Digjitalizohet "Albania" e Konicës
Nuk ka më kërkime të lodhshme skedarësh. Biblioteka Kombëtare tani ofron një shërbim më të shpejtë, përmes shërbimit on line dhe dixhitalizimit. Dje, drejtori i BK-së, Aurel Plasari prezantoi dixhitalizimin e koleksionit të plotë të revistës "Albania", themeluar nga Faik Konica. Të interesuarit mund të gjejnë prej numrit të saj të parë që doli në vitin 1897 në Bruksel, deri në numrin e fundit. Përmes këtij procesi, i cili ka nisur fillimisht me koleksionet më të vyera, jo vetëm i vihet në ndihmë studiuesve e studentëve, por vihet deri diku në vend dëmi që ka bërë diktatura komuniste, duke shkatërruar arkiva të tëra, apo duke u vënë vulën "të ndaluara". Të parët që shfrytëzuan këtë pasuri ishin gazetarët e kulturës, të cilëve në emër të Bibliotekës, drejtori Plasari u dhuroi nga një kopje të dixhitalizuar të këtij materiali. "Albania" është revista e parë që pa dritën e botimit jashtë Shqipërisë. Ajo nisi botimin në nëntor të vitit 1896, për të dalë disa muaj më vonë në vitin 1897. Botimi i saj vijoi deri në vitin 1902, kohë kur Konica u vendos në Londër, e me pas deri në 1907. Pushoi një vit, për t'u kthyer sërish, por me vetëm një numër. Edhe pse një histori me luhatje, hapje-mbylljesh, kjo revistë, u bë një faktor i rëndësishëm në kohën e vet dhe mblodhi rreth saj pena si Luigj Gurakuqi, At Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Ndoc Nikaj, etj. Në faqet e saj zuri vend më së shumti çështja e gjuhës shqipe, duke u kthyer në një referendum mbi formimin e një gjuhe të njehsuar letrare. Dolën në dritë e burime të reja historike, dokumente që botoheshin për herë të parë. Për një kohë të shkurtër revista u botua dhe në gjuhën frënge e turke.