E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolonjarët nxjerrin shkaqet e krizës së Gramozit

Nga Kristi Lilo

Tifozët kërkojnë shpjegime nga drejtuesit. Trajneri Qirjako thekson se kjo gjendje lidhet me pagat e padhëna dhe kushtet e vështira të stërvitjes

Gramozi i dy ndeshjeve të fazës së dytë ka lënë shumë për të dëshiruar. Kjo është më se e qartë dhe dy humbjet, sidomos e fundit në shtëpi, kanë sjellë shqetësim të madh në radhët e tifozëve kolonjarë. Shoqata e tifozëve Forca Gramozi ka zhvilluar dje paradite një takim me kryebashkiakun Ali Laho. Në këtë takim, përveç kryetarit të shoqatës, Gjergji Cunga, dhe një grupi tifozësh, merrnin pjesë pjesëtarët e stafit drejtues, si dhe një grup gazetarësh. Për më shumë se dy orë është folur me tone tepër të ashpra në drejtim të lojtarëve.

Kryetari i shoqatës, Cunga, ka kërkuar të dijë pse lojtarët nuk impenjohen sa duhet dhe pse janë të padisiplinuar, madje ai ka kërkuar edhe largimin e tyre nga Gramozi. Më tej, ai ka dashur të mësojë nga trajneri Qirjako për mungesën në ndeshjen e fundit të dy lojtarëve të ardhur me bujë te Gramozi, sidomos braziliani Perero.

Edhe tifozët e tjerë të pranishëm kanë kërkuar nga kryebashkiaku Laho dhe drejtuesit e klubit të gjejnë mënyrën për ta shpëtuar Gramozin. Më tej ka folur trajneri Qirjako, i cili ka pohuar se paraqitja e dobët e ekipit vjen si rezultat i kushteve në të cilat është përgatitur gjatë dimrit. Ai ka theksuar se për dy muaj lojtarët nuk kanë pasur mundësi të bëjnë asnjë gjuajtje të vetme drejt portës dhe nuk kanë zhvilluar asnjë miqësore.

Po ashtu, trajneri kolonjar u shpreh se largimi i 4 lojtarëve cilësorë të formacionit ka ndikuar në gjendjen aktuale. Kurse për mungesën e Pereros dhe Çelikjes ai sqaroi ata nuk bindën ndaj Ilirisë. Një tjetër faktor që ka çuar Gramozin në këtë gjendje ka të bëjë me pagat e padhëna. Lojtarët e Gramozit nuk paguhen që prej muajit nëntor dhe, sipas trajnerit Qirjako, kjo është arsyeja kryesore që lojtarët nuk impenjohen sa duhet.

Edhe kryebashkiaku Laho ka shprehur pakënaqësinë ndaj ekipit dhe ka bërë të ditur se të mërkurën do të zhvillojë një takim me të gjithë lojtarët dhe stafin. Në fund, trajneri Ilir Qirjako tha prerazi: Nëse lojtarët nuk marrin rrogat deri në javën e ardhshme, do të jetë i pamundur qëndrimi në kategorinë e parë!

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›