E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilerat, e suksesshëm gjysmëlakuriq

Sita, tepsia dhe prostituta. Përmes këtyre elementeve, në formë të një arti abstrakt, katër djem gjysmë të zhveshur janë personazhet e regjisorit Bekim Lumi ku ndër të tjera, ka nxjerrë në pah figurën e asaj që shet trupin për bukën e gojës.

Tri herë në javë këtë djem shesin drogë, bëjnë prostitutën, vrasësin, dhe për këto marrin duartrokitje të forta. Janë katër aktorët e shfaqjes “Dilerat”.

Me një precizitet matematikor të lëvizjeve skenike, regjisori luan me figurat gjeometrike përmes llastiqeve. Ndërkaq, të katër aktorët performojnë me një shkathtësi serioze lëvizje të vështira të cilat i kanë ushtruar përgjatë katërmbëdhjetë muajve.

Në role të shumëfishta, ata bëjnë dialogët më zëra të fuqishëm teatrin “Loja” që ndodhet aty ku shtypen produkte e “Rilindjes”. Në disa raste ata kanë përdorur pajisjet e shtypshkronjës për të realizuar shfaqjen. Disa pjesë të dialogëve realizohen me altoparlant. Ata shesin diçka. Janë dilerat e një shfaqjeje të suksesshme ku shikuesit nuk po mungojnë në secilën reprizë.

Lëvizja e një tepsie të madhe që gjuhet sa në dorën e njërit sa tjetrit aktor si metaforë e mbijetesës derisa ata nuk ndalojnë dialogun, përpos që të grish artistikisht, mjeshtria me të cilën zhvillohet të jep dëshminë e pamohueshme e një pune të gjatë e serioze.

Regjisori i jep zgjidhje teologjike çështjeve të ngritura meqë e përmbyll me këngën të besimit katolik.

Shfaqja “Dilerat”, bileta e së cilës ka çmimin pesë euro, po quhet çmimi që e arsyeton vetveten. Njëkohësisht është përmbysja e pohimit të përsëritur se ‘nuk ka shfaqje, nuk ka art, nuk ka shikues’. Janë aktorët, është talenti dhe janë shikuesit që çdo të martë, të mërkurë e të enjte, përshëndetin me njëri tjetrin përzemërsisht. Të parët me përkulje, dhe të fundit me duartrokitje të pandalshme për admirim./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›