia dhe gjeografia nga 750 lekë një orë kursi. Seleksionimi i lëndëve që do të japin maturantët si provim me zgjedhje, ka ndikuar në çmimet që kanë vendosur mësuesit. Çmimet e kurseve private variojnë nga një gjimnaz në tjetrin. Përgjithësisht në shkollat e mesme më me emër, një orë mësim ekstra kushton më shtrenjtë se në shkollat e tjera.

Pranvera, sezoni më fitimprurës për kurset private

Sezoni i pranverës dhe i verës janë më fitimprurësit për mësuesit e shkollave të mesme. Mësuesit, përveç pagës mujore që marrin neto, përfitojnë edhe një pagë tjetër ekstra, shumë më të majme, si rezultat i kurseve private. Vetëm një orë kurs, për një nxënës atyre u kushton mesatarisht 1 mijë lekë. Ndërsa nëse mbledh minimalisht 10 nxënës, një mësues mund të përfitojë 10 mijë lekë të rinj, vetëm në një ditë. Megjithatë gjithë çështja është se si t’i bindin nxënësit pa rënë në sy, se ata kanë nevojë për kurse private. Praktika e përvitshme ka treguar se një gjë e tillë nuk ka qenë aspak e vështirë për mësuesit. Pasi kanë “ngrohur” xhepat, ata u kanë shpjeguar nxënësve “kleçkat” e lëndës dhe tipat e ushtrimeve apo pyetjeve që do t’i çojnë ata drejt universiteteve publike të vendit. Një praktikë e tillë ndodh vit për vit në shkollat tona, edhe pse ligjërisht është e ndaluar. Aktualisht, kurset private në vendin tonë rrjedhin për vit, si një biznes që forcohet përditë e më shumë. Koha ka treguar që deri më sot, Ministria e Arsimit nuk ka mundur që ti kundërvihet dot operacionit të kurseve më një tjetër operacion antikurs. Mungesa e këtij operacioni ndëshkues ka bërë që Ministria e Arsimit të vazhdojë të jetë e “kryqëzuar” nga kurset private.

Çmimet e kurseve

Fizikë 800-1000 lekë
Kimi 800 lekë
Biologji 800 lekë
Anglisht 1500 lekë
Frëngjisht 1300 lekë
Histori 750 lekë
Gjeografi 750 lekë
Njohuri për shoqërinë 800 lekë
Njohuri për ekonominë dhe Filozofi 800 lekë
Letërsi (Matura) 2 mijë lekë
Matematikë (Matura) 2 mijë lekë
Letërsi (Lirimi) 500 lekë
Matematikë (Lirimi) 500 lekë

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›