E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtrati



Enton BIDO
Shtrati

Më kanë ulur në një karrige. Dhoma është e errët dhe gjithë lagështi. Një llambë pa mbështjellëse varet nga tavani, megjithëse ndriçon dobët. Më tej është një shtrat. Sipër shtratit hyn një dritë e mekur nga dritarja, që më duket si gjashtëkëndëshe. Mbase është gënjim pamor. E kam kokën e rëndë dhe sytë s’e di pse më djegin.
Rojat që më sollën, më thanë se shtrati është për mua. Në fakt, po më duket i vogël. Unë duhet të jem nja dy pëllëmbë më i gjatë.
U ngrita dhe u ula në shtrat.
Tani sapo hynë rojat. Më kapën nga krahët dhe më shtrinë me forcë. Vura re që këmbët më dolën jashtë shtratit. Atëherë rojat se nga gjetën ca sharra dhe filluan të më presin këmbët, bash aty ku mbaron shtrati. Për çudi, nuk më dhembin fare. Më e habitshme është se s’po del pikë gjaku. Ata sharrojnë si në dru. Kur mbarojnë punë, bashkë me mua, shohin që i kanë prerë këmbët më shumë se ç’duhet. Atëherë njëri më zë nga duart, tjetri nga këmbët dhe më tërheqin njëkohshëm. Filloj e zgjatem me zor si llastik. Rojat duken të kënaqura, sepse shoh përmes përkrenareve dhëmbët që u zbardhin. Kur, ç’të shohin?! Këmbët e ndërprera prapë kapërcejnë hekurin e shtratit. Sërish marrin sharrën, po prapë s’bëjnë gjë për të qenë. Dhe kështu pa fund, gjymtyrët e poshtme janë ose më të shkurtra, ose më të gjata.
Që nga hera e parë ka kaluar aq kohë, sa s’mbahet mend, ndoshta shekuj. A do të munden ndonjëherë ta përshtasin trupin tim me shtratin? Ku ta dish!

Ujku dhe kecat
(Varianti II)

Na ishin tre keca, që i rriste mama Dhia. Po baba Cjapi, do thoni ju?! Baba Cjapi qe nisur për kurbet, po më parë na kish rruar mjekrën. Sa të ma rruajnë ata andej, më mirë po e rruaj vetë, kishte thënë.
Mirëpo këta kecërit qenë trazovaçë të mëdhenj. Një e dy, shkonin te strofulla e ujkut, i prishnin gjumin ose i derdhnin ushqimet. Njëherë i patën prerë kabllin e Dixhitalbit, kur ujku po shihte ndeshje në qejf të vet. Ky na ish xhindosur e kish ulërirë, po s’bënte dot gjë, se ish i dënuar me kusht.
Këta pinxhot të më bëjnë numra mua?, kish thënë vetmevete. Dhe kish vendosur të hakmerrej (“Hakmarrje ujqëri/ çakalli thërret/ që hëngri pa dashje/ shokun e vet.”)
Ruajti një natë sa iku mama Dhia, mbylli strofullën me dryn dhe u nis për kah shtëpia e kecërve. Trokiti në derë.
- Kush je? - u dëgjua një zë nga brenda.
- Jam babi Cjapi, bijtë e mi! Sapo erdha nga kurbeti. Hapeni derën, se s’kam çelës!
Mirëpo ata i kish porositur mamaja që mos t’ia hapnin asnjeriu derën.
- Pa nxirre njëherë këmbën, - thanë, - se ne na ka thënë mami që babi s’vjen sivjet në shtëpi.
Ujku i kish marrë masat. I kish lyer këmbët me bojë vaji të bardhë. E futi njërën poshtë derës dhe kecat mend e besuan. Kur njëri e preku rastësisht këmbën, iu bë dora me bojë.
- Ej, - i folën njëri-tjetrit, - qenka ujku!
Atëherë i thanë:
- O babi! Mami s’na e ka lënë çelësin. A nuk hyn nga oxhaku?
- Mirë, o bij!
Ujku kishte parë një film vizatimor, ku ujku hyn nga oxhaku dhe, ngaqë kecat ia kishin kurdisur rengun, bie në kazanin me ujë të valuar. Edhe kecat tanë kështu kishin bërë. Prandaj ujku, një të veshur rroba zjarrfikësash dhe këlltum!, nga oxhaku drejt e te kazani me ujë të valuar. Sapo ra brenda, kecat dygurëbashkëmoslënës mbyllën kapakun dhe nisën të hidheshin përpjetë si susta nga gëzimi. Eh, po sa ka zanati! Ujku e ngriti kapakun, doli nga kazani dhe një t’i përlarë kecat.

E di që u mërzitët, po ja që jo të gjitha përrallat përfundojnë mirë.

2 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›