Turqit, një dramë njerëzore në Butrint
Mbrëmjen e së mërkurës, për herë të parë në skenën e Butrintit teatri ka folur turqisht. Në këtë prezantim të parë, "Kocaeli Municipalitu theater" i Izmirit kishte përzgjedhur "Dervishi dhe vdekja", dramën e boshnjakut Mesa Selimoviç, përkthyer pak kohë më parë në shqip nga Ben Andoni. I konsideruar një zë origjinal i letërsisë ballkanike, pjesa erdhi nën dramatizimin e Nebojsa Bradiç, i cili ka ardhur më parë si regjisor në Butrint. Përballja e individit me pushtetin ishte në qendër të kësaj drame. Përmes skenave të ndërtuara me gjetje regjisoriale nga Nurallah Tuncer, i cili është njëkohësisht realizues i skenografisë, kostumeve dhe ndriçimit, konteksti filozofik i njeriut që bëhet pjesë e sistemit pa arritur ta ndryshojë atë, takoi publikun në shkallët e gurta. Teatri i trupës turke u vlerësua veçanërisht për pikat e saj më të forta: dramatizimin dhe regjinë. Dervishi Nuredini beson te njeriu, e mira e tij. Por vrasja e të vëllait e shkatërron krejt sistemin e ngritur brenda tij - kapelet hierarkike të vendosura mbi kryet e besimtarëve myslimanë ngrejnë në skenë gjithë pushtetin fetar. Pabesia, intriga, shpërfillja njerëzore e shndërrojnë dervishin Nuredin në një njeri që vret, që e harroi mirësinë, por në fund rrota e mundimit e rikthen sërish te njeriu i parë. Por kjo ndodh pasi në skenë kanë kaluar gati një orë e gjysmë aktrim nga trupa turke, ku qetësia, dialogu, atmosfera fetare kanë realizuar perceptimin regjisorial të Tuncerit, një regjisor konceptual, që synon të hyjë në tema të forta midis diktaturës dhe sistemit fetar. Gjatë konferencës për shtyp, Tuncer ka treguar se interesat e tij mbi teatrin janë krejtësisht mbi autorë të dramave të forta, siç mund të jetë Mesa Selimoviç, Brehti apo Çehov. Vlerësime i kanë shkuar shfaqjes edhe nga kritikët, duke cilësuar veçanërisht gjetjet e detajeve. Nga ana e tij, regjisori Tuncer është shprehur mjaft i kënaqur për pjesëmarrjen në këtë festival, duke nënvizuar karakterin ndërkombëtar të tij. Regjisori është ndalur tek ajo që ai e quan historia e përbashkët dhe e sotmja, të cilën e sheh jo aq në shkëmbimet teatrore, pasi nuk janë ende në nivelin e dëshirueshëm, por në një tjetër element që bashkon dy vendet: prania e shqiptarëve të integruar edhe në art në vendin e tij. "Shqiptarët e Turqisë janë kontribuues të jetës artistike dhe politike në vendin tim", thotë ai. I ka quajtur ata pjesë të rëndësishme për kulturën turke. Regjisori Tuncer nuk e fsheh se ndihet i surprizuar nga festivali. "Do të ishte ëndërr që një ditë edhe në Turqi të organizohej një festival si i Butrintit", shprehet ai. Kontakti me një teatër shqiptar për të ka qenë 3 vjet më parë në Stamboll. Kjo eksperiencë i shërbeu si shtysë për t‘iu përgjigjur pozitivisht ftesës për pjesëmarrje në Butrint. "Nëse përpjekjet tona do të na çojnë në një organizim teatror të këtij niveli, të jeni të bindur se të ftuarit e parë të tij do të jeni ju, shqiptarët", tha regjisori turk Nurullah Tuncer, i cili ka bashkëpunuar në këtë shfaqje me koreografin shqiptar Gjergj Prevazi. Më parë kjo pjesë është shfaqur në Bosnjë dhe Beograd, ku ka marrë vlerësime pozitive. Nata e fundit e Festivalit të Butrintit do të mbyllet me pjesën "Himni i Himneve" të regjisores franceze Catalina Buzoianu.