E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku i Vlorës: Ja e vërteta e Transballkanikes

Pas vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në qytetin e Vlorës dhe akuzave që ai ngriti lidhur me mosrealizimin në afat të disa objekteve dhe rrugëve, reagon kryebashkiaku i qytetit bregdetar. Kryeministri u shpreh se vonesat në ndërtimin e rrugës Transballkanike janë përgjegjësi e Bashkisë së Vlorës. Por kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, e konsideron "lajthitje" këtë akuzë të Kryeministrit. "Unë e kam përcjellë me vëmendje vizitën e Sali Berishës. Për fatin e tij të keq, Berisha ka ardhur si kryetar i PD-së këtu dhe jo si Kryeministër, pasi për ato që ai prononcohet, asgjë nuk qëndron", thotë Gjika. Sa i përket rrugës Transballkanike, kryebashkiaku i Vlorës sqaron se "ky projekt duhet të përfundonte që në nëntor të 2007-ës dhe për të gjithë këtë, përgjegjësia është e qeverisë shqiptare dhe jo e Bashkisë së Vlorës, e cila është përfituese e kësaj pune, ku financuese është qeveria". Gjika shton se bashkia e ka vlerësuar këtë rrugë me një fond prej 10 milionë dollarësh dhe jo me 7 milionë dollarë, që e ka vlerësuar qeveria. "Në fund të punimeve, kjo rrugë nuk do të jetë në funksion të komunitetit dhe të zhvillimeve moderne të qytetit të Vlorës, pasi nga ky projekt janë hequr ndriçimi, gjelbërimi dhe trotuaret", thotë kryebashkiaku. Ai tregon se bashkia e ka kundërshtuar fort këtë projekt, pasi në të nuk parashikohej futja e ujësjellësit. Gjika thotë se bashkia i ka bërë të gjitha shpronësimet, por qeveria po zvarrit procedurat dhe kjo ka sjellë vonesa. "Kryeministri, përpara se të prononcohet në lidhje me problemet e qytetit të Vlorës, së pari duhet të kontaktojë me kryetarin e Bashkisë së Vlorës dhe të jetë më i përgjegjshëm", përfundon Gjika.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›