E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet shtëpia, katër vetë pa strehë

 

VLORE - Katër anëtarë të një familjeje në lagjen "24 Maji" në Vlorë kanë mbetur në qiell të hapur pasi banesa e tyre është thuajse jashtë përdorimit pasi u përfshi nga flakët. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të së premtes, në katin e dytë të një pallati pesëkatësh. Për fat të mirë, në momentin e rënies së zjarrit, në banesë nuk kishte njeri. Banorët e pallatit pohuan për policinë që mbërriti në vendin e ngjarjes, se fillimisht është dëgjuar një shpërthim, e më pas ata panë flakët nga dritarja e banesës. Flakët dogjën gjithë pajisjet e shtëpisë, ndërkohë që dëmtime të rënda pësoi edhe muri i shtëpisë. Sipas policisë, dyshohet se shkak i zjarrit në banesë është bërë një masë elektrike në lavatriçen e rrobave të cilën e zonja e shtëpisë e kishte lënë në gjendje punë para se të dilte nga shtëpia.  Megjithëse anëtarët e kësaj familjeje kanë mbetur pa një strehë, asnjë përfaqësues vendor, apo specialist i KESH-it nuk shkoi në vend për të parë nga afër situatën.                                q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›