E Shtunë, 31 Tetor 2026

HYJAAAA!



Shkrimtari i sotëm bullgar Nikollai Stojanov u lind më 1948 në qytetin Karllovo. Ai ka studiuar për orientalistikë, është diplomuar për filologji bullgare dhe specializuar në Francë.
Stojanov është autor i rreth pesëmbëdhjetë librave në prozë, ndërmjet të cilëve janë përmbledhjet me novela e tregime “Një në një milion”, “Lidhje nate”, “Kronikë lagjesh”, “Libër pa kapak”, “Vizë tranzit”, romani “Punishte për vrasje”, përmbledhja me ese “Panteon rrëzë maleve Ballkan”. Me skenarë të tij janë xhiruar katër filma artistikë televizivë. Ka shkruar edhe shumë pjesë radiofonike. Ai ka përkthyer nga frengjishtja disa autorë francezë. Libra të Stojanovit janë përkthyer në Francë, Gjermani, Itali, Rumani. Mban disa çmime letrare, ndërmjet të cilëve “Paris Evropa”, që i është dhënë më 2005 për ndihmesën ndaj kulturës së Europës së Bashkuar. Është president i Fondacionit “Ballkanika” që, sikundër dihet, jep çdo vit çmimin me të njëjtin emër për romanin nga autorë të vendeve ballkanike.
Tregimiet që botojmë janë marrë nga përmbledhja “Dhoma franceze”, Sofie, 2008. (Shënim i përkthyesit)

Nikollai STOJANOV
HYJAAAA!

Para pak kohësh, me një të njohurin tim nga Televizioni, dolëm për të kërkuar një pajton, që i duhej për emisionin e vet. U nisëm kuturu, ku të na dilte fati, në fillim nga qendra e Sofies, pastaj andej nga mëhallat e rrethinave të kryeqytetit dhe nga zonat e afërta të vilave.
E kishim kujtuar kollaj, por na doli se kishim marrë përsipër një barrë të vështirë, në mos të pamundur. Si pa u kuptuar, pajtonxhinjtë qenë zhdukur, tamam zhdukur e bërë fir.
Na u dha më në fund të ktheheshim tek ato strofullat e Stacionit Hekurudhor të mallrave dhe lagjes Orlandovci, ku në orët e mbrëmjes nëpër pijetore mblidheshin më së shumti karrocierë dhe punëtorë mëditës nga ata të ashtuquajturit “bashkatdhetarë ezmerë”. Levendët burra-faqe parruar na dëgjonin dhe ngrinin supet: “Ka ftofë ai biznes, lale, ka ftofë me kohë. A ke ardhë për ndonji dallavere?” Eh, ç’dallavere, dallaverja jonë qe pajtoni.
ǒtë bënim, u kthyem edhe nga tregu i tezgave, ku, sipas thashethemeve, mund të gjeje edhe raketa balistike, vetëm se në pjesë këmbimi. Dhe vërtetë, s’andejmi nuk dolëm duarbosh. Një kushëri i largët i atyre bashkatdhetarëve ezmerë na drejtoi kah Bankja turistike ose, më saktë, kah lagjja Verdikal, më duket se në Verdikal ishte një levend, që veç tjerave mbante edhe një pajton.
Pa u menduar gjatë, bashkë me të njohurin tim, ia mbathëm për në Verdikal. Dhe, ndërsa po u binim rrotull mëhallave dhe shtëpive të kësaj qendre klimaterike të dëgjuar, sesi zura të mendoj se isha hedhur, sikundër thonë specialistët, në një realitet tjetër. E thënë më thjesht, isha kthyer në vitet e fëminisë sime, të kaluar në lagjen e njohur mirë nga shumica e sofianasve “Konjovica”. Kurse për ata, që ky emër nuk u thotë gjë, po sqaroj se është ajo pjesë e Sofies, e cila fillon, aty-aty, nga rruga “Opëllçenska” dhe shkon deri afër lagjes “Zaharna fabrika”.
Në të vërtetë, në “Konjovica” ishin ngjitur me njëra-tjetrën bashkësi të ndryshme më të vogla lagjesh, me emra jo më pak tingëllues: mëhalla “Tamërli”, “Juçbunar”, “Gjevgjelijski kvartall”. Madje ishte fqinjë me “Dras mëhallën” dhe “Banishorën”. Të gjitha këto njësi administrative kishin popullsi të dendur gjysëm-qytetare e gjysëm-fshatare. Një pjesë jo e vogël punonin si karrocierë. Më duhet t’ju them se karrocierët kishin shoqatën e tyre, ku vendi i parë madje u pati takuar pajtonxhinjve. Po, po, asokohe kishte shumë pajtonë e pajtonxhinj, kurse më i dëgjuari ndër ta banonte bash te rruga jonë. Ishte armen dhe quhej Ardash. Sofianasit e brezit të mesëm me siguri e kujtojnë nga filmat tanë më të vjetër. Sepse, kur skenari e kërkonte patjetër të dilte në film pajtoni, në postën e lagjes menjëherë mbërrinte telegrami për xha Ardashin. Industrisë sonë kinematografike në hapat e para nuk mund t’i mungonte figura e tij simpatike e plot kolorit. Na kishte ky armeni edhe një fytyrë kockëgjerë, nga buronte mirësi, edhe sy gazmorë plot dritë e faqe të kuqe. Por paraqitjen e hijshme të vërtetë ia jepnin mustaqet e dendura të përdredhura dhe, afërmendsh, kasketa e kudogjendur e pajtonxhiut.
Xha Ardashi banonte në një shtëpi me oborr të madh, rrethuar me drurë mani. Pjesën më të madhe të tij e zinin stallat e kuajve dhe streha për pajtonët. Se nuk kishte një, por disa, madje lloj-lloji: asish të zakonshëm me dy rrota, gondola, llandonë – tip karroce, kabrioletë, saja rrëshqitëse me ballëza lluksoze. Mirëpo, më i bukuri nga të gjithë ishte pajtoni zyrtar, me ndenjësen e karrocierit të veshur me cohë bojë alli, me parafangot e harkuara lyer me vernik, me mbulesën prej lëkure me llustër e me fenerët prej bakri, që farfurinin. ǒne pajton, fantazi e shkuar fantazisë ishte! E tërhiqnin, merret me mend, dy kuaj korb të zinj, me zilet që tringëllinin hijshëm, kurse xha Ardashi ulur në ndenjëse, i qetë dhe i plotpushtetshëm njëherazi, tundëte ritmikisht kamzhikun. Prej atyre kohëve më ka mbetur në veshë thirrja e tij e ngjirur dhe disi pa drejtim: Hyjaaaa! Ky armen shpirt-njeriu qe lezeti, hareja dhe krenaria e “Konjovicës”. Kur ishte në kulmin e qejfit, na hipte neve, kalamanët, në atë pajton plot shkëlqim dhe na bënte një xhiro nëpër kthesat anës kanalit të Vlladajës...
Më pas ne u rritëm, vitet rodhën, pajtonxhiu u mplak, kënga gazmore e zileve zuri të dëgjohej përherë e më rrallë nëpër rrugicat e lagjes. Derisa një ditë u përhap fjala se xha Ardashi po hiqte shpirt. Armenasi vërtet kishte rënë në shtrat dhe sëmundja, për fat të keq, po e mundonte me dhimbje e vuajtje që nuk i kishte merituar. ǒtë bësh, një fat i tillë u bie për pjesë në më të shumtën e rasteve njerëzve të mirë.
Në pijetoren “Vardar” të lagjes, më të moshuarit e kooperativës së karrocierëve rrëfenin me zëra të mbytur ç’po hiqte bashkëmoshatari i tyre dhe sesi ajo vdekje e mallkuar nuk po vinte ta shpëtonte nga vuajtjet. A thua se diçka e pengonte Perëndinë ta merrte në botën tjetër.
Një mbrëmje, njërit prej shokëve të tij, i shkrepi në mendje cili mund të ishte shkaku. Shkuan ata burra në shtëpinë e xha Ardashit, hoqën nga varësja kamzhikun e tij më të bukur dhe ia vunë në dorë. Dhe ja, mrekullia! Fytyra e venitur e armenasit mori dritë, sytë iu përshkënditën me këndelljen e tij të zakonshme, tundi kamzhikun xha Ardashi, psherëtiu i lehtësuar dhe shpirti i tij “Hyjaaaa!” mori udhën për në botën e përtejme...
...Ja, e gjitha kjo vërshoi në kujtimet e mia, kur atyre ditëve me të njohurin tim nga televizioni u ramë rrotull lagjeve për të gjetur pajtonin, që i duhej për emisionin. Dhe, në fund të fundit, falë bashkatdhetarit tonë ezmer nga tregu i tezgave, të dy ia dolëm.
Pas shumë pyetjesh e rrëfyetjesh nëpër strofkat dhe pazaret e Bankjës mundëm ta gjejmë burrin nga Verdikali, i cili, veç të tjerave, mbante edhe pajton. Ai kullandriste një kafene në qendër të qytezës klimaterike e kishte blerë edhe një karrocë fiakër për zbavitje, për të joshur klientët. Që t’i ecte allëshverishi...
Mirëpo nuk mund ta merrni me mend habinë time kur, nga prapa derës së hapur të stallës së kuajve, para syve të mi në atë gjysëm-muzg u shfaq si i dalë nga dheu pajtoni i xha Ardashit. Ai pajtoni i fëminisë sime – me parafangot e llakuara, me tapicerinë ngjyrë alli, me farfurinë e fenerëve të bakërt...
Jo, nuk po më gënjenin sytë. Si ishte endur andej-këndej e si kishte kaluar nëpër “shumë duar,” pajtoni i armenasit i kishte rënë në dorë burrit nga Verdikali. Pa e ditur se i kujt ishte.
Vetëm se unë nuk e ndoqa rrëfimin e tij. E kisha humbur interesin për imtësitë dhe peripecitë e të njohurit tim të ri; ua kishte zënë vendin njëfarë meraku, që ma kaploi vetëdijën.
Por dhe më pas, rrugës së kthimit për në qytet, po ajo ndjesi m’i dëbonte mendimet e m’i shpinte në një drejtim të çuditshëm. Ishte vërtet padrejtësi e madhe në këtë rrethanë jetësore, që në sendin në fjalë vazhdonte të ishte gjallë njeriu i mirë xha Ardash me koloritin e tij.
Dhe, meqë nuk dija sesi mund t’i vë fre ndryshe padrejtësisë së hatashme të qenies sonë, ose të paktën ta ndreq atë padrejtësi, nuk bëra tjetër veçse u ula dhe shkrova këtë histori...

MËSIME TË FRENGJISHTES

- Tani ju, të bangës së parë, kini mendjen dhe përsëritni pas meje, - na thoshte madamë Cokova, - Le peuple bulgare est simple et laborieux!.. Që don të thotë: Populli bullgar është i thjeshtë dhe punëdashës!.. Kështu e ka teksti i frengjishtes, fëmijët e mij! - Ne të bangës së parë, domethënë unë dhe bashkënxënësi im i klasës Ivan Markov, e përsëritnim këtë frazë disa herë me zellin e duhur. Më pas, secili ngulte sytë te fletorja e vet.
Edhe pse po rrinim bashkë në një bangë prej disa javësh, unë dhe Ivan Markovi nuk qemë bërë shokë të ngushtë. Në pushimet ndërmjet orëve të mësimit i këmbenim a s’i këmbenim dy-tri fjalë, njëri-tjetrit nuk i jepnim gjë nga buka që merrnim me vete, kurse pas orës së fundit secili mblidhte gjërat e veta në çantë dhe dilte vetëm, duke ia shkelur me të katra për në shtëpi. Kështu iknim nga Aliansa, a thua se gjatë gjithë paradrekës kishim bërë ndonjë paurí.
Në ato kohëra, më duhet t’ju them, studimi i gjuhëve të huaja ishte ende gjë e rrallë, çka në lagjen e largët të rrethinës ku banoja, shihej punë me dyshim. Të përfshirë në tabelë në kolonën “inteligjencia”, prindët e mi edhe pa këtë nuk gëzonin ndonjë besim të veçantë. Të merrja mësues privat, do të thoshte t’i hidhja gotës pikën e fundit për t’u derdhur. Kështuqë, për të mos patur telashe të tepërta, ime më e im atë kishin vendosur të më regjistrojnë në kurset e sapohapura nga Alians Fransezë te sheshi “Sllavejkov”. Kjo ide, afërmendsh, kishte edhe rreziqe: duhet të bëja goxha rrugë deri te qendra e qytetit, të këmbeja dy tramvaje, të kapërceja disa udhëkryqe me shumë lëvizje... Por këto qenë hiç gjë para kureshtjes dashakeqe, që këto mësime të mia të reja mund të zgjonin në lagje.
- Po të të pyesin ku po shkon, thuaju se po shkon te qendra hidroterapeutike, për inhalacion! – më porositi qysh pas ditës së parë të mësimeve im atë. - Ti e di që ke sinuzit, apo jo!
- E di, - tunda kokën.
- Po mësimin e frengjishtes për nesër e ke mësuar?
- Le peuple bulgare est simple et laborieux! - e tha me zë të lartë si vjershë e si me komandë zotnia ime, kurse im atë mblodhi supet dhe një buzëqeshje e lehtë i lodroi te mustaqet.
Ja, kështu e kështu zura të shkoj në inhalacione. Rrugës kthehesha edhe te puna e sime mëje për fletoret, të cilat ajo, për t’i dalë përpara çdo rasti, i merrte me vete qysh në orët e para të mëngjesit; më pas zgjidhja rrugën më të shkurtër, duke u kujdesur të mos hutohesha. Mirëpo, sado që mundohesha, gjithmonë arrija në sheshin “Sllavejkov” me vonesë. Ivan Markovin e gjeja atje. Priste te hyrja, duke bërë ec e jake, dhe pak si kot më kot rregullonte syzet. Banonte diku aty afër dhe, nga pikëpamja e sotme, që ma kalonte mua ishte diçka normale, mirëpo kushedi përse atëhere kjo rrethanë më acaronte keq. Ashtu si më acaronte edhe këllëfi prej lëkure për lapsa, të cilin shoku im i bangës e nxirrte sapo hynim në klasë. “Skrëëc”, rrëshqiste lëmueshëm zinxhiri i çantës prej lëkure dhe tingulli i saj sikur ma këpuste zemrën nga zilia. Lavdi Zotit, po atë çast hynte edhe zonja Cokova dhe gjërat përsëri shkonin në vendin e vet:
- Sot, fëmijët e mi, do të përsëritim frazën: “Le camarade Chervenkov est la maitre du peuple bulgare.” Shoku Çervenkov është mësuesi i popullit bullgar... Kështu e ka teksti, fëmijë, në faqen 48, që ta dini!
Përgjithësisht, në këtë mënyrë fillonin dhe mbaronin atëherë mësimet tona të frengjishtes. E megjithatë, aty nga mesi i semestrit të parë, ne i kishim mësuar përmendësh shumicën e parullave, që gjendeshin në tekst. Kurse në marrëdhëniet e mia me fqinjin e bangës sikur kishte filluar të vinte një farë ndryshimi. Disa herë Ivan Markovi më kishte përcjellë në heshtje deri te stacioni më i afërt i tramvajit; një herë madje hyri me mua në mëngjesoren fqinje, ku hahej paçe plëndësi dhe, me stoicizëm e me një neveri që mezi e fshihte, priti sa të gjerbja edhe lugën e fundit të atij lëngu të bardhemë të padurueshëm për të. Kurse në mësimin tjetër, si rastësisht, ai nxori nga xhepi i pantallonave një kamion lodër. Nuk qe më i madh se një kuti shkrepsesh, por dukej kamion i vërtetë: gomat dhe rrotat i lëviznin, karroceria po ashtu; kurse mbi kabinë, ngjitur tërthor, shkëlqenin disa mbishkrime të pakuptueshme... Në duart e Ivan Markovit ndriste një thesar i vërtetë që, kur e shihja, bënte të më merrej fryma nga zilia. Vetëm se Ivani, me sa duket, nuk vinte re asgjë, pa dhe nxori nga goja diçka më të pamëshirshme:
- Kam një garazh të tërë në shtëpi! Po të duash, eja t’i tregoj.
O perëndi, edhe më pyet në desha! Desha, natyrisht, si nuk desha! Megjithatë, duke u munduar të ruaja sedrën time, i thashë ftohtë: Mirë!
Më pas, sapo kishim mbaruar mësimet, i hodha prapa shpine ndalimet e familjes dhe ua dhashë këmbëve bashkë me Ivan Markovin drejt e në shtëpi të tij. Veçse atje sedra ime e mbajtur me zor nuk duroi më. U bë copë e çikë që në sallon, në çastin kur fqinji im i bangës zuri të hapte njërën pas tjetrës dyert e dhomave të shumta para syve të mi... Ai kishte dhomë më vete, tavolinë studimi më vete, bibliotekë me libra. Kishte madje një tren elektrik të tërë me vagonë, të cilët lëviznin në shinat e instaluara në holl...
Djalli e di sa ndenja atëherë në shtëpinë e Ivan Markovit, por, kur mora për t’u kthyer në papafingon tonë, jashtë qe errur. I gjeta prindërit të kërrusur në atë gjysëm kuzhinë të mjerë, gati sa s’po luanin mendsh nga meraku. Kur më pa, nëna shpërtheu në lot, kurse babai më pyeti disi i gërhushur:
- Ku ishe?
- Te Ivan Markovi.
- Kush është ky Ivan Markov, - u nxeh babai, - ku banon dhe ç’punë i bëjnë prindët?
- Nuk e di, - ia ktheva i mbërthyer nga një farë smire fëminore e shpërthyer befasisht, dhe pas pak, befasisht edhe për mua vetë, u shkarkova: - Kush është ky Ivan Markovi, ja kush është, banon në një apartament në qendër, ka tren elektrik me shina, garazh me makina dhe për Vitin e Ri i vëllai do t’i sjellë dhuratë një “Mif”... Kurse ti, ti nuk mund të më blesh asgjë, asnjë lodër!
I thashë këto fjalë si ulërimë me një frymë, dhe me siguri do të kisha vazhduar, nëse im atë nuk do të kishte ngritur dorën. Më dha një shuplakë të nxehtë në faqe dhe, pasi heshti pak, më tha si me pëshpërimë:
- Të mos shkelësh më atje!
Vite më vonë do të kuptoja se krahasimi është një nga energjitë më shkatërrimtare të njeriut. Mirëpo, gjatë asaj mbrëmjeje, vetëm mbaja gojën kyçur dhe përsëritja me vete se nuk duhet të qahesha për kurrgjë në botë. Pastaj nxitova për në dhomën e gjumit. Në të vërtetë, atë kishim dhe aty flinim të gjithë dhe, kur aty nga mesnata prindët ranë për të fjetur, unë dëgjoja pëshpërimën e tyre të gjatë e gjithë merak, që vinte nga krevati bashkëshortor. Nuk mund ta merrja vesh ç’thonin, veçse tashmë qe e qartë se ekuilibri i ngrohtë familjar ishte prishur. E ndjeva këtë, siç i thonë, në lëkurën time. Ndjeva se ç’prej asaj dite, as shtëpia ime, as jeta ime nuk do të ishin si më parë. Për këtë, afërmendsh, duhet të kishte fajtor. Dhe në të zbardhur të ditës në vetëdijën time u shfaq si nga thellësitë edhe emri i atij fajtori – Ivan Markov.
Tani e tutje gjithçka sikur u bë më e qartë. Në çdo provë, që duhet të kaloja në vitet më pas, unë vetëm mbushesha mirë e mirë me frymë nga ajri i hidhur i lagjes sime të largët në rrethinë dhe me një tërbim pa fjalë, gati-gati si urrejtje, i thoja vetes: Ivan Markovi, ë? Ah, ky Ivan Markovi!
Sa për objektin real të urrejtjes sime, atë nuk e pashë më me sy. Pas atij semestri të parë në sheshin “Sllavejkov” prindërit e tij shkuan me punë jashtë shtetit dhe gjurmët e fqinjit tim të bangës humbën për një kohë të gjatë...
Derisa një ditë syri ma zuri disi befasisht emrin dhe fotografinë e tij në një lajmërim vdekjeje të ngjitur në mur pak si shtrembër. Për një çast u shtanga, kujtova se isha gabuar. Më pas ma deshi zemra të ishte përkim i rastësishëm emrash. Por djaloshi me syze, i cili më vështronte nga ajo copë letre e zbërdhylur, ishte për mua i njohur deri në dhimbje, po ashtu siç qe edhe emri më poshtë. Po të gjykoje nga vitet, Ivan Markovi kishte vdekur mjaft i ri, kurse unë, duke qëndruar para asaj flete nekrologjie tashmë i bindur për këtë fakt të hidhur, nuk e di përse ndjeva papritur edhe njëfarë faji për vdekjen e tij.

Përktheu Abdurrahim Myftiu

2 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›