Elbasani, barazimi me Besëlidhjen sështë tragjedi
Verdheblutë nuk dorëzohen pas dy pikëve të lëna në stadiumin Ruzhdi Bizhuta dhe projektojnë fitoren në Ersekë këtë fundjavë
Barazimi me Besëlidhjen, i arritur në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, ku për here të parë këtë kampionat Elbasani la pikë, ia ka vështirësuar së tepërmi objektivin. Megjithatë, ka ende edhe shumë ndeshje, kështu që verdheblutë nuk e konsiderojnë fundin e botës atë rezultat. Ishte një shans që nuk duhej humbur, por futbollistët e Elbasanit nuk e tragjedizojnë atë barazim pa gola, sepse gjatë një kampionati mund të lësh pike edhe në fushën tënde.
Vëmendja është kthyer tashmë nga ndeshja e radhës, që Elbasani do të luajë në Ersekë me Gramozin vendës. Verdheblutë e presin me besim këtë transfertë, pasi e kanë vrarë frikën e këtyre ndeshjeve që me fitoren në Gramsh. Ata do të kërkojnë vetëm 3 pikët në fushën e Gramozit, ku padyshim që parashikohet një ndeshje mjaft e vështirë, duke pasur parasysh faktin se kolonjarët ndodhen në vështirësi dhe kanë nevojë për pikë.
Ndoshta verdheblutë mund të përfitojnë nga momenti i keq i Gramozit, duke u kthyer te fitorja, që do të ishte shumë e rëndësishme pas dy pikëve të lëna të shtunën që shkoi me lezhjanët. Stafi teknik i Elbasanit ka nisur që dje punën për ta kaluar me sukses të plotë ndeshjen në Ersekë, sepse vetëm fitorja e mban këtë skuadër në luftën për kthimin në superligë. Rikthehet këtë javë mesfushori Orgest Gava, i cili mungoi me Besëlidhjen për shkak kartonësh.
Trajneri Ilirian File do ta ketë grupin të plotë për sfidën me Gramozin, që është shansi i fundit i Elbasanit për të qenë në zonën e play-off-it. Deri të shtunën ai do të mundohet të rregullojë defektet që skuadra verdheblu tregoi në ndeshjen e fundit.
