E Diel, 1 Nëntor 2026

Ende mister shkaku i reaksionit të pacientëve të kardiologjisë

Përgjigjja e analizave laboratorike nuk është dhënë ende për spitalin civil të Korçës lidhur me shkakun e reaksionit te pacientët e repartit të kardiologjisë. Kampione të solucionit fiziologjik dhe të shisheve të bllokuara me tretës janë marrë edhe nga qendra e kontrollit të barnave në kryeqytet për llogari të analizave nga ana e specialistëve. Një ditë më parë, një ekip bëri kontrollin e barnave të këtij spitali, por rezultoi se ato ishin të rregullta dhe nuk ka medikamente që kanë kaluar afatet e përdorimit. Por nga ana e tij, drejtori i spitalit të Korçës, Ilia Jatagani, u shpreh se janë ende në pritje të përgjigjes përfundimtare të laboratorit. "Përgjigjja nuk ka mbërritur, pasi për këtë analizë të kampionit duhet pak kohë, pasi kryhet me mbjellje për të parë në rast se ka ngarkesa bakteriale. Deri në mesditë, nuk kemi asnjë konfirmim mbi pastërtinë dhe cilësinë e solucionit fiziologjik që është përdorur si tretës për medikamentet me të cilat trajtohen të sëmurët", tha Jatagani. Ai nuk ka e konfirmuar në rast se ka një gabim njerëzor nga ana e personelit. Pak ditë më parë, ishte nëndrejtori i spitalit civil të Korçës, Ilir Koroveshi, i cili hodhi dyshimet për një gabim të infermiereve, pasi solucioni është steril dhe uji fiziologjik nuk shkakton reaksion. Ai deklaroi se bëhet fjalë për një gabim të stafit, por nuk e ka specifikuar se çfarë gabimi kanë bërë në trajtim bluzat e bardha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›