E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metastaza e analfabetizmit mbërthen Tiranën

Metastaza e analfabetizmit mbërthen Tiranën

Jonida Tashi

Çdo vit, rreth gjashtë mijë deri në shtatë mijë fëmijë në vend braktisin shkollën. Ndërkohë që rreth 3 mijë nxënës të tjerë problematikë janë një kontingjent i rriskuar për braktisjen. Shifrat alarmante raportohen nga Sindikata e Arsimit, e cila së fundi ka kryer një studim për këtë fenomen. Sipas studimit të kësaj sindikate, vitet e fundit është rritur numri i fëmijëve që braktisin sistemin shkollor parauniversitar. “Një numër edhe më i madh është i atyre fëmijëve që frekuentojnë me ndërprerje, me orë apo me ditë”, - pohon kreu i Sindikatës së Arsimit, Xhafer Dobrushi. Këtë shifër, Sindikata e Arsimit e ka nxjerrë duke iu referuar statistikave të Ministrisë së Arsimit.
Zonat
Zonat më problematike që kanë një shifër të konsiderueshme të fëmijëve që braktisin shkollën janë zona e Kamzës në Tiranë, Durrësi, Fieri, Korça. “Nga qarku i Tiranës, zona e Kamzës, nga Durrësi, nga Fieri ku ka një kontingjent të madh të nxënësve romë, ku ka mungesa veçanërisht me shkëputje nga shkolla, nga Elbasani, nga Korça dhe nga Shkodra, ku përgjithësisht janë fëmijët e ngujuar”, - tha Dobrushi. Për të frenuar zhvillimin e mëtejshëm të këtij fenomeni, sindikalistët, së bashku me aktorë të tjerë të interesit, kanë filluar një projekt pilot në 21 shkolla të vendit për trajnimin e 120 mësuesve, të cilët po punojnë me rreth 3 mijë nxënës problematikë. Lënia e shkollës fillon në ciklin e ulët. Mësuesit deklarojnë se 5 për qind e nxënësve braktisin shkollën në hapat e parë. Kështu do të jetë derisa të ekzistojnë fenomene të tilla si, gjakmarrja, mungesa e kujdesit prindëror, dhuna në familje apo keqtrajtimi në ambientin shkollor. Shifrat e fundit të raportuara nga organizma vendas, por edhe ndërkombëtarë, thonë thjesht dhe qartë se braktisja e arsimit të detyruar jo vetëm që nuk po njeh kurbë në ulje, por vazhdon të ketë rritje konstante, e shoqëruar në rrugën e saj edhe nga fenomene të reja, të cilat modifikohen me ato të vjetra.

Studimet
Fenomeni i braktisjes së shkollës në vendin tonë është studiuar edhe nga organizma të huaja. Kështu, sipas një studimi të kryer në fund të vitit 2008 nga Shoqata Internacionale për Solidaritet, në dy qytetet më të mëdha të vendit, Tiranë dhe Shkodër, rezulton se 15 për qind e nxënësve braktisin bankat sapo përfundojnë ciklin e ulët shkollor. Shifrat pranohen edhe nga vetë mësuesit, që shikojnë si arsye të fortë ambientin familjar në të cilin rritet nxënësi.
Në Shkodër, kryeqendrën e Veriut, gjakmarrja është kthyer në shushunjë, e cila po u pi gjakun dita-ditës shkollave. Në malësitë e këtij rrethi ka fshatra ku gjakmarrja ka ngujuar në shtëpi mbi 30 fëmijë, të cilët prej frikës janë të detyruar të qëndrojnë të mbyllur brenda mureve, duke mos arritur të marrin dot edhe njohuritë më elementare mësimore. Përgjithësisht fëmijët që braktisin shkollën në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera të vendit, jetojnë në familje me 5 anëtarë apo edhe më shumë. Gjakmarrja konsiderohet në raport si një nga shkaqet që sjell për rrjedhojë braktisjen e shkollës nga nxënësit. Por këtu nuk mund të anashkalohen shkaqet e forta ekonomike. Studimi reflekton se fëmijët, të cilët janë piketuar si braktisës të shkollave, vijnë nga familje me të ardhura mujore më pak se 30 mijë lekë në muaj, që, përpjesëtuar me numrin e lartë të anëtarëve, janë të pamjaftueshme për të kaluar të paktën jetë normale.

2 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›