Fier, var veten biznesmeni i ndërtimeve
Fier - Një biznesmen fierak u gjet në orët e para të mëngjesit të ditës së diel i varur në masivin e pishave në Seman. Ai ështështetasi Et’hem Aliaj, i moshës 55 vjeç, pronar i një firme ndërtimi. Qenë familjarët e viktimës ata që njoftuan policinë e Fierit për mungesën e të afërmit të tyre. Sipas tyre, ai ishte larguar në orët e mbrëmjes dhe nuk i është përgjigjur celularit. Grupet e gatshme kanë kërkuar në disa zona të bregdetit duke filluar nga Darzeza, Pishporo dhe gjithë kontrolli është përqendruar në pyllin me pisha të Semanit. Celulari ka qenë një ndihmë për të gjetur koordinatat e 55-vjeçarit. Kufoma është zbuluar rreth orës 07:00 të mëngjesit. Në vendngjarje mbërriti grupi hetimor. Ende nukka një version të plotë të ngjarjes, megjithatë, nga hetimet paraprake dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje. Sipas burimeve nga grupi hetimor u gjet një litar, si dhe disa letra ku ishin shkruar të dhëna shifrore parash, të cilat po hetohen për të zbardhur ngjarjen. Ende nuk dihen shkaqet që çuan në vetëvrasjen e Aliajt. I diplomuar para vitit 1990 në degën e inxhinierisë së naftës Et’hem Aliaj njihej në qarkun e Fierit dhe më gjerë si një intelektual i formuar. Ai ka qenë në mjaft role drejtuese gjatë karrierës së tij. Aliaj konsiderohet si një ndër biznesmenët më të gatshëm për sponsorizime në raste tragjedish natyrore, siç ishte edhe përmbytja e vitit 2005 në Fier, ku ai jo vetëm që ka vënë në dispozicion të gjitha mjetet e teknologjisë së rëndë që kishte, por dha në ndihmë të familjeve të përmbytura një shumë prej 2,5 milionë lekësh. Babai i dy djemve u përcoll për në banesën e fundit pasditen e së dielës.