E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe kursin e ri të opozitës e ka zënë Ndryshku

07-08-2011 / Nga Lavdrim Lita

Kryetari socialist, Edi Rama ka dy ditë që ka nisur një seri konsultimesh me drejtues e deputetë të PS-së. Këto konsultime thuhet se janë për gjetjen e emrave të rinj, që do të zgjidhen në strukturat drejtuese të PS-së, në vjeshtën e këtij viti, pas Kongresit të PS-së, i cili tashmë është fiksuar në datën 5 nëntor. Riorganizimi i garnizonit opozitar ka filluar përgatitjet, duke thënë prova teknike me intervista dhe shkrime për shtyp.
Megjithatë mister mbetet kursi i ri socialist, që do të përcaktojë vijë-sjelljen e përgjithshme opozitare gjatë viteve të ardhshme. Konsumimi i agjendës dy vjeçare me një përballje sy për sy dhe dhëmb për dhëmb me maxhorancën ka nxjerrë një bilanc jo fort pozitiv. Liberalizimi i vizave, fitorja e bashkisë së Tiranës, dhe 140 mijë vota më shumë nga ana e kryeministrit Berisha janë një dhimbje koke për krye-opozitarin Rama. Ky i fundit i ka provuar të gjitha mënyrat demokratike dhe jo-demokratike për të ardhur në pushtet. Ka bojkotuar, ka protestuar, ka futur deputetët dhe militantët në grevë urie, ka demonstruar me paramilitarë në 21 janar, ka hedhur ide për revolta popullore dhe mosbindje civile.
Por të gjitha kanë dështuar, disa me turp. Prandaj kursi i ri ka dy mënyra për t’u realizuar dhe profilizuar deri më 2013. E para rrugë është një opozitë soft, e butë me program qeverisës, me ide, me alternativa projekt-ligjesh dhe fiskale, me propozime konkrete dhe konstruktive për përshpejtimin e integrimit europian, që do të jepnin idenë dhe mesazhin se socialistët dhe krejt opozita janë moralisht dhe teknikisht më lart dhe më të votueshëm sesa maxhoranca e sotme, PD-LSI. E dyta rrugë do të ishte një shkartisje e rrugës dhe e politizimit të skajshëm në parlament, ku konfrontimi do të bëhej me llafe në kuvend dhe me gurë në rrugë. Sigurisht përvoja më e madhe e opozitës është rruga, me të cilën ka një lidhje gati patologjike.
Mirëpo politika e rrugës do të ishte më e kushtueshme si në planin politik, po ashtu edhe në atë financiar. Në planin politik, aventura e rrugës, pra me protesta dhe demonstrata të dhunshme pa pushim deri në rrëzimin e qeverisë, ka dëshmuar vitet e fundit se është krejt e pamundur dhe e papërshtatshme në kryeqytet. Në planin financiar, politika e rrugës do të ishte një vrimë e zezë në financat e tkurrura socialiste, meqenëse humbja e Bashkisë së Tiranës i ka prerë financimet okulte. Siç u pa edhe këto ditë nga boshatisja e arkës së Bashkisë Tiranë nga ana e administratës Rama. 
Sakaq politika e butë e opozitës, soft-opozita me ide, me programe, me alternativa, bashkëpunuese në propozime konkrete ka pak gjasa të vërtetohet, pasi Edi Rama është bosh, si nga ana e ideve, po ashtu nga ana e programeve. Siç u pa edhe në zgjedhjet parlamentare të 2009 ku programi socialist me 1 mijë faqe ishte krejt bosh, sepse Edi Rama vendosi për strategjinë individualiste. Ai u thoshte bashkëpunëtorëve se njerëzit do të votonin personin Ed Rama dhe jo programin. Rama u gabua. U gabua edhe krejt opozita që e ndoqi pa menduar dhe pa pyetur. Siç u vërtetua në zgjedhjet e fundit lokale të 8 majit qytetarët po shohin interesat e tyre që preken kryq e tërthor nga programet, premtimet e kandidatëve dhe jo pse Rama ka mësuar të qeshë.
Në këtë aspekt politika e butë është e vështirë të implementohet si zyrtare përderisa ai ka neutralizuar dhe përjashtuar mendimin ndryshe, ka larguar teknikët dhe profesionistët, duke afruar ca figura aspak tërheqëse, që janë të gjithë të modeluar sipas Ramës dhe varen prej gojës së tij. Me struktura dhe forume të narkotizura, jo funksionale prej shumë kohësh rigjenerimi i fidanishtes së ideve do të kërkonte më shumë kohë. Koha është tirani për Ramën, dhe flori për Berishën,
Prandaj kursi i ri që Rama do të shpalosë në vjeshtë do të jetë një fasadë për të mbuluar mjerimin e përmbajtjes. Sundimi i asgjësë do vijojë. Kurse kursi i ri do të jetë një formë tjetër për ta propozuar me tesha te reja të Papranueshmin Rama. Ai ka humbur busullën e orientimit, pasi vetia e vetme që ka një politikan i zakonshëm, është empatia me elektoratin dhe sinkronizimi i rrahjeve të zemrës me bashkëpunëtorët, ç’ka Ramës i është fikur me kohë nga zhurma e rrugës. Dhe aty ku ka zhurmë është shumë e vështirë të mendosh dhe peshosh situatat.  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›