Dimitrios Karavias emërohet drejtor i Birra Korça

Dimitrios Karavias, drejtori i ri i Birra Korça
Karavias, bankieri që drejtoi bankat e suksesshme në Shqipëri dhe rajon.
Ish-kryebankieri, në krye të fabrikës së birrës më të vjetër në vend.
Dimitris Karavias është drejtori i ri i Birra Korça. Ai vjen në krye të kësaj kompanie pas një karriere të suksesshme në sektorin bankar, ku ka spikatur si drejtues bankash në Shqipëri dhe në Rumani. Njeriu që mori drejtimin e Tirana Bank, bankës së parë me kapital privat në vendin tonë, tashmë ka vendosur që të vërë në funksion suksesin e tij si drejtues në një nga kompanitë më të mëdha në vend, në atë të birrës së parë shqiptare. Karriera e tij përfshin gjithashtu suksesin e drejtimit të bankave në Rumani. Karavias ka qenë drejtori i Tirana Bank që në hapat e parë në Shqipëri, si dhe ka mbajtur postin e nënkryetarit të Bordit Ekzekutiv të Shoqatës së Përgjithshme të Bankave. Sistemi bankar e njeh zotin Karavias si një njëri të suksesshëm që me aftësitë e tij arriti ta zmadhojë aktivitetin e Tirana Bank, në një kohë kur bankat njiheshin pak në tregun financiar shqiptar. Ardhja e tij në pozicionin e drejtorit pranë birrës Korça nuk është e rastësishme dhe pa dyshim që eksperienca në sistemin bankar është mbështetja më e mirë për pozicionin e tij të ri. Ai mori drejtimin e Tirana Bank në fazën e zgjerimit fillestar të saj, duke shënuar një sukses të padiskutueshëm, ndërkohë që te Birra Korça ai vjen në një fazë kur kjo kompani i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë prej kohësh dhe një zgjerim i mëtejshëm në tregje të reja është sfida e radhës. Prej kohësh, birra e parë shqiptare eksportohet në Greqi dhe në Itali me një sukses të padiskutueshëm ndërkohë që sipërmarrja më e fundit ishte ajo e eksportit përtej oqeanit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe kjo sprovë rezultoi të ishte një sukses më vete. Marrja e drejtimit nga ana e Karavias pritet që të shënojë një tjetër rritje për Birra Korça. Kjo nuk është hera e parë që kompania ka nën drejtimin e saj emra të njohur të menaxhimit dhe drejtimit, që vijnë me eksperiencën e drejtimit të kompanive lider në botë. Gjithsesi, Karavias pritet ti japë një tjetër hov kompanisë edhe për faktin e njohjes mjaft të mirë të funksionimit të tregut ballkanik, duke qenë se prej vitesh ka një karrierë të suksesshme në disa vende të rajonit. Drejtimi i mirë dhe cilësia e Birra Korça përbëjnë në thelb binomin e suksesshëm për kompaninë e cila prej vitesh njeh vetëm rritje, kjo falë cilësisë dhe larmisë së produkteve që ka ofruar, të cilat janë çmuar vit pas viti. Birra Korça është birra më e vjetër në vend. E krijuar në vitin 1928, ajo është përfaqësuesja më e denjë dhe e vjetër e prodhimeve Made in Albania.