Kamarierja zbulon "vrasësin"
Etleva Delia
Autori i dyshuar për vrasjen e tranvestitit "Kristina", kosovari Sefedin Hoxha, nuk ka pranuar autorësinë për krimin, por është zbuluar nga dhjetëra dëshmi që e lidhin me ngjarjen. Burime nga grupi hetimor thanë se ai është parë nga disa dëshmitarë në momentin kur pinte kafe me tranvestitin Petrit Muça, pranë "Sahatit", në qendër të Tiranës. Më pas i dyshuari është parë duke kaluar nga rrugica e pasme në këtë zonë, duke shkuar në ndërtesat e braktisura përballë Drejtorisë së Burgjeve. Sipas policisë, dëshmia dhe përshkrimet e dhëna nga polici roje i Burgjeve, i cili e ka parë autorin duke u larguar nga vendi i krimit, përputhet ekzaktësisht me të arrestuarin Sefedin Hoxha. Po ashtu për grupin hetimor ekziston edhe një dëshmi tjetër e rëndësishme, ajo e kamarieres së një lokali 24-orësh, në afërsi të Stacionit të Trenit në kryeqytet, e cila tregon se kosovari ka shkuar aty rreth orës 23:00, mbrëmjen e të shtunës, kohë që përkon me momentin kur ka ndodhur vrasja e travestitit. Dëshmitarja ka treguar për oficerët e policisë edhe dyshimet e saj në lidhje me këtë person, pasi ai sapo është futur në lokal ka shkuar për të larë duart në banjo, duke qenë se i kishte të gjakosura. Më pas gjatë gjithë kohës ka qëndruar duke hyrë dhe duke dalë nga lokali, në një gjendje krejtësisht të hutuar ndërsa dukej se ishte i trembur. Sipas policisë, 36-vjeçari Sefedin Hoxha, i dyshuari kryesor i vrasjes së tranvestitit, vuan nga ç'rregullime psikike, epileptike, si dhe është person hemofobik. Kjo, sipas ekspertëve të policisë, e shpjegon deri diku edhe arsyen se përse ai ka realizuar vrasjen, pavarësisht se ai nuk e pranon autorësinë, duke dhënë dëshmi kontradiktore. Sefedin Hoxha, 36 vjeç, nga fshati Dragosh i Kosovës, i cili është arrestuar rreth orës 01:00, pas mesnatës së djeshme në qendër të Tiranës, është i dyshuari kryesor për vrasjen. Burime nga grupi hetimor thanë se kanë arritur të mbledhin mjaft prova dhe fakte që e bëjnë Hoxhën të dyshuarin kryesor për ngjarjen, pavarësisht se ai nuk e pranon autorësinë. Kanë qenë tranvestitët e tjerë ata që kanë parë Sefedin Hoxhën, të ulur në kafe me Petrit Muçën dhe sipas tyre në atë moment ai ka qenë duke i mbushur mendjen që të kryente marrëdhënie seksuale me të, duke i ofruar 5 euro. Më pas ai është parë nga disa dëshmitarë, të kalojë tek rrugica përballë Drejtorisë së Burgjeve, për të shkuar tek disa ndërtesa të prishura, ku zakonisht ushtronin aktivitetin tranvestitët. Në atë vend Hoxha dyshohet se e ka prerë në qafë "Kristinën", me një biçak .
Autori i dyshuar i vrasjes
Burime nga policia thanë se autori i dyshuar i vrasjes së tranvestitit, Sefedin Hoxha, është 36 vjeç. Origjina e tij është nga fshati Dragosh i Kosovës, ndërsa prej rreth një muaji ai kishte ardhur të Tiranë, ku sillej rrugëve si endacak dhe herë pas herë qëndronte edhe me grupin e tranvestitëve, por nuk ishte homoseksual. Sipas dëshmive, ai flinte në afërsi të Kalasë së Tiranës, në krah të Parlamentit. Hoxha është person me probleme psikike dhe epileptike dhe nuk ka pranuar të jetë autor i krimit.