E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet kurora e pyllit te Thethit

Një zjarr i rënë në parkun kombëtar të Thethit ka shkatërruar një sasi të konsiderueshme të pyllit në këtë zonë. Flakët e zjarrit kanë përfshirë kurorën e pyllit të këtij fshati në lartësi rreth 1500 metra mbi nivelin e detit, ndërkaq sipas shtabit të emergjencave raportohet se është i izoluar dhe nuk rrezikon shtëpitë e banimit të kësaj zone. Inspektorë të ndërmarrjes pyjore po vëzhgojnë situatën dhe së bashku edhe me banorët janë në gatishmëri për ndërhyrje në rast nevoje. Ne Kukës janë riaktivizuar tre vatra zjarri, njëra prej të cilave është jashtë kontrollit. Shtabi i emergjencave civile në prefekturë,pohon se zjarri në malin e Koretnikut në komunën Zapod është jashtë kontrollit për shkak të terrenit dhe pozicionit të tij që nuk lejon ndërhyrjen përmes rrugëve tokësore për shuarje. Punonjës të shfrytëzimit pyjor dhe banorë të zonës po punojnë të ndihmuar edhe nga shërbimi zjarrfikës për të lokalizuar dhe kufizuar përhapjen e mëtejshme të tyre. Edhe pse janë cilësuar si zjarre të qëllimshme ende nuk ka asnjë të ndaluar apo të shoqëruar nga policia e Kukësit ndonëse po punohet për identifikimin e këtyre personave. Sipërfaqja e pyjeve të shkrumbuara nga zjarret në këtë verë ka arritur në më shumë se 190 hektarë në Kukës.
Zjarret e fuqishme janë shfaqur edh ne rrethin e Dibrës dhe Bulqizës. Me problematike situata është në Lurë ku janë aktive 2 vatra zjarri një në sektorin Lira 1 ku janë përshkruar nga flakët 21 ha dhe janë djegur plotësisht 9 ha, dhe një vatër që vazhdon prej një jave brenda parkut kombëtar ku janë përshkruar mbi 14 ha dhe janë djegur 8-9 ha. Një tjetër vatër e fuqishme vazhdon në Kacni të Selishtës, ku janë përshkruar 10 ha dhe janë djegur 4 ha. Në rrethin e Bulqizës janë aktive 4 vatra zjarri një në Fushë Studën në ekonomitë pyjore të Librazhdit , dhe një në Ballenje . Pasditen e së martës janë shtuar dy vatra të reja në pyjet e Mazhicës dhe të Bllacës në komunën Shupenzë. DSHP po punojnë në terren dhe kudo gjenden inspektorët e pyjeve , për minimizimin dhe izolimin e vatrave të zjarrit. Në pyjet e Kacnisë prej dy ditësh punon një togë ushtarësh nga brigada e mbështetjes Rajonale. Zjarret favorizohen nga temperaturat e larta dhe era.
Vazhdojnë të jenë aktive 4 vatra zjarri në Orosh të Mirditës, në Kaçinar, Selishtë dhe në Rrëshen ndërsa nga flakët e zjarrit nuk rrezikohen banesat. Deri tani janë shoqëruar në komisariat 4 persona për zjarrvënie të qëllimshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›