Digjet shtëpia, 14 frymë mbeten pa çati
Një banesë në fshatin Shikaj është përfshirë nga zjarri mëngjesin e së mërkurës, duke djegur gjithçka nga orenditë e duke lënë në mëshirë të fatit një familje të madhe. Siç pohoi i zoti i shtëpisë, Beqir Sulaj, djegia e banesës ka lënë pa strehë jo pak, por 14 persona, ndër të cilët nëntë të mitur. Zjarri në fillim ka marrë në një aneks të katit të parë, nga ku shumë shpejt është përhapur në të dyja katet, duke djegur gjithsej tetë dhoma të shtëpisë. Sulaj tregoi se, me gjithë ndihmën e disa fqinjëve, nuk ka mundur të shpëtojë shumë gjera. "Kemi nxjerrë një krevat dopjo dhe disa bagëti, gjithçka tjetër u dogj", tha Sulaj. Fshati Shikaj ndodhet rreth 55 km larg nga Kukësi, për më tepër atje, një pjesë e rrugës bëhet me varkë, pasi shtëpia ndodhet në bregun e liqenit, kështu që ishte krejt e pamundur mbërritja e zjarrfikëses nga Kukësi. Terreni tepër i thyer bëhet pengesë edhe për ekspertët, mungesa e prononcimit të të cilëve i shkakton dëme, nëse një ditë do të llogaritej si emergjencë për t‘u ndihmuar nga shteti. Megjithatë, burime të Komunës së Shëmrisë thonë se shkaku i zjarrit ishte një shkëndijë elektrike. Ky është rasti i tetë i zjarrit në shkallë qarku për vitin 2008 ndërsa i katërti për Rrethin e Kukësit.