Diktatura e harruar e Evropës

Edhe ditëlindjen e tij të 21-të, javën e kaluar, Zmitser Dashkjevic, e kaloi në burg. Kryetari i organizatës së rinisë, Malady Front, gjendet në burg që nga dhjetori i vitit 2010 dhe organizatat për të drejta të njeriut, Amnesty International dhe Viasna e konsiderojnë atë si një të burgosur politik.
Pasi Dashkjevic të lirohet dikur nga burgu, atëherë ai me gjasë do të jetë një njeri tjetër. Ata që arrestohen si opozitarë në Bjellorusi në burg përballen me fyerje, poshtërim dhe torturë. Shumë prej tyre, të cilët kanë dalë nga burgu, kanë probleme shëndetësore dhe janë njerëz të thyer.
Andrej Klimov, dikur një politikan tejet luftarak i opozitës, është tërhequr, pasi që ka vuajtur disa dënime me burg. Andrej Sanikov, në vitin 2010 njëri nga rivalët e presidentit Aleksandër Lukashenko, i cili u arrestua një ditë para zgjedhjeve, raportoi pas lirimit të tij:”Tentonin të më detyronin që të bëjë vetëvrasje”. Rreth 2200 persona, vlerëson gazetari Andrej Dynko, janë arrestuar për shkak të aktiviteteve opozitare që nga viti 2010. Dynko, sikur edhe shumë opozitarë tjerë, nuk lejohen të largohen nga Bjellorusia.
Viasna thotë se aktualisht në Bjellorusi janë 13 të burgosur politik. Por pothuajse për çdo ditë ka arrestime të aktivistëve, të cilëve ju jipen dënime të shkurta me burg-në pjesën më të madhe aktivitete këto të pavërejtura nga opinioni evropian. Përderisa perëndimi ka kthyer shikimin kah Siria dhe Egjipti, situata në diktaturën e fundit në Evropë ka rënë në harresë.
Për të raportuar ka mjaft që nga viti 2010, kur Lukashenko vendosi që të ndërpret kontaktet me Perëndimin dhe që të vazhdojë politikën e tij represive.
Frika dhe vetëcensura në ndërkohë janë aq të fuqishme në shoqëri, sa që gjithnjë e më pak njerëz po janë të gatshëm që të luftojnë për ndryshime dhe që të rrezikojnë, për të arritur këtë qëllim. Por sjelljet e ashpra kundër kritikëve dhe disidentëve janë gjithashtu një shenjë edhe për nervat e tendosura të regjimit, theksojnë ekspertët. Anketat dëshmojnë se gjatë viteve të fundit ka rënë dukshëm përkrahja për Lukashenkon dhe për këtë arsye parlamenti i Bjellorusisë në fund të qershorit ka miratuar ligjin, me të cilin dënohet publikimi i rezultateve të anketave, të cilat nuk janë aprovuar nga regjimi.
Në prill dukej se Bjellorusia ishte e gatshme të afrohej me BE-në. Por më pas, në Rusi president u zgjodh Vladimir Putini dhe marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat ishin ftohur në vitin 2010, papritmas u forcuan sërish. Në vitin 2012, Rusia do të subvencionojë fqinjin e saj me rreth 4 miliardë dollarë. Krahas kësaj, Lukashenko do të marrë kredi edhe nga Unioni i Euroazisë. Javën e kaluar, kryeministri rus, Dimitri Medvedev, qëndroi për vizitë në Minsk, për të nënshkruar kontratën për ndërtimin e një reaktori bërthamor në Bjellorusi.
Por e gjithë kjo ndihmë mund t’i kontribuojë vetëm forcimit të përkohshëm të ekonomisë, e me këtë edhe të pushtetit të Lukashenkos.
“Regjimi në Bjellorusi e di fare mirë se reformat janë të pashmangshme”, shkroi George Plashinsky, nga Qendra e Minskut për Transformim Evropian. Megjithatë, ajo i frikësohet ndryshimeve radikale, ngase në këtë mënyrë do të mund të dëmtoheshin shtyllat e pushtetit. Nga kjo situatë do të përfitonte para se gjithash Rusia. Ndërmarrjet ruse me gjasë do të siguronin “copat” më të mira, gjatë procesit të privatizimit të kompanive bjelloruse.
Nuk është vetëm Plashinsky që beson se ndikimi i shtuar i Rusisë në Bjellorusi do të nënkuptonte fundin e “zhvillimit evropian” të vendit.
Në situatën aktuale, BE-ja nuk mund të bëjë shumë, pasi që nuk ka mjete politike për të ushtruar trysni, përveç që të kërkojë lirimin e të burgosurve politik dhe të mbajë sanksionet në jetë.
“Vetëm dështimi i modelit të Putinit mund të hap shtegun për Pranverën në Euroazi”, thotë Dynko.
Por Bjellorusia është ende shumë larg nga aty. Kur Lukashenko shkoi së fundi për vizitë në Venezuelë, ai si pasardhës potencial e pozicionoi djalin e tij, Kolja. Djali i tij ka vetëm shtatë vjet. (Die Zeit)