Vizat, ndalohet kryetari i shoqatës rome
KORRUPSIONI/ Artur Lamova është vënë në pranga pasi akuzohet se u siguronte njerëzve viza kundrejt pagesës 1500 - 2000 euro
Policia e Korçës bën të ditur se nën hetim janë edhe dy persona të tjerë, të akuzuar për "moskallëzim krimi"
KORÇË - Dhënia e vizave kundrejt përfitimit ka çuar në pranga kryetarin e një shoqate rome, ndërkohë që dy persona të tjerë janë nën hetim. Gjithashtu, policia e Korçës ka marrë në pyetje deri në orët e vona edhe kryetaren e një tjetër shoqate rome.
Burimet zyrtare bënë të ditur se është arrestuar shtetasi Artur Lamova, 45 vjeç, lindur e banues në Korçë, ndërsa nën hetim janë vënë vëllai i tij, si dhe kunata, të cilët akuzohen për "moskallëzim krimi". Sipas bluve, hetimi ka nisur disa muaj më parë, ndërkohë që në polici kishte mbërritur informacioni se për një vizë "Shengen" kryetari i shoqatës rome merrte nga 1500 - 2000 euro.
Hetimi
Mësohet se policia e Korçës kishte marrë informacion se nga disa prej shoqatave rome në këtë qytet krijohej mundësia e marrjes së vizave "Shengen" përkundrejt përfitimit të parave.
Një gjë e tillë ka bërë që të nisë edhe hetimi. Pas disa muajsh është arritur të vërtetohet se disa prej drejtuesve të këtyre shoqatave, duke qenë se përfitojnë lehtësira për marrjen e vizave, në listat që paraqisnin në konsullatën greke në Korçë, vinin emrat e personave të cilët paguanin shuma të konsiderueshme parash. Kjo shumë shkonte nga 1500 - 2 000 euro për një vizë.
Fillimisht, një punë e tillë ka pasur sukses, por duket se kohët e fundit vizat nuk janë marrë aq lehtë sa më parë, çka ka bërë që edhe njerëzit të ankohen më shumë për veprimet e kryera nga drejtuesit e këtyre shoqatave. Pas skandalit të vizave që përfshiu organizatën greke "Omonia" në Korçë, policia zbardhi edhe hijet e një skandali me një tjetër rrjet që siguronte viza pa shumë mundime.
Arrestimi
Mjaftonte një vërtetim nga shoqatat rome ose një listë që këto të fundit çonin në konsullatë për të shkuar mandej pa shumë mundime drejt vizës së dëshiruar kundrejt pagesës që në fakt ishte shumë e shtrenjtë.
Zyra e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë në Korçë e cila ka hetur prej disa kohësh, ka vënë në pranga një nga drejtuesit e njërës prej shoqatave rome, e pikërisht Artur Lamovën, kryetar i shoqatës "Lëvizja për mbrojtjen e të drejtave rome" ndaj të cilit është ngritur akuza e "ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave publikë.
Gjithashtu, në gjendje të lirë po hetohen për "moskallëzim krimi shtetasit Jani Lamove, i cili është vëllai i të arrestuarit, si dhe bashkëshortja e tij 44-vjeçare, L.Hajredini, të tre banues në Korçë. Ndërkaq është shoqëruar në polici dhe është marrë dëshmi e plotë për aktivitetin e paligjshëm dhe nga shtetësja Miranda Fejzo, kryetare e shoqatës "Romani Baxt Albania", por ende ndaj saj nuk është ngritur ndonjë akuzë.