Epokë e re në marrëdhëniet civilo-ushtarake në Turqi
Kur shefi i Shtabit të Përgjithshëm i ushtrisë turke, gjeneral Ëshëk Koshaner dha dorëheqjen, u bë më se e qartë se ishim në prag të një epokë të re në marrëdhëniet civilo-ushtarake. Mënyra se si rrodhën ngjarjet pas publikimit të vendimit për dorëheqjen tregoi qartë se Turqia nuk qeveriset nga rregullat fisnore. Ligjet demokratike veprojnë edhe në këtë shtet, dhe të gjitha institucionet si dhe individët duhet të kufizohen nga ato. Pa kaluar shumë kohë mësuam se, më tepër se një dorëheqje, kjo ishte një kërkesë për pensionim. Gjithashtu, lëvizja u plotësua në mënyrë kolektive. Disa komandantë të lartë të cilët do të tërhiqeshin në takimin e radhës së Këshillit Ushtarak Suprem (YA) dhanë përshtypjen se po hiqnin dorë nga pensionimi i parakohshëm. Pa gërmuar në detajet e problemit, mund të thuhet se: një skuadër komandantësh të lartë e cila ka qëndruar në heshtje dhe indiferente përballë zhvillimeve kontraversiale në luftën e ushtrisë kundër terrorizmit, dhe e cila akuzohet për neglizhencë, adoptoi një qëndrim për të protestuar kundër presidentit dhe kryeministrit në lidhje me emërimin dhe gradimin e oficerëve. Njerëzit janë të vetëdijshëm për këtë. Por për fat të keq, vija komanduese nuk është e vetëdijshme për perceptimin popullor se ata po dorëhiqen për çështje të emërimit dhe ngritjes në detyrë të oficerëve teksa heshtin në lidhje me neglizhencën serioze që u kushtoi jetën dëshmorëve. Në vend që ta trajtojnë këtë perceptim, ata po sillen në një mënyrë që e forcon këtë; kjo mënyrë të vepruari, kurrë nuk do ta ndihmojë as ushtrinë dhe as shtetin. Zhvillimet që zunë vend pas dorëheqjeve provuan se demokracia është konsoliduar më shumë në Turqi. Më konkretisht? Mbi të gjitha, administrata politike mbeti e qetë dhe e zgjidhi këtë problem, gjë e cila mund të ishte kthyer në një krizë brenda pak orësh. Gjendja e pasigurisë nuk zgjati shumë. Kërkesat për dorëheqje u pranuan zyrtarisht; gjeneral Nexhdet Ezel u emërua Komandant i Forcave Tokësore dhe i ngarkuar me detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Veprimi i shpejtë, përgjigjja e administratës politike dhe zgjidhja e problemit brenda një kohe të shkurtër është një sukses i madh. Së dyti, nëse një incident i tillë do të kishte zënë vend pak vite më parë, ata që dëshirojnë të nxisin krizën do të kishin zaptuar ekranet e televizioneve, duke yshtur një fazë të re lufte në marrëdhëniet civilo-ushtarake me komentet anti-demokratike. A nuk ju kujtohet rasti i katër viteve më parë kur ushtria lëshoi një paralajmërim me 27 prill? Pra, nuk është se disa nuk mbështetën të njëjtën taktikë kësaj here, por shumica dërrmuese e medies pajtohet me mendimin se qeveria ka menaxhuar mirë situatën. Titujt e gazetave të së shtunës treguan se Turqia ka përparuar drejt demokratizimit. Turqia nuk është më ajo e vjetra. Individët dhe institucionet po kthehen në origjinë. Tanimë, askush nuk mund të mbajë një takim të Këshillit Ushtarak Suprem (YA) duke i imponuar presidentit emrat për emërim dhe duke detyruar kryeministrin të pranojë njerëz të caktuar. Çdo institucion ka zakonet dhe traditat e tij; ndërkohë që asnjë zakon apo traditë nuk është mbi shqyrtimin e sistemit ligjor demokratik. Në të kundërt, institucionet të cilët supozohet se duhet t’i shërbejnë popullit do të binin peng i praktikave arbitrare. Për aq sa kuptoj nga komunikata e Koshanerit, skuadra që u dorëhoq i kërkoi qeverisë të ndërhyjë në procesin gjyqësor dhe të injorojë provat dhe dokumentet në lidhje me çështjen “Ergenekon”. Gjatë kthimit nga Baku-ja, kryeministri Erdoan bëri të qartë se në takimet e Këshillit Ushtarak Suprem (YA) do të zbatohej ligji dhe se nuk do të kishte asnjë far lloj tensioni mes ushtrisë dhe qeverisë. Në fakt, të gjithë ishin të vetëdijshëm se kujt po i drejtohej kryeministri. Ai i kujtoi qartësisht shefit të Shtabit të Përgjithshëm se nuk do ta lejonte që sipas praktikës zakonore të ushtronte ndikimin e tij. Sidoqoftë, komandantët nuk e ndryshuan qëndrimin e tyre të paarsyeshëm për emërimet dhe ngritjet në detyrë dhe më pas kërkuan të dalin në pension. S’ka asgjë për t’u shqetësuar. Demokracia turke jo vetëm që i mbijetoi këtij incidenti por edhe u forcua. Kjo çështje vërtetoi se roli i administratës politike të Këshillit Ushtarak Suprem (YA) nuk është edhe aq simbolik. Pashallarët që u dorëhoqën bënë një gabim, por në të vërtetë nisën një proces të duhur. Është e udhës të rikujtohet se sipas ligjeve tona, Presidenti i vendit vepron si Komandant i Përgjithshëm i Forcave Ushtarake. Kryeministri i cili drejton mbledhjet e Këshillit Ushtarak Suprem (YA) është përgjegjës për administrimin e duhur të këtyre takimeve. Ushtria jonë është e rëndësishme dhe është jetike që të mbrohet nderi e dinjiteti i saj; megjithatë, është e mundur që të mbrohet dinjiteti i ushtrisë ndërkohë që respektohet ligji dhe demokracia.
...