E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filozofia e daljes nga një epokë



Astrit LULUSHI (SHBA)

Megjithëse viti 1990 ka hyrë në histori si periudha e përmbysjes së komunizmit
apo si kufiri midis dy epokave, jeta vazhdon e rrethuar nga pikëpamje e mendësi
kryesisht të vjetra. Në fakt, në disa raste është vështirë të dallohet fillimi i epokës së re apo identifikimi i fundit të së vjetrës. Në shekullin e XVI, Evropa kishte mbërritur në kufirin "qui-fines" e errësirës. Përtej këtij muri imagjinar ndodhej drita, ndriçimi (Iluminizmi). Çeshtja ishte si të arrihej atje. Filozofi britanik Tomas Hobs (1588-1679) thoshte se shoqëria është si një makinë gjigande. Kur bota shikohet e tillë, atëherë ajo mund te drejtohet a përdoret, si makina, për të mirën e njeriut.
Sipas Hobsit, njeriu në gjendjen e tij natyrale përpiqet vetëm për interesin e tij, për të kënaqur veten dhe një individualizëm i tillë çon në luftë a konflikt. Kjo është gjendja e tij e natyrëshme dhe të ndjesh gjithmonë të njëjtën gjë, është njësoj si të mos ndjesh asgjë, “prandaj për njerëzimin ishte më mirë të jetonte me liri të kufizuara, sesa në anarki të plotë”, thoshte Hobs.
Edhe filozofi holandez Baruk Spinoza (1632-1677) besonte se njeriu është i prirur drejt
vetëruajtjes dhe, përderisa nuk është në gjendjë ta arrijë këtë në kushte vetmie a izolimi ai krijon grup, shtet, komb që, nëpërmjet një të ashtuquajture “kontratë shoqërore”, mund të qeveriset në tri forma: mbretëri apo pushtet i individid, aristokraci ose pushtet i një pakice të privilegjuar, dhe demokraci - pushtet i përfaqësuesve të zgjedhur. Por ndërsa Hobsi mendonte se monarkia ishte forma më e mirë qeverisëse, Spinoza këmbëngulte se demokracia ishte më e suksesshme.
Ndërsa filozofi anglez Xhohn Loku (1632-1704) iu qas kësaj çështjeje nga një drejtim krejt i ri. Ai thoshte se njeriu lind me mendje të zbrazët (tabula rasa), pa asnje ide a ndjesi dhe truri i tij fillon të mbushet me koncepte e imazhe, kur provon ndjenjat e shijes, nuhatjes, dëgjimit, prekjes dhe veçanërisht shikimit. Si rrjedhim, të gjithë njerëzit lindin me aftësi të barabarta dhe sjellja e zhvillimi i një individi a shoqërie varet nga mjedisi ku jeton. Nisur nga kjo, Loku mendonte se, mbi çdo gjë tjetër, arsimimi ishte përgjegjës për krijimin e karakterit moral dhe intelektual të individëve.
Ndryshe nga Hobsi, Xhon Loku besonte se përderisa të gjithë njerëzit vinin në këtë jetë me aftësi të barabarata, kjo do të thoshte se pabarazia ishte rezultat i panatyrëshëm i mjedisit, ku njeriu ishte i detyruar të jetonte dhe kjo është arsyeja që njerëzit janë të prirur (instinktivisht) të ruajnë e të mbrojnë barazinë e pavarësinë, pasi këto jane aspekte të natyrës së tij njerëzore. Për Lokun, njerëzit hyjnë në kontratë shoqërore vetëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis individëve e grupeve, fuqia absolute është një zhvillim jo i natyrshëm dhe përbën shkelje të kësaj kontrate. Qëllimi i autoritetit është mbrojtja e barazisë e lirive mes individëve dhe, kur ky pushtet heq dorë nga kujdesi për mirëqenien, pavarësinë dhe barazinë e tyre, kontrata quhet e anuluar.
Xhon Loku i botoi këto ide në Two Treatise, menjëherë pas revolucionit të vitit 1688 në Britani, ngjarje që ka hyre në histori si “revolucioni pa gjak” dhe që i dha fund pushtetit absolut të mbretit Xhejms i dytë, duke i hapur rrugën zhvillimit të demokracisë parlamentare në Britani.

2 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›