Dika: Është zhbllokuar procesi i akreditimit të masterave publikë
Fillimi i vitit të ri akademik vjen me kushte jo fort të kënaqshme për studentët, sidomos për sa ui përket mjediseve mësimore për dy fakultete: Shkencat Sociale dhe Juridikun. Cili është qëndrimi i KKS-së në lidhje me këtë problem dhe çfarë është bërë për zgjidhjen e tij?
Aktualisht këto probleme në mënyrë provizore janë të zgjidhura dhe le të themi nuk ekzistojnë, por rëndësia e tyre ka qenë tepër e madhe, nga ku angazhimi ynë në këtë proces për të gjetur një zgjidhje në favor të studentëve ka përbërë prioritetin e axhendës në KKS nga viti i kaluar e deri më tani. Jemi të kënaqur me frymën bashkëpunuese të shprehur nga strukturat përgjegjëse, ku bashkëpunimi midis institucioneve të arsimit privat dhe atij publik kanë ofruar një zgjidhje optimale për studentët dhe procesin mësimor. Siç dihet, që nga fillimi i vitit akademik studentët e këtyre fakulteteve janë sistemuar në ambientet e Universitetit “Kristal” dhe Fakultetit të Infermierisë. Ky problem merr zgjidhje përfundimtare me projektin e lançuar nga rektori Kule për ndërtimin e kampusit universitar, i cili ka dhe mbështetjen e KKS-së do të zgjidheshin njëherë e mirë problemet me infrastrukturën për një kohë të gjatë në Universitetin e Tiranës.
Viti akademik filloi me të njëjtat protesta me të cilat përfundoi viti i kaluar akademik: protestat e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë. Cili është problemi i studentëve dhe pse risillet i njëjti problem herë pas here?
Po, është e vërtetë që hasim herë pas here protesta. Por, në vlerësimin tim, protesta shihet si element pozitiv në përballjen me problemet dhe sfidat e komunitetit studentor, sepse mentaliteti “lindor” i studentëve tanë sjell një ndrydhje përballë drejtimit me fryme puniste dhe aspak bashkëpunuese me disa prej drejtuesve të fakulteteve tona të zgjedhurit për t’u shërbyer studentëve dhe jo karrierave personale. Në këtë këndvështrim roli i përfaqësuesve studentorë të zgjedhur nëpër fakultete për qëndrimet e mbajtura ka gjetur dhe përkrahjen e KKS-së dhe të drejtuesve vizionarë të universiteteve, pa lënë mënjanë mbështetjen e opinionit publik apo medias.
Çfarë aktivitetesh ka planifikuar Këshilli Kombëtar Studentor për vitin akademik në vazhdim?
Aktualisht, jemi duke përfunduar disa projekte, të cilat kanë nisur që vitin e shkuar akademik si dhe kemi filluar disa të tjera në partneritet me aktorë lokalë, kombëtar dhe ndërkombëtare të arsimit të lartë si p.sh. MASH, MTKRS, UT, disa nga ambasadat e akredituara në Shqipëri, Unionin Studentor Evropian etj. Konkretisht ne në bashkëpunim me MTKRS dhe UNFPA do të iniciojmë projektin për një jetë më aktive dhe të shëndetshme për çdo student, së shpejti do të festojmë Ditën Botërore të Studenteve. Aktivitetet për të nuk do të ndalen vetëm në elementet festive, por do të jenë një sërë aktivitetesh nga të cilat studentët tanë mund të përfitojnë shumë. KKS ka menduar edhe për argëtimin e studentëve, ku si risi në kalendarin e studentëve hap pas hapi ka filluar të shënohet e Enjtja festive. E Enjtja, e cila i shërben më së miri socializmit të të rinjve, ku takimet e përbashkëta në një nga lokalet e natës në kryeqytet i sjellin ata më pranë njëri-tjetrit dhe KKS më pranë tyre. Jemi në negocim me MASH që së shpejti të fillojmë të vëmë në jetë projektin e Kartës së Studentit, sepse tashmë pothuajse gjithçka është gati.
Këto janë e pjesë e vogël e punës së stafit të përkushtuar të KKS-së.
Si anëtar i Këshillit të Akreditimit, do të doja t'ju pyesja si po ecin procedurat e akreditimit të universiteteve të reja private në vend dhe a ka pasur probleme me këtë proces?
Si anëtar i Këshillit të Akreditimit i cili përfaqëson komunitetin studentor, vlerësoj aplikimet e shumta të këtyre universiteteve çka tregon që investimet e shumta në fushën e arsimit të lartë kërkojnë dhe standardizimin e cilësisë akademike që ata ofrojnë. Siç dihet, tashmë ne kemi akredituar 8 institucione të arsimit të lartë në Shqipëri dhe po vazhdojmë me shumë seriozitet shqyrtimin e dosjeve të institucioneve të tjera që na janë paraqitur. Sipas seriozitetit të aplikantëve, ne kemi dhënë propozimin për akreditimin me kusht apo akreditimin e plotë drejtuar ministrit te Arsimit, i cili më pas vendos për akreditimin përfundimtar të këtyre institucioneve.
Disa universitete publike janë ankuar për vonesa në akreditimin e programeve studimore si MND dhe doktoraturat. Përse ka pasur vonesa dhe kur do të zhbllokohet përfundimisht?
Afatet në vlerësimin nga ana jonë të programeve të studimit varen nga radha e aplikimit të vetë institucioneve të arsimit të lartë. Faktor që ka ndikuar në vonesën e vlerësimit tonë mbi disa dosje programesh të universiteteve publike është bërë mungesa e dokumentacionit sipas standardit të parapërcaktuar nga Agjencia e Akreditimit.
Zhbllokimi I këtij procesi tashmë është bërë dhe çdo gjë ecën sipas axhendës së përcaktuar nga Këshilli i Akreditimit, e përcaktuar nga radha e aplikimit të vetë institucioneve të arsimit të lartë.
Cili është qëndrimi i KKS-së lidhur me rankimin e universiteteve ne Shqipëri?
Vlerësojmë nismën e Kryeministrit Berisha lidhur me ketë proces, i cili për të thënë është i shumë pritur nga vetë prindërit dhe vetë studentët që studiojnë në këto institucione, sepse do t’u jepte përgjigjen e munguar dilemave të përzgjedhjes se një universiteti apo konkurrencës brenda vetë universiteteve. Pra, në vetvete përbën një ogur pozitiv, duke nxitur rritjen e standardeve akademike në universitetet tona.