E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilemat për reduktimin e KFOR-it

Sekretari i përgjithshëm i
NATO-s, Anders Fog Rasmusen,
viziton sot Kosovën.
Rasmuseni ka deklaruar
se deri në fund të mandatit të
tij dëshiron ta shohë KFOR-in
e reduktuar në një forcë të
vogël të reagimit. Ai ka thënë
se do të tërhiqet gradualisht
nga Kosova. Qeveria e Kosovës
nuk shqetësohet për reduktimin
e trupave të KFOR-it. Ajo
thotë se reduktimi i trupave
të KFOR-it në Kosovë është
synim i përbashkët i NATO-s
dhe institucioneve të Kosovës.
Ministri i Forcës së Sigurisë së
Kosovës, Femi Mujota thotë se
reduktimi i trupave të KFOR-it
është tregues i qartë se situata
e sigurisë në Kosovë është e
qëndrueshme.
"Është një parashikim
objektiv, është një parashikim
që shtron para vetes
obligime të reja. Vendimin
për reduktimin e trupave të
KFOR-it e shoh si një të arritur
të përbashkët të NATO-s,
bashkësisë ndërkombëtare
dhe institucioneve të Kosovës
dhe ky është një vlerësim për
progresin e arritur në Kosovë",
thotë ministri Mujota.
Por njohës të çështjeve të
sigurisë thonë se tërheqja e
trupave të KFOR-it nga Kosova
është veprim i përshpejtuar,
sepse vendi sipas tyre, ka
ende probleme të nivelit të
sigurisë. Ramadan QQehaja,
një ish-ushtarak, tha se Kosova,
në aspektin e sigurisë
së përgjithshme, është në një
handikap të madh, sepse nuk
i ka të ngritura në nivelin e
duhur organet e sigurisë.
"Mendoj se Kosova është
në një brishtësi të situatës së
sigurisë. Kur e them këtë mendoj
veriun e Kosovës, pjesë e
cila realisht është e shkëputur
nga Kosova, sepse qeveria nuk
ka qasje në atë territor. Në këtë
pjesë mund të ketë situata
të paparashikueshme dhe
destabilizuese, jo vetëm për
Kosovën por edhe për rajonin",
thotë Ramadan Qehaja.
Qeveria e Kosovës, krahas
reduktimit të trupave
të KFOR-it, synon të forcojë
Forcën e saj të Sigurisë, e cila
nuk mund të cilësohet si ushtri
e Kosovës. Statusi i saj tani për
tani është i një organizate civile.
Ministri i kësaj force, Fehmi
Mujota, thotë se kapacitet e
para të Forcës së Sigurisë së
Kosovës do të nisin në shtator
të këtij viti.
"FSK në shtator do të deklarojë
kapacitetet e para operacionale.
Ne kemi një afat, kur
duhet të arrijmë kapacitetet
e sigurisë në kuadër të kësaj
trupe. Ne po bëjmë punën
tonë dhe reduktimi i trupave
të KFOR-it dhe ngritja e FSKsë
janë dy procese të ndara.
Mirëpo për çdo gjë jemi të
koordinuar mirë me NATO-n",
thotë ministri Mujota.
Aktualisht në Kosovë veprojnë
rreth 15 mijë trupa të
NATO-s. Reduktimi në faza
tashmë ka filluar, por me numër
të kufizuar të tërheqjes.
Sekretari i ri i përgjithshëm
i NATO-s, Anders Fog Rasmusen,
ka thënë se deri në
përfundim të këtij viti nga
Kosova do të largohen rreth 3
mijë trupa të KFOR-it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›