E Diel, 1 Nëntor 2026

Digjet makina e një banori serb në veri të Mitrovicës

Makina e një banori serb është djegur mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës, duke treguar edhe njëherë brishtësinë e situatës së sigurisë.

Ngjarka ka ndodhur në rrugën e Kolashinit në pjesën veriore të Mitrovicës ku persona të panjohur kanë hedhur bomba molotov në makinën e një banori serb.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, konfirmoi se rasti ka ndodhur mbrëmë, afër Fakultetit Ekonomik në Mitrovicë

Tani për tani dihet vetëm se persona të paidentifikuar kanë hedhur bomba molotov në një veturë të parkuar, pronë e një serbi të Kosovës, që punon në shërbimin e sigurimit të Fakultetit Ekonomik.

Sipas deklaratës së pronarit të automjetit, dy persona të paidentifikuar hodhën bombën molotov në veturën e tij, kurse zjarrin që e përfshiu ia doli vetë ta shuaj, ka sqaruar Hoti.

Motivet e këtij akti nuk dihen, por për ndriçimin e rastit po zhvillohen hetime intensive.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›