E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet nga zjarri një fabrikë për prodhimin e mobilieve

FIER

FIER - Është përfshirë nga flakët mesditën e djeshme një fabrikë për prodhimin e mobilieve. Mësohet se zjarri ka filluar qysh pasditen e së mërkurës, por ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse ka bërë që të shuhet në kohë. E ndërsa ishte gjithçka në rregull, nga dritaret e katit të dytë të kësaj fabrike janë parë re të dendura tymi ku më pas kanë dalë edhe flakë.


Në këto kushte është njoftuar edhe reparti zjarrfikës, ku nga drejtuesit e tyre në vendin e ngjarjes janë dërguar katër mjete zjarrfikëse, ndërsa dhjetëra familjarë kanë dalë nga shtëpitë e tyre që ndodheshin rrotull mobilerisë.


Zjarri është fikur vetëm mbas një ore, ndërkohë specialistë kundër zjarrit kanë hyrë brenda për të bërë kontroll për ndonjë vatër zjarri. Mendohet paraprakisht se zjarri ka shkaktuar një dëm material prej rreth 10 milionë lekësh. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes shprehet se dyshohet që zjarri të jetë pasojë e ndonjë defekti elektrik. K.Th.


Plagos me thikë dy persona, arrestohet


FIER - Një 22-vjecar është arrestuar pasi ka qëlluar me thikë dy bashkëfshatarë të tij. Akuzat e ngritura ndaj Julian Muhametajt janë "vrasje me dashje e mbetur në tentativë" dhe "plagosje e lehtë me dashje".


Burime nga uniformat blu bëjnë të ditur se banori i fshatit Driza ka qëlluar me thikë dy bashkëfshatarë të tij, të afërm mes tyre. Kështu janë plagosur shtetasit L.M. 23 vjeç dhe P.M. 50 vjeç. Mësohet se shkak për ngjarjen ka qenë një sherr banal mes 22 dhe 23-vjeçarit, ndërkohë që shtetasi tjetër ka ndërhyrë për të ndarë sherrin mes dy të rinjve, por që ka përfunduar i plagosur lehtë. K.Th.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›