E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diktatori



Pjetër JAKU

Monark me fytyrë të patinuar,
Me pabesi shpellash,
Monstër ogurzezë për vendin e tij.
Pa miq, pa shokë, pa ndjenjë.
Metamrofozë e keqe
e një ndryshimi të madh,
amplitudë e ndrydhur
e një koke gjeometrike,
që do t’u shërbente vetëm vitheve!

Ashtu erdhi, galopthi,
Me pabesi makbethiane,
Me termete të gjunjëzuar,
Me një urrejtje fotosintetizuese,
Të trekendshit biologjik të pamenduar,
Erdhi në jetën tonë,
Në vendin tim të bekuar,
Si një shkatërrimtar i çliruar!

Diktatura e mureve
Brenda njeriut të mjeruar me pasigurinë
E mbjatjes së peshës së tij,
Që dukej kudo, në parullat e vëna
Në shpatullat tona, në varret tona,
Në urat e mbetura, për një hakmarrje
Misterioze, të mbajtjes së njeriut
Në frikën e larjeve të mëkateve
Diktatoriale.

Zbriti nga malet me mendjen e vjedhur,
Viktimave të mençme t’u tregonte
Skëterren e ferrit, i mbështetur në injorancën
E përçudnimit të burrave me burrni të njëkolorshme,
Për t’i futur në duar të kasapëve, si në baladat
E kohëve pa numër, pa vite, pa hy.
Shpata e fjalës së tij, të ishte shpata e turpit
Të një kombi, që e duronte mbi krye!

Kuj t’i ankohej At Zefi, që varej nën pjeshkë,
Kokëposhtë me dridhje të qelizave burrnore,
Deri në durimin cezarian nga mjeshtra të torturës,
Që më vonë do t’torturonin veten.
Të gjithë janë njëlloj të vdekshëm,
Do thoshte At Zefi ynë,
Diktaturat kanë një fund në këtë dhè,
Nëse ne do kemi durim!

Patric liliput në kohët moderne,
Një kujtim i panevojshëm i Romës së vjetër.
Nopran i vrugullt me një buzëqeshje hipokrite
Stuhi e paparë, shkatërrimtare, me rrufe që binin
Veç në një vijë dalluese, përbindshe në luftën e llojit,
Për karrigen e tij!

E lejuam diktatorin të largohej, pa e përzënë
Madje pa i hyrë ferrë në këmbë.
Një popull i lodhur, i palosur nga vuajtjet,
Veç për të mbijetuar.
Edhe ithtarët pa morfologji,
Që ia me gjak ia mbrojtën karrigën atij,
I lejuam….

2 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›