E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, “Benzi” përplaset me plepin vdes një grua, 3 plagosen

 

Durrës - Një “Benz” me targë të Kavajës ka dalë jashtë rruge, duke shkaktuar një të vdekur dhe tre të plagosur rëndë. Ngjarja e rëndë ndodhi tek “Unaza e Shkozetit” në Durrës në orën 12 e 15 minuta të së hënës. Viktima quhet Nasije Laci 68 vjeç. E ndjera po udhëtonte si pasagjere në autoveturën “Benz” me targë KJ 67 34 A, kur përplasja me një plep në anë të rrugës i shkaktoi plagë vdekjeprurëse. Bilanci tragjik i këtij aksidenti u rëndua akoma më tej me plagosjen e rëndë të tre shtetasve Fiqiri Laci (pasagjer), Namir Gjoci (shoferi) dhe Sheqere Edibati (këmbësore). Dëshmitarët treguan se “kalimtarja i preu rrugën veturës, që po ecte me shpejtësi të madhe”. Aksidenti ndodhi në sy të shumë personave të rastësishëm, të cilët me përshkrimet e tyre ndihmuan policinë në kryerjen e procesverbaleve. Mësohet se makina me tre persona në bord, po udhëtonte në drejtim të Kavajës. Kur duheshin edhe pak metra për të lënë unazën e Shkozetit, me qëllim hyrjen në superstradën që të çon në Kavajë, kalimtarja Sheqere Edibati tenton të kalojë në anën tjetër të rrugës. Reagimi i shoferit Namir Gjeci ka qenë i menjëhershëm, por për fat të keq shpejtësia me të cilën ai udhëtonte ka bërë që mjeti të mos komandohej dot. Sipas policisë shoferi devijon fort drejtimin e makinës me qëllim ruajtjen e këmbësores, por nga kthimi i fortë i rrotave makina del nga kontrolli dhe përplaset në një plep. Pas goditjes me pemën makina kryen edhe disa metra të tjerë përpara, duke u ndalur disa metra jashtë rruge. Ndonëse shoferi bëri gjithçka për të ruajtur kalimtaren, kjo e fundit u godit shkarazi nga pjesa e përparme e automjetit. Ndërkohë që edhe personat që gjendeshin në veturë u plagosën rëndë. Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmë në rrugën Sektor-Velipojë. Gjon Pucela, 55 vjeç, banor i Velipojës po udhëtonte me motor, kur është përplasur me një lopë. Për shkak të errësirës ai nuk ka parë kafshën në rrugë. Si pasojë, Pucela gjeti vdekjen e menjëhershme.                           o.u/r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›