Gjykatës Kushtetuese iu kërkua pezullimi i përkohshëm i ligjit
Pavarësisht kërkesës urgjente të policisë dhe Avokatit të Popullit, ankimimi i bërë në Gjykatën Kushtetuese, ende nuk është marrë në shqyrtim. Veç kësaj, ligji ka filluar me aplikimin e tij, ku së pari është ndier pesha e rëndë ekonomike, te 300 punonjës policie që paguhen me pagë kalimtare. Ata nuk përfitojnë më asnjë pagë për shërbimin e kryer në polici, pasi shpërblimi prej 20 pagash është reduktuar në 13 paga, duke iu mohuar shtatë të tilla. Për këtë arsye, në ankimimin e kryer, një nga kërkesat më emergjente ka qenë ajo e pezullimit të këtij ligji deri në përfundim të shqyrtimit. Si Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Avokati i Popullit kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese, që ky ligj të pezullohet e më vonë të shfuqizohet. Megjithatë, ligji ka nisur efektet e tij dhe tashmë 3 mijë punonjës policie po ndiejnë problemet ekonomike, rreth tre vite më parë dolën në reformë me pretendimin se do t‘u jepeshin përfitim 20 paga të plota. Hyrja në fuqi e ligjit të ri u bë vetëm pak muaj më parë në kundërshtim me vullnetin e gjithë punonjësve të policisë. Madje, ku ai kaloi në Kuvendin e Shqipërisë, sindikata e Policisë dhe drejtues të Policisë së Shtetit, i bënë një ankesë Presidentit për të mos e dekretuar, por fjala e tyre nuk u dëgjua. Gjithashtu, në ankimimin e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, duke radhitur një sërë argumentesh, deklarohet se në qershor të 2007-s, ligjvënësi në nenin 88 dhe 89, të ligjit nr. 9749, datë 4. 6. 2007 "Për Policinë e Shtetit", duke marrë parasysh përgjegjësinë dhe rrezikshmërinë e lartë në detyrë, ka sanksionuar vazhdimësinë e përfitimeve të tjera shtesë sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në ligjin nr. 8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë se Shtetit". "Mendojmë se për këtë periudhë kaq të shkurtër s‘ka pasur asnjë ndryshim në pakësimin e shkallës së rrezikut apo të elementeve të tjerë që të shërbejnë si argumente për të ndryshuar ligjet në lidhje me përfitimet suplementare", argumentohet në ankimimin e policisë. Specialistët kanë deklaruar më tej se në nivelin që kërkohet të jetë Policia e Shtetit, përkeqësimi i përfitimeve suplementare të punonjësve të policisë do të ndikojë negativisht në rekrutimin e personelit me arsim të lartë apo të mesëm, që kanë mbaruar shkollën me rezultate të larta.