E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dushku: “Jam e befasuar nga projektet ambicioze të kryetarit të bashkisë, Lulzim Basha”

08-08-2011 / Gazeta 55

Marrin udhë nismat e bashkisë së Tiranës për përmirësimin e imazhit të kryeqytetit.


Kryebashkiaku Basha i akordon titullin “Qytetar Nderi” dhe “Ambasadore Nderi e Tiranës”, aktores shqiptare Eliza Dushku.  Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha priti dje në zyrën e tij aktoren e njohur shqiptaro - amerikane, Eliza Dushku. Basha i dhuroi aktores Kullën e Sahatit të Tiranës, simbolikën e kryeqytetit shqiptar, si dhe i bëri të ditur se do t’i propozojë Këshillit Bashkiak për t’i dhënë titullin “Qytetare Nderi e Tiranës” dhe emërimin si “Ambasadore Nderi e Tiranës në Botë”. “Jam e nderuar dhe e privilegjuar”, tha Dushku e cila hyri në zyrën e Kryetarit të Bashkisë duke thënë: “Përshëndetje”, në shqip. Dushku i tha Bashës se ishte e befasuar nga energjia që kishte parë në Tiranë si dhe u interesua më tej për planet dhe projektet që ka Bashkia. Basha vlerësoi vizitën e yllit të Holliëood-it, si moment të veçantë për të gjithë vendin, pasi potencialet turistike dhe kulturore të Shqipërisë, do promovohen në mbarë globin. Ai vlerësoi faktin se prezenca e saj në dokumentarin që do të prezantohet në rrjetet më prestigjioze të botës për turizmin në Shqipëri, do të vendosë Shqipërinë në hartën turistike, artistike dhe kulturore të botës. “Jam shumë i lumtur që Eliza ndodhet sot në Tiranë dhe besoj se flas edhe në emër të gjithë qytetarëve të Tiranës që e kanë pritur këtë vizitë me shumë kënaqësi. Të gjithë jemi të kënaqur dhe entuziastë për vizitën e saj, që padyshim që do të shërbejë për ta vendosur Tiranën fuqimisht në hartën turistike të botës. Kam pasur nderin t’i propozoj sot dhe kënaqësinë që ajo pranoi të jetë ‘Ambasadore Nderi e Tiranës në Botë’, e ngarkuar për artet, kulturën dhe turizmin. Takimi shkoi jashtëzakonisht mirë. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme. Eliza është shumë e lumtur që ndodhet në Tiranë, por edhe ne jemi shumë të lumtur që ajo me anë të ndihmës së saj, prezencës së saj gjatë këtij dokumentari që do të transmetohet në rrjetet më prestigjioze të botës, por edhe të përfshirjes së saj në të ardhmen, siç na ka premtuar, ta vendosim Tiranën fuqimisht, në hartën turistike dhe kulturore të botës”, u shpreh kryebashkiaku Basha. Ai e informoi aktoren e njohur për programin që ai ka për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë për të gjithë. Kryetari i Bashkisë e njohu me planet për përmirësimin e cilësisë së jetës, për krijimin e hapësirave të gjelbra, ndërtimin e më shumë shkollave, si dhe për përpjekjet për ta bërë Tiranën një destinacionin tërheqës për turizmin dhe biznesin. Basha e shoqëroi Eliza Dushkun në vizitën që ajo bëri tek Muzeu dhe Sahati i Tiranës si dhe bëri me të një shëtitje në Bulevardin e Tiranës si dhe në të vetmen rrugë piedonale të kryeqytetit, atë “Murat Toptani”. Aktorja Eliza Dushku u shpreh e kënaqur për këtë vizitë në Shqipëri dhe deklaroi se turin e saj do e fillojë nga qytetit i Korçës, ku do të paraqitet dokumentari për promovimin e turizmit për vendin. “Shqipëria është vend turistik. Kam vizituar deri tani Tiranën dhe njerëzit këtu janë shumë të mirë. Do filloj turin nga Korça për të promovuar turizmin shqiptar me anë të një dokumentari. Më bëri përshtypje sesa njerëz të sjellshëm dhe të bukur ka këtu”, tha aktorja. Eliza Dushku u shpreh e bindur se Lulzim Basha është Kryebashkiaku i duhur për Tiranën. “Kam besim se kryetar Bashkie është i ndershëm dhe do realizojë çfarë ka premtuar dhe unë do të bëj të pamundurën ta ndihmoj për çfarë i kam premtuar, që të promovoj Tiranën kudo”, tha Dushku. Ajo shoqërohet në këtë vizitë nga një ekip televiziv amerikan si dhe nga përfaqësues të Agjencisë Lonely Planet, e cila e ka renditur Shqipërinë si destinacionin numër 1 në botë. Më pas Dushku, do të vijojë vizitën e saj në qytete të tjera të Shqipërisë. Aktorja Eliza Dushku ka lënë pas angazhimet kinematografike në Hollivud dhe është rikthyer në Shqipëri, në vendin e të parëve të saj, por kësaj here më një mision. Për 10 ditë me radhë, e shoqëruar nga një grup xhirimi amerikan, aktorja 31 vjeçare do të udhëtojë nëpër Shqipëri për të dokumentuar bukuritë dhe vlerat e vendit të origjinës që e përmend me krenari sa herë që i jepet rasti. Bashkë me Elizën në realizimin e dokumentarit për Shqipërinë do të kontribuojnë dhe artistë të tjerë me famë botërore si soprano Inva Mula, fotografi Fadil Berisha dhe aktori Blerim Destani. Eliza u lind më 30 dhjetor 1980 në Boston. Babai i saj është shqiptar nga Korça, ndërsa nëna daneze.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›