E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “AEY” (II). Të gjithë në listën e zezë

Nga Revista MAPO

Revista “MAPO” vazhdon publikimin e pjesës së dytë të dosjes “AEY”, përgatitur nga Kongresi Amerikan. Të dhëna të reja të siguruara nga ky burim japin një ide të qartë se çfarë ka ndodhur dhe cilat janë prapaskenat e historisë së tregtisë së fishekëve shqiptarë, me origjinë kineze që dërgoheshin në Afganistan të blerë me dollarë amerikanë. Hetimi i kësaj çështjeje përmend emrin e Henry Tomey-it, zviceranit që operonte nga Bosnja dhe Qipro, i cili ka qenë në listat e zeza të Departamentit të Shtetit që më 22 gusht 2006. “Arsyet për përfshirjen e zotit Tomey në listë u përshkruan vetëm në dokumente të klasifikuara e të hartuara nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës dhe Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes”, - shkruhet në materialin e siguruar nga “MAPO”.

Por zvicerani enigmatik ka bashkëpunuar shumë më gjatë me AEY, më përpara se ai të bëhej pjesë e një tregtie milionash që njihte si furnizuese Shqipërinë.

Edhe vetë Diveroli, pronari i AEY dhe i cilësuar si djaloshi i artë, e ka pasur emrin e shënuar në listën e zezë: “Duket se kjo kompani shfaq karakteristika të dyshimta”, - shkruhet për të në dosje. Departamenti i Shtetit e kishte përfshirë atë në këto lista që në prill të 2006-ës si pasojë e një hetimi të hapur për të nga Zyra amerikane e Kontrollit të Emigracionit dhe Doganave (ICE). I njëjti fat i ishte rezervuar pak kohë më parë edhe drejtorit të MEICO-s, ndërmarrjes shtetërore të eksport-importit të mjeteve ushtarake në Shqipëri.

Edhe një tjetër bashkëpunëtor dhe furnizues i hershëm i AEY me armë dhe municione me origjinë nga vendet e Evropës së Lindjes, ishte drejtuesi i kompanisë “IMEX”. Kjo kompani drejtohet nga Petr Bernatik, nënshtetas çek, i cili gjithashtu ishte përfshirë në listën e mbikëqyrjes më 29 shtator 2004 për arsye të panjohura, sepse ato vazhdojnë të jenë ende të klasifikuara si sekret. “Sipas Departamentit të Shtetit, në listën aktuale të paklasifikuar për zotin Bernatik shkruhet: “Trafikues çek armësh i identifikuar - nuk duhet lejuar.”

Të dhënat e reja ofrojnë një vizion më të qartë për situatën e asaj çka ka paraprirë tregtinë shumëmilionëshe me Diverolin, Tiranën, Afganistanin dhe paratë e taksapaguesve amerikanë: tashmë është e qartë se ndryshe nga sa ishte menduar më parë, zvicerani enigmatik, Henry Tomey, nuk ishte një propozim i shitësit, palës shqiptare, por ishte një partner i vjetër biznesi i vetë Diverolit. “Grindja” e tyre ngjan se nuk ishte thjesht çudia e zbulimit se zvicerani dyfishonte çmimin e armëve që “parablinte” nga Shqipëria për t´i rishitur për llogari të Diverolit, por edhe diçka më shumë se kaq.

Deri më tani, në Tiranë, kur historia e tregtisë së armëve doli në dritë vetëm pas tragjedisë së Gërdecit, është duke u hetuar dhe kjo pistë, por asgjë që ka dalë nga hetimet nuk është bërë publike. Dihet vetëm se një nga tri letërporositë e nisura nga Tirana ka adresë zvicerane, ku kërkohet dëshmia e Henry Tomey-it. Vetë zvicerani është konsideruar në median shqiptare si kyçi dhe kasaforta që mundësonte në formë ryshfeti rikthimin e pjesës më të madhe të parave të siguruara për llogari të komponentit shqiptar të tregtisë së armëve.

“MAPO” vijon botimin e dosjes amerikane:

III. Pikëpyetje mbi nevojën e kontratës

Një nga pyetjet e para që agjencia federale duhet të ngrejë është nëse një kontratë është e domosdoshme për të përfituar të mirat dhe shërbimet e kërkuara. Në rastin e AEY, është e paqartë, nëse nevojitej një kontratë prej 300 milionë dollarësh.

Meqenëse në Afganistan ishin përdorur armë të dizenjuara për vendet dikur pjesë të Traktatit të Varshavës, Departamenti i Mbrojtjes vendosi që ishte më mirë të pajiste forcat e armatosura afgane me municione për ato lloj armësh, sesa t’i pajiste me armë dhe municione të reja të prodhuara nga kompani amerikane. Municionet e vjetra të Traktatit të Varshavës nuk është e vështirë të sigurohen. Në fakt, disa nga vendet prej të cilave AEY siguronte municione, kishin kohë që kërkonin mënyra për t’i hequr apo shkatërruar ato. Shembuj janë vende të tilla si Bosnja, Bullgaria dhe Hungaria, të cilat i ofruan Afganistanit armë dhe municione në formë dhurate për të ndihmuar luftën atje. Shtetet e Bashkuara punuan drejtpërsëdrejti me Bosnjën deri në vitin 2004 për të siguruar këto dhurime armësh.

Shqipëria përbënte një burim parësor municionesh nën kontratën e AEY. Kur Shqipëria kërkoi anëtarësinë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, të dyja këto organizata kërkuan shkatërrimin e këtyre armëve dhe municioneve të vjetra si një nga kushtet për anëtarësim. Për pasojë, Shqipëria nisi të shkatërrojë municione të ngjashme me ato që Departamenti amerikan i Mbrojtjes pagoi AEY të siguronte. Sot, mbi 40,000 tonë municione janë shkatërruar në Shqipëri, ndërsa 85,000 tonë të tjera vazhdojnë të mbeten të depozituara.

Njësoj si Bosnja, Bullgaria dhe Hungaria, Shqipëria gjithashtu ofroi t’i dhuronte këto municione pa asnjë kosto për taksapaguesit amerikanë. Komisioni është informuar se më 23 dhjetor 2007, presidenti dhe ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, udhëtuan bashkë në Irak për t’u takuar me gjeneralin David Petraeus, komandantin e Multinational Force-Irak dhe Ryan Crocker, ambasadorin amerikan në Irak. Sipas Majorit Larry Harrison, vetë Shefi i zyrës për mbrojtjen dhe bashkëpunimin (Defense Cooperation) i shoqëroi personalisht përfaqësuesit shqiptarë dhe mori pjesë në të gjitha takimet që u zhvilluan. Majori Harrison informoi Komisionin se zyrtarët shqiptarë ofruan t’i dhuronin Afganistanit dhe Irakut municionin e tepërt.

Sipas Majorit Harrison, Gjenerali Petraeus e refuzoi këtë ofertë, sepse Shqipëria njihej se posedonte sasi të mëdha municionesh kineze, të cilat, sipas ligjit amerikan, nuk mund të siguroheshin.

IV. Dështimi i konsultimit të “listë së mbikëqyrjes” mbi trafikantët e armëve

Në atë kohë Departamenti i Shtetit i mundësoi AEY kontratën 300 milionëshe për të siguruar municion për Afganistanin. “Lista e Mbikëqyrjes” e Departamentit të Shtetit mbi tregtarët e dyshimtë të armëve përfshinte të dhëna për thuajse çdokënd që kish lidhje me transaksionet nën këtë kontratë, duke përfshirë vetë presidentin e AEY, Efraim Diveroli; kreun e “Evdin Ltd” me bazë në Qipro, Heinrich Thomet, një kompani që shërbente si ndërmjetëse e AEY; kreun e MEICO-s, Ylli Pinarin, kompanisë shtetërore, e cila ishte furnizuesja e AEY. Gjatë një raportimi për stafin e komisionit, një zyrtar i Departamentit të Shtetit, i ngarkuar me detyrën për të monitoruar “listën e mbikëqyrjes”, e përshkroi atë si “triumviratin perfekt.”

Në 1968, Kongresi Amerikan kaloi ligjin “Për Kontrollin e Eksportit të Armëve”, i cili detyronte të gjitha kompanitë që merreshin me shitjen dhe blerjen e armëve të siguronin një licencë për çdo transaksion. Në këtë kuadër, Drejtoria e Kontrollit të Tregtisë së Armatimeve, një drejtori e Departamentit të Shtetit, mund të mohojë ose tërheqë licenca, nëse gjykon se “një veprim i tillë cenon paqen në botë, sigurinë kombëtare ose punët e jashtme të Amerikës; ose në të kundërt shërben si organ këshillimor. Për të mundësuar të tilla vlerësime, Departamenti i Shtetit mban një listë individësh dhe entitetesh të dyshimtë, informacion të cilin e siguron nëpërmjet forcave të rendit, burimeve të inteligjencës, si dhe nga burime të tjera informacioni qeveritare dhe jo-qeveritare. Për çdo aplikim për licencë, Departamenti i Shtetit i referohet “listës” për informacion mbi aplikuesin, nënkontraktorët e tij, dhe gjithë grupet e tjera, të cilët mund të jenë të përfshirë në transaksion, të cilët duhet të identifikohen paraprakisht. Departamenti i Shtetit mund të rekomandojë që licenca të lejohet, të mos lejohet ose të kthehet për pasojë defektesh gjatë aplikimit. Sipas dokumenteve të siguruara nga Departamenti i Shtetit në përgjigje të kërkesave të komisionit, në janar të 2007, të tria subjektet e përfshira në kontratën e Departamentit të Mbrojtjes së AEY - blerësi, furnitori dhe ndërmjetësi - ndodheshin në “listën e mbikëqyrjes.”

Si AEY, ashtu dhe presidenti i saj, Efraim Diveroli, ishin markuar nga Departamenti i Shtetit në prill të 2006-ës si pasojë e një hetimi të hapur për ta nga Zyra amerikane e Kontrollit të Emigracionit dhe Doganave (ICE). Sipas një e-mail-i të siguruar nga Departamenti i Shtetit, hetimi u hap në korrik të 2005 dhe përfshinte “disa shkelje të ligjit për kontrollin e eksportit të armëve dhe mashtrim në kontratë.” Zyra e Kontrollit të Emigracionit dhe Doganave (ICE) e përshkruante se ky hetim kishte nisur si pasojë e dyshimit se Efraim Diveroli ishte marrë me “armë zjarri të paligjshme ose transaksione që kishin të bënin me armë zjarri.” ICE kishte orientuar zyrtarët amerikanë të kontrollonin bagazhet e Diverolit dhe të fotokopjonin të gjitha dokumentet e dyshimta, sa herë ai paraqitej në doganë. Më 12 dhjetor 2006, Departamenti i Shtetit ka shkruar informacionin që vijon në “listën e mbikëqyrjes” për Diverolin dhe AEY: “Duket se kjo kompani shfaq karakteristika të dyshimta, duke përfshirë faktin që Diveroli është vetëm 21 vjeç dhe ka negociuar apo zbatuar disa kontrata dhe marrëveshje prej miliona dollarësh mbi pushkë gjysmëautomatike apo krejtësisht automatike. Aplikimet për licenca në të ardhmen duhet të konsiderohen me kujdes shumë të veçantë”.

Ndërmjetësi i AEY në këtë transaksion ishte “Evdin Ltd.” me bazë në Qipro, e cila, sipas raportimeve, blinte municion nga vendet e Evropës Lindore dhe ia shiste AEY. Departamenti i Shtetit e vuri presidentin e “Evdin Ltd.”, Heinrich Thomet, në “listën e mbikëqyrjes” më 22 gusht 2006. Arsyet për përfshirjen e z. Thomet në listë u përshkruan vetëm në dokumente të klasifikuara, të hartuara nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës dhe Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes. Marrëdhënia e biznesit të AEY me “Evdin” u shtri mbi disa transaksione. Në përgjigje të një kërkese nga AEY, në gusht të 2007, “Evdin” konfirmoi se “kishte pasur një marrëdhënie të gjatë dhe të qëndrueshme mes “Evdin Limited” dhe AEY Inc.”

Burimi shqiptar i municioneve ishte kompania shtetërore për eksport-importin e armatimeve (MEICO), e drejtuar nga Ylli Pinari. Departamenti i Shtetit vuri z. Pinari në “listën e mbikëqyrjes” më 14 nëntor 2005, gjithashtu bazuar mbi arsye që përshkruhen vetëm në dokumente të klasifikuara.

Përveç këtyre entiteteve të lidhura me kontratën e AEY për të blerë municione për Afganistanin, lista e mbikëqyrjes e Departamentit të Shtetit përmbante edhe të dhëna mbi individë dhe kompani që kishin pasur lidhje me AEY nën kontrata të tjera me qeverinë amerikane. Për shembull, në 2006, AEY u bë palë në një nënkontratë të Departamentit të Mbrojtjes me “IMEX Group Ltd.” për t’iu siguruar municion forcave të armatosura irakiane. “IMEX” drejtohet nga Petr Bernatik, nënshtetas çek, i cili ish përfshirë në listën e mbikëqyrjes më 29 shtator të 2004 për arsye bazuar në dokumente të klasifikuara. Sipas Departamentit të Shtetit, në listën aktuale të paklasifikuar shkruhet për z. Bernatik: “Trafikues çek armësh, i identifikuar - nuk duhet lejuar.”

Kontrolli i listës së Departamentit të Shtetit mbi trafikun e armëve duket se duhet të kish qenë hapi i parë përpara dhënies së një kontrate 300 milionëshe një kompanie për tregti municionesh. Në rastin e AEY, ky hap nuk u hodh, mbase ngaqë AEY nuk aplikoi asnjëherë për licencën e brokerit dhe mbase ngaqë Departamenti i Shtetit nuk e kërkoi. Zyrtarja e Departamentit të Shtetit, e cila i dha kontratën AEY, tha në komision se nuk e kishte idenë e ekzistencës së listës dhe nuk u interesua në Departamentin e Shtetit për informacion apo të dhëna mbi një listë potenciale përpara se të shpallte AEY fitues të kontratës. Ajo sugjeroi, gjithsesi, se mund të ishte e nevojshme të bëhej një kontroll i listës edhe për kontrata për municionet jashtë standardit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›