E Diel, 1 Nëntor 2026

VIP-at braktisin Tiranën për një natë karaoke në Dhërmi

 

Janë artistë, por jo të gjithë këngëtarë. Frekuentues të jetës së natës, dhe pasionantë të muzikës shqiptare, asaj të lehtë dhe popullore. Madje aq sa të mos kenë asnjë kompleks të dalin në skenë, dhe të këndojnë për të disatën herë, në skenën e improvizuar karaoke. Karaokja e njohur “Magic 4” në Dhërmi gjatë ditëve të verës ka dhuruar emocione të veçanta jo vetëm tek pushuesit e shumtë, por dhe tek personazhet e njohur, të cilët e kanë shijuar të çlirët këtë formë argëtimi

Endri dhe Stefi, vëllezërit s’ndahen as këtë herë

Vëllezërit korçarë Endri dhe Stefi Prifti kanë performuar “live” në mbrëmjen përmbyllëse të karaokes verore në Dhërmi. Me këngët e tyre plot ritëm ata sollën emocione të forta tek të pranishmit për mëse tri orë. “Qershia mbi tortë” është vendosur në fundin e mbrëmjes ku Endri, Stefi dhe grupi “Magic 4”, që organizon karaoken kanë kënduar së bashku përpara 600 vetëve të entuziazmuar, ndërsa janë çuar në këmbë me dorën në zemër për himnin e Flamurit Kombëtar. Dy vëllezërit e njohur në Tiranë, për koncertet e tyre, dhe të kënduarit në lokalet e natës, kanë kënduar në Dhërmi shumë këngë korçare, dhe të tjera të pëlqyera nga publiku. Ata tashmë i kanë koncertet pjesë të pandarë të jetës së tyre, edhe pse kanë vetëm katër vite që u zhvendosën nga qyteti i serenatave, Korça, për t’u vendosur në Tiranë, ku mesa duket fati u ndriti shumë.

Iva Mera provon “Dorëheqjen” e Çiljetës

Por ajo që nuk jemi mësuar ta shohim duke kënduar është brunja simpatike Iva Mera. Dhe ajo është parë të marrë mikrofonin dhe të këndojë në karaoken verore “Magic 4”. E përbashkëta e Ivës me Albert Dumanin nuk është vetëm prezantimi i emisionit “ Bingo Show” në TV Klan. Karaokja pikërisht është një tjetër pikë, që lidh këta dy personazhe të ekranit. E ndodhur në karaoken verore të Dhërmiut, Iva gjeti veten në këngë shqiptare të epokave të ndryshme. Fillimisht ajo këndoi këngën “Eja”, e më pas provoi veten me “Dorëheqjen” e Çiljetës. Vajza e qeshur është fotografuar në skenë, ndërsa mbante veshur një fustan ngjyrë floriri, pa pasur nevojë të qëndronte në majë të takave, dhe me trupin e bukur, që siç shihet nga fotoja duket se ka marrë mjaft rreze. 

Albert Dumani në karaoke me miq e shokë

Prezantuesi i emisionit “Bingo Show” Albert Dumani pasi ka mbyllur impenjimet në TV KLAN, është nisur drejt Dhërmiut. Pasioni i tij për këtë formë dëfrimi e ka rikthyer Bertin në karaoke, ku së bashku me miq dhe shokë është argëtuar dhe ka kënduar mjaft këngë të muzikës së lehtë shqiptare. I veshur në mënyrë shumë sportive, ai ka provuar të këndojë, edhe pse në fakt për të nuk mund të quhet provë, pasi në emisionet e tij verore në “TV Klan”, ai ka kënduar vazhimisht. Ka qenë kjo një verë me shumë aventura për Bertin, i cili argëtimin e tij në fundjave në karaoke, nuk ka mundur ta braktisë dot edhe gjatë netëve të nxehta të verës, ndërsa ka udhëtuar drejt jugut.     

Olta Gixhari u këndon kaçurrelseve

Përveçse aktore me perspektivë, Olta Gixhari parapëlqen të tërheqë vëmendjen e publikut edhe në mbrëmjet karaoke nëpërmjet interpretimit të saj si këngëtare. Edhe këtë radhë ajo zgjodhi “Kaçurrelen”, këngë që e ka për zemër, të cilën e tenton edhe gjatë mbrëmjeve karaoke në Tiranë. Vajza sharmante, e cila që prej daljes së saj në skenë përkrah Timo Fllokos, me shfaqjen “Pamje nga ura”, bëri përshtypje me portretin e saj, ku i feksnin flokët e verdha, nuk ka si ta ndryshoj këtë pamje të koketës, me të cilën u promovua. Ajo gjithmonë ka tërhequr vëmendjen për look-un e kukullës, pamje me të cilën bëri përshtypje një 1 vit më parë në skenën e teatrit. Por këtë here në Dhërmi, flokët e saj të verdha ishin shumë të gjata, dhe nuk mungonin baluket.  

Të apasionuarit pas karaokes

Por jo vetëm në verë që dëshira për të provuar, madje dhe për të kënduar është e madhe, por kjo dëshirë i shoqëron gjithë vitin shumë personazhe VIP, të cilët e konsiderojnë natë karaoke, vendin e takimit dhe e lojës nëpërmjet këngës. Politikanë, artistë dhe njerëz të televizionit, nga më sportivët e deri tek më seriozët, kalojnë fundjava të çmendura, ndërsa dëfrehen, kërcejnë dhe këndojnë në këto ambiente. Një nga karaoket më të njohura, pikërisht  “Magic 4” grupi që themeloi Chardonnay Karaoke, që këndon vetëm shqip sapo është kthyer nga Dhërmiu, dhe më 11 shtator shënon rikthimin në Tiranë. STYLE CLUB MARIOTT, në ish-Bllok përkrah Vilës 31 është vendndodhja, që do të presë këngën shqiptare të përbashkët për sezonin e ardhshëm, në një natë që do t’i mbledhë të gjithë, dhe ku po të gjithë bëhen një, në delirin e të kënduarit thjesht për qejf dhe pa komplekse. 

Mardiola e “Big Brother” labe e vërtetë

Edhe Mardiola e “Big Brother” e gjendur rastësisht me familjen në plazhin e Dhërmiut nuk ka ngurruar të kthehet tek karaokja. Ajo iu  është “përveshur” këngëve labe, të cilat i këndon mjaft mirë duke entuziazmuar pushuesit që ishin të pranishëm në mbrëmje. Të gjithë janë çuditur, kur kanë dëgjuar se ajo përveç shpirtit ekzibizionist mund të arrinte të këndonte këngë të zonës së saj, edhe pse gjatë ditëve të qëndrimit të saj në “Big Brother”, të kënduarit ishte vetëm një mënyrë për të thyer heshtjen në shtëpi. Por ajo asnjëherë s’e ka fshehur, që i ka pëlqyer arti, muzika dhe argëtimet e tilla dhe madje të këndojë me zë të lartë, ashtu siç bëri në këtë natë karaoke.    

Teuta Kurti në Dhërmi si Pagarusha 

Ndërsa ndryshe ndodh me një këngëtare të vërtetë, siç është kosovarja Teuta Kurti, e cila ndodhej në Dhërmi për pushime. Me mjeshtërinë dhe profesionalizmin, që e karakterizon ka kënduar mjaft këngë të njohura shqiptare. Përsosmëria e saj në interpretimin e këngës së Pagarushes “Martesa Jonë” ka entuziazmuar publikun e pranishëm, të cilët kanë qenë plazhistë nga Shqipëria, Maqedonia por shumë edhe nga Kosova. Ata e kanë durtrokitur vazhdimisht Teutën, sikur të ishte në një koncert të madh, pasi ajo nuk mund të bëjë sikur këndon, ajo është këngëtare e vërtetë. Për të karaokja është mbase gjëja më e thjeshtë, si një këngëtare, që ka provuar të këndojë në skena të mëdha, me shumë publik. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›