E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkthyesi në rrethin e unazës



Ndërkaq, patëm një shtysë më tepër: na u gjallërua ideja që romanin e Carmine Abate-s t’ia jepnim lexuesit shqiptar më shpejt. Dritani e kishte lëçitur me kohë dhe i kishte pëlqyer sidomos për narrativën e sinqertë. Ai nuk do të përkthente kurrë një tekst vetëm pse mund t’i rekomandohej nga dikush. Për nga natyra ishte vërtet i butë, por besnik në shijet e veta, nuk bënte pazare në zgjedhje. Përpara se t’i hynte punës, siç do të na mbetej ky zakon, ia nisëm me një bisedë kokë më kokë. I thashë se, sipas meje, në këtë roman flasin shpirtra të binjakëzuar, shkruhet nga një italian me gen shqiptar, nëpër faqe ndihen fort aromat e koloritit, është ai i veçanti, koloriti arbëresh. Ma shkeli syrin, duke më përcjellë mirëkuptim e vetëdije, ndërsa unë heshta më tej. Kur lexova përkthimin e daktilografuar, ato kërkesa i gjeta në harmoni, tingëllonin bashkë. E ndjeva si po ecte dhe me ç’hap po ecte. Dritani m’u duk një djalë serioz dhe poetik njëkohësisht. Por sa shpejt, sa shpejt do ta shihja të bëhej burrë në punën e vet!

Zija ÇELA

“Shtegtimi i unazës”, romani i Carmine Abate-s, botimin e parë e pati në Tiranë më 1993, por shënimin paraprirës për jehonën që vepra kishte gjetur në Itali, Dritani e përgatiti diku nga dhjetori i vitit 1992, çka do të thotë menjëherë mbasi kishte kryer përkthimin e librit. I bie që romanin ta ketë sjellë në shqip para se të mbushte 23 vjeç. Natyrisht, mosha nuk është gjithnjë shenjë interpretimesh, por në përballje me rezultatin ndodh të bëhet e tillë.
Siç kam rrëfyer gjetkë (“Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”), nuk mbaj mend që me Dritanin, në kuptimin akademik, të kemi folur gjerë e gjatë për teorinë e përkthimit. Vetë tekstet ishin pasqyra të teorisë, ato na grishnin, me tekstet në dorë këmbenim mendime. Ai nisi të përkthente e të botonte mjaft herët. Ka përkthyes që përparojnë me punë të zellshme, por unë besoj se kjo zeje, pse jo edhe motër e krijimtarisë, kërkon gjithashtu prirje të lindur. Kur është e lindur, shkëndijat e saj zakonisht i shfaq shpejt, me të rënë në kontakt me botën letrare. Ndodh disi vetvetishëm, si me fërkimimin e gurëve të strallit kur bëhen bashkë.
Në dy vitet e fundit të shkollës së mesme, ku studionte në degën e italishtes, Dritani më kishte dhënë sprova për t’u ndalur. Ishte shtatëmbëdhjetë vjeç (1987) dhe në gazetën “Zëri i rinisë”, ku ishte kryeredaktor Remzi Lani, botoi tregimin Kapota të Dino Buzzati-t. Ndoshta ndikonte edhe atmosfera e shtëpisë, një atmosferë pune. Atë kohë, nga mesi i viteve ’80, po merresha me Dino-n. Kisha një përmbledhje me tregime të zgjedhura në frëngjisht (Le K) dhe mendoja se, me autorë të tillë, ia vlente të thyheshin tabutë e politikave të botimit. Duke qenë vetë kryeredaktor i “Dritës”, nisa që Buzzati-n ta bëja të dukshëm në gazetë. Dritani m’u vu përkrah mbasi kisha botuar Gungat e kopshtit, I vdekur gabimisht e ndoshta ndonjë tjetër. Nga Buzzati ai botoi një sërë tregimesh mbresëlënëse, në mes tyre edhe Kolombra, i cilësuara si nga majat e prozës së shkurtër. Kështu, atë e bir u bëmë bashkëpunëtorë. Dritani i krahasonte përkthimet e mia me origjinalin, ndërsa unë të tijat me versionin frëngjisht. Më pranoi që në fillim si redaktor dhe rrallë botoi diçka, pa ma kaluar më parë për lexim. Mirëpo, për aq sa rrojti, unë mësova më shumë nga Dritani, sesa ai nga unë.

* * *
Në shtëpi kishim një roman të Carmine Abate-s, shkrimtar modern arbëresh. Ishte Il ballo tondo, ma kishte dhënë vetë autori me një autograf për Dritanin. Me Carmine-n isha takuar në Tiranë përpara përmbysjes së sistemit monist, por ndodhi që më pas u takuam edhe në Itali. Dhe ka qenë vera e vitit 1992. Unë u ndodha atje me një ansambël të këngëve popullore, do të përurohej dhe një bust i Skënderbeut. Gjatë lëvizjeve me ansamblin, vajtëm në Karfici, provinca e Katanzaro-s. Duke dashur të më dërgonte ndonjë përshëndetje në Tiranë, Carmine pyeti një artist se mos e njihte filan shkrimtar dhe tjetri iu gjegj se shkrimtari, për të cilin po interesohej, atë ditë ndodhej pikërisht aty ku duhej, pra në horën e tij. E kështu u ritakuam. Ai sapo ishte kthyer nga Gjermania me të shoqen, gjermankën e përzemërt Meike, për të kaluar pushimet në vendlindje.
Ndërkaq, me Dritanin patëm një shtysë më tepër: na u gjallërua ideja që romanin e Carmine-s t’ia jepnim lexuesit shqiptar më shpejt. Dritani e kishte lëçitur me kohë dhe i kishte pëlqyer sidomos për narrativën e sinqertë. Ai nuk do të përkthente kurrë një tekst vetëm pse mund t’i rekomandohej nga dikush. Për nga natyra ishte vërtet i butë, por besnik në shijet e veta, nuk bënte pazare në zgjedhje. Përpara se t’i hynte punës, siç do të na mbetej ky zakon, ia nisëm me një bisedë kokë më kokë. I thashë se, sipas meje, në këtë roman flasin shpirtra të binjakëzuar, shkruhet nga një italian me gen shqiptar, nëpër faqe ndihen fort aromat e koloritit, është ai i veçanti, koloriti arbëresh. Ma shkeli syrin, duke më përcjellë mirëkuptim e vetëdije, ndërsa unë heshta më tej.
Kur lexova përkthimin e daktilografuar, ato kërkesa i gjeta në harmoni, tingëllonin bashkë. E ndjeva si po ecte dhe me ç’hap po ecte. Dritani m’u duk një djalë serioz dhe poetik njëkohësisht. Por sa shpejt, sa shpejt do ta shihja të bëhej burrë në punën e vet!
Nisi kërkimi për titullin, çka do të përsëritej edhe në raste të tjera, si me Seta të Baricco-s, por shumë më shpejt me Và dove ti porta il cuore të Susanna Tamaro-s. Më kujtohet se, kur do të përkthente Tamaro-n, bëmë atë “seminarin” tonë. Mbasi e kisha shfletuar librin një copë herë, vazhdoja ta mbaja në dorë. O Tano, i thashë, po të më dëgjosh mua, këngëzoja pak stilin, kështu e dashka origjinali. Ashtu do të vazhdonim të mirëkuptoheshim, siç kishim nisur, pa folur me terma e me koncepte, që japin përmbajtje të kodifikuara. Na vinte për mbarë gjuha e folur (këngëzimi i stilit!), por merreshim vesh mirë. Ma shkeli syrin sërisht dhe kuptova se kishte qenë i parapërgatitur. Kur përkthimi u bë gati, u ndalëm te titulli. Sido që të përkthehej, Shko ku të çon zemra, Shko ku të thotë zemra, Shko ku të thërret zemra, ajo “ku” (dove) e pashmangshme nuk më pëlqente në shqipe, më dukej sikur i krijonte titullit frakturë në shqiptim, një thyerje të përfytyruar me atë vizën që ndan numrat e shprehura me thyesa. Ditën që po dorëzonte disketën, ishim bashkë dhe Dritani i tha botueses, im atë ka mendim tjetër për titullin. E si? pyeti kureshtare ajo. Thuaji zemrës po, i kumtoi përkthyesi. E gëzoftë, u dëgjua përgjigja e Brikena Çabejt, qenka gjetur kumbari.
Por le të kthehemi tek Abate, gjithashtu në kumbarinë e parë. Për lexuesin tonë, të cilin e kishin stërngopur me folklor deri atëherë, sipas meje, titulli i origjinalit do të ndeshte në një velje të pritshme, që vinte prej abuzimit të gjatë. Il ballo tondo, pra Vallja rrotull, Vallja rrumbullak apo sido të luhej me vallen, më dukej fare koreografik dhe pa tërheqje. Por kjo njësi etno-kulturore që në tekst nënkuptohej se, bashkë me gluhën e dheut mëmë, arbëreshët e kishin marrë me vete qysh nga motet kur lanë Arbërinë, më çonte te vallja në rreth, ndryshe te vallja e unazës, ose krejt shkurt tek unaza. Kështu, romanit i vumë titullin Shtegtimi i unazës.
Menjëherë, versioni i Tiranës u botua edhe në Kosovë nga “Dukagjini”. Veçse në atë botim mungonte emri i përkthyesit (mungon edhe sot, vetëm në disa kopje emri u shtua me vulë). Nuk ishte aspak gjest piraterie, përkundrazi u pagua edhe honorari, pasi në atë kohë “Dukagjini” ishte botuesi im. Por, siç më thanë miqtë e redaksisë, duke e ditur aq të ri përkthyesin përballë asaj pjekurie të tekstit, kishin pandehur se isha unë që po bëja një reng, romanit të përkthyer prej meje i kisha vënë emrin e tim biri. Ndoshta në fillim ka patur edhe mosbesim, siç ndodh në raste të tilla, në fillim ndoshta u njoh edhe si djali i filanit. Por do të përmbushej besimi im dhe unë do të ndihesha krenar, duke u paraqitur më pas si babai i Dritan Çelës.

* * *
Kështu e solli koha, kur Toena kërkoi ta ribotonte, me “Shtegtimin e unazës” u ballafaqova prapë mbas pesëmbëdhjetë vjetësh, por tashmë pa Dritanin. Ka rilexime për qejf, ka kthime për mall, por kësaj here ngarkesa e tejkalonte çdo shtysë vetjake, sepse buronte edhe nga përgjegjësia para një lexuesi më të hapur, më të emancipuar.
Nuk e fsheh, pata dy mbresa më tepër.
E para, romani i Abate-s m’u duk më mbushullues, një prozë që, duke huajtur një krahasim nga kujtesa e moçme arbëreshe, është e mirë si buka. Tharmi gjithashtu m’u shfaq më universal, sepse tekefundit në këtë botë jallane, kudo jeta është si fjeta. Ndërsa mbresa e dytë... Por meqë mbërrita te jeta dhe fjeta, po e mbyll ndryshe.
Gjatë kohës që lëngonte në spital, në Parma të Italisë, kam menduar nganjëherë për përkthimet e Dritanit. Jo aq për çka rrëfeva, por sidomos për problemin më të qenësishëm të njerëzimit, Vdekjen. Dritanit i ka rënë në pjesë të ndeshet shpejt me këtë problem, e ka hasur në të gjitha përkthimet e tij, në të gjitha pa përjashtim, përfshirë edhe përrallat shqiptare që përktheu në italisht. Madje, ndonjëherë e ka gjetur me kufirin profetik për fundin e vet: “U sëmur nga një ethe që asnjë mjek nuk dinte as ta shpjegonte, as ta kuronte. Ndërroi jetë në fillim të marsit...”. Dritani mbylli sytë më 4 mars 2006 dhe, me gjithë aparaturat e sofistikuara, tumori i tij nuk u gjet se ku ndodhej. Çfarë mund të ketë ndier në rini ai djalë, në përkthimet e para? Çfarë ka parandier ai burrë gjatë përkthimeve që dha më vonë?
I gjithë njerëzimi, sado që pa ndonjë biletë në dorë, është pjesëmarrës në një lotari të përbotshme, ku orë e çast hidhet shorti më i fshehtë. Rezultatet nuk komunikohen, ato vetëm ekzekutohen. Paradoksi është se humbet ai që fiton. Kështu, një ditë prej ditësh, e humbëm Dritanin tonë. Kur mbylli sytë, dy prej miqve në Tiranë ua dërgova lajmin me SMS me të njëjtin tekst. Nuk e përmendja fjalën vdekje, por njoftoja ndryshe: “Na ishte njëherë një baba e një djalë që çudisnin dynjanë, kaq miq të ngushtë ishin. Tani ky djali nuk është më.”
Ka gjasa që të jem gabuar, sepse është më vjen të them. Dhe kjo përbën atë ndjesinë e dytë nga ballafaqimi me librin. Janë të shumtë ata që thonë se arti është Gjuhë. Po vetë Gjuha a nuk është një botë binome, edhe Frymë, edhe Realitet njëherësh? Mbase nuk gaboj kur pyes, por kur përgjigjem (qoftë dhe për të krijuar një iluzion) se njerëzit e letrave në Gjuhë shuhen, ose në Gjuhë rrojnë.

2 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›