Digjet makina luksoze te mbikalimi
TIRANE -Një automjet tip fuoristradë "Mercedes ML" është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së dielës, në afërsi të mbikalimit të Kamzës në Tiranë, në kohën kur drejtuesi sapo kishte parkuar. Forca të shumta të policisë dhe zjarrëfikës kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, duke arritur të shuajnë zjarrin, por makina është djegur në pjesën më të madhe të saj. Në momentin kur policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, drejtuesi i mjetit ishte larguar nga aty dhe paraprakisht është menduar se mund të ishte një zjarrvënie e qëllimshme. Por vetëm disa orë më vonë, burime nga policia e Tiranës sqaruan se është paraqitur në polici drejtuesi i automjetit, i cili ka shpjeguar se në momentin që makina ka marrë flakë, ai ndodhej brenda, por ishte larguar nga frika e ndonjë shpërthimi të mundshëm. Vetë pronari i makinës, është shprehur se gjithçka ka ndodhur aksidentalisht, duke mohuar deri diku një zjarrvënie të qëllimshme. Ndërsa një grup ekspertësh po punojnë për të zbuluar shkaqet e zjarrit në motorin e automjetit. Paraprakisht dyshohet për një shkëndijë në baterinë e automjetit, që ka sjellë më pas zjarrin e nxitur nga benzina.