Dilema hamletiane e Edvinit, në penën e Luan Myftiut
Në fillim të muajit gusht gazetari-letrar i “55-s”, i palodhuri Luan Myftiu, i ka bërë një portret personit që ka turbulluar ujërat politike të vendit tonë, jo vetëm në dëm të partisë së vet, por edhe kundër vendit të tij, atdheut të tij, - nëse ai ka atdhe. Fjalët e fundit synojnë të thonë se vetëm Manifesti Komunist (“komunistët s’kanë atdhe”) mund t’i përshtatet atij, më tepër se cilitdo, atij që vendit i ka sjellë aq tersllëqe me atë mënyrë kundërthënëse, qoftë edhe me pakënaqësinë ndaj të vetëve, për të përfillur ndonjë mendim me vlerë, për interesa të të gjithë vendit. Kuptohet se është fjala për kryetarin e PS-së dhe për arbitraritetet e tij të njëpasnjëshme, të cilat ia kanë prurë në majë të hundës jo vetëm kundërshtarëve politikë, por edhe më të aftëve të partisë së vet. Ai nuk ka konsideratë në radhët e tij për ata dhe për ato që ia vënë në dyshim disa nga mendimet megalomane, për të cilat as mund t’i bëhet ndonjë vërejtje, një narcizi si ai. Ky është Edi Rama.
Do të dëshironim ta vinim në reliev shkrimin e tij të 1 gushtit, të shkruar me një humor therës dhe me një vërtetësi bindëse. Zakonisht flitet për librat, për mirë apo për keq. Por, rrallë natyrisht, mund ta ndjekim rregullën edhe për një shkrim që na zgjon mbresa për atë që rezonon bukur me çka mendojnë një mizëri njerëzish, që dëshirojnë të dëgjojnë si përsiatje mendimet me të cilat pajtohen, të shprehura, amà, në mënyrë sugjestive. Titulli i shkrimit që po shqyrtojmë është: “Pyetja revolucionare e Ramës: “Ç’ujë i dhe gomarit?”. L. Myftiu perifrazon shprehjen hamletiane “të rrosh apo të mos rrosh” me “të rrosh me qefinin te koka”. Dhe bën një pyetje: Si sillet Rama ndaj njerëzve të vet? “Kur i binden verbërisht, i trajton si hyzmeqarë. Kur i japin mendim ndryshe, i quan të vetëpërjashtuar. Ai i fajëson të gjithë përse nuk kanë ruajtur (vjedhur) votën. Kur kanë respektuar Kodin Zgjedhor, i padit si të blerë nga kundërshtari. Kur nuk janë hedhur mbi kokat e policëve, i pyet: “Sa u shkoi pazari?”. Mungesa e koherencës është një nga lajthitjet e personazhit që Luani portretizon: “Pse nuk u hapën kutitë e votimit?”
Por, në rastin e votave në kutinë e gabuar: “Përse i hapët?. Edhe deklaron se do të shkojë në parlament, edhe shpall se do të vazhdojë demonstratat për rrëzimin e qeverisë. Edhe shtiret se do të nisë dialogun, edhe nuk u përgjigjet ftesave të mazhorancës! Këtej betohet për integrimin e vendit në BE.; andej bllokon ligjet dhe reformat për realizimin e këtij integrimi. Nga njëra anë e akuzon mazhorancën: “Për propagandë i ngre rrogat e pensionet?!”. Nga ana tjetër i kërkon llogari: “Pse ke mbjellë varfërínë? (Varfëria e tetëvjeçarit 1997-2005 ka qenë e lemerishme – shënim). Dhe shkohet te “ma ngrove, ma ftove” në problematikën e zgjedhjeve: “Po u arritën standardet e zgjedhjeve të lira dhe humbet Rama, sulmohesh si manipulator, ndërsa po zbatove Kodin Zgjedhor, prapë akuzohesh pse ke numëruar çdo votë. Tani është hapur fjala sikur në shtator Rama, édhe do të hyjë në parlament, édhe dialogun do ta zhvillojë në rrugë, me popullin. Ndërkohë bota demokratike çuditet si mund të marrë rrogë një deputet, që nuk jep asnjë kontribut si përfaqësues i taksapaguesve”.
Luan Myftiu ka ithtarët e vet të shkrimeve të tij, sidomos nga radhët e ish-të përndjekurve politikë, që e njohin edhe për vlerat e tij të të shkruarit, por edhe për karakterin si një demokrat i paepur për jetësimin e shpresave për një shans më të mirë, më të përshpejtuar, në komunitetin e bashkësisë europiane.
Shkrimit politik i duhen edhe piktorë të talentuar të stigmatizimit të ekstravagancës mendimore të njerëzve të cilët, për fat të keq, ndikojnë në tersllëkun e pamerituar të një populli, me huqet e tyre të pandreqshme.