Veprat shqiptare, zgjatim i realizmit socialist (foto)

Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima
Ekspozohen për publikun bocetet për pavarësinë.
Drejtori i GKA, Rubens Shima, thotë se artistët e huaj kanë ardhur me ide më moderne.
Pas punës së jurisë, bocetet e paraqitura në konkursin për monumentin e pavarësisë, u ekspozuan dje për publikun. Janë rreth 60 punime të realizuara nga artistë shqiptarë e të huaj.
Qasjet dhe materialet janë nga më të ndryshmet, por një pjesë e mirë e tyre kanë luajtur mbi simbole tradicionale si shqiponja, flamuri, personalitetet që firmosën kartën e pavarësisë, kobure, shpata… Por, ka edhe punë që qartazi i largohen këtyre koncepteve, duke ofruar këndvështrime më moderne. Rubens Shima, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe kryetari i jurisë përzgjedhëse, thotë se një pjesë e mirë e punëve të paraqitura nga artistët shqiptarë janë një reminishencë e realizmit socialist. Mes 60 punëve të paraqitura, juria ka përzgjedhur 5 më të mirat, të cilat do t’i paraqiten Komisionit të Festimeve pranë Kryeministrisë. Më tej, do të vendoset edhe për sheshin, kostot, materialet etj.
Jeni shprehur se ky është një nga konkurset me pjesëmarrjen më të lartë, por më shumë se pjesëmarrja, e rëndësishme është cilësia… Si paraqiten prurjet?
Nga një vëzhgim i kujdesshëm i gjithë lëndës së propozuar, qartazi kemi një ndarje në pjesëmarrje. Kryesisht artistët ndërkombëtarë kanë propozuar ide, koncepte me një simbolikë jo figurative, me një estetikë moderniste edhe me mjete të teknologjisë bashkëkohore. Kurse artistët shqiptarë kanë preferuar një simbolikë të drejtpërdrejtë e dhënë kjo përmes simbolikave si flamuri, shqiponja, personazhe historike të ndryshme. Pra, një “estetikë” në disa raste tradicionaliste, madje-madje në disa raste shumë e ekzagjeruar, si zgjatim i realizmit socialist, përzier me patetizëm dhe një lloj kiçi të këtyre viteve të fundit. Megjithatë, kjo lloj prurjeje me disa shtresa ishte e pritshme, përderisa konkursi ka qenë i hapur. Nuk ka pasur asnjë lloj paraseleksionimi dhe gjithçka që është ofruar është ekspozuar.
Thatë se marrin pjesë edhe artistë të huaj, sa i janë qasur ata idesë së pavarësisë?
Ide të tilla si pavarësia, liria, janë koncepte universale që nuk kanë nevojë të jesh shqiptar, për të realizuar këtë lloj ideje. Kështu që kjo nuk ka qenë pengesë, madje shumica e autorëve ndërkombëtarë herë-herë janë shumë më të drejtpërdrejtë në simbolikën që ata propozojnë, se sa vetë artistët shqiptarë, që me simbolikën që kanë sjellë ndonjëherë kanë mbetur peng i së shkuarës. Aty ka vepra shumë të mira, që kërkimi i tepërt rreth Shqipërisë i ka ngatërruar. Një skulptor italian ka gërmuar aq shumë, saqë ka kuptuar që ylli me 6 cepa ka qenë i Kastriotëve dhe e ka marrë dhe e ka sjellë atë në 2012. Vetë shqiptarët e kanë humbur këtë simbolikë. Ndonjëherë edhe ky kërkim kaq intensiv nuk është aq i mirë. Ndërsa ka artistë që kanë sjellë ato simbolikat e vjetra, një lloj butaforie, një stilizim tradicionalist me një shije paksa të vjetër.
Duket se juria nuk e ka pasur të vështirë të përzgjedhë…
Juria në punën e saj nuk ka pasur vështirësi në selektim, sidomos në listën e parë të shkurtër, e cila ishte e hapur. Nuk ka pasur asnjë lloj problemi. Në unanimitet kemi rënë të gjithë dakord për sistemin e votimit, deri sa është arritur në përzgjedhjen e një bërthame prej 10 bocetesh më të mira. Pas këtij momenti ka hyrë sistemi i pikëve, ku çdo anëtar kishte në dispozicion 1-5 pikë. Kjo çoi në renditjen e pesë më të mirave, që do t’i paraqiten Komisionit të Festimeve pranë Kryeministrisë. Diferenca mes këtyre të pestëve është thuajse e papërfillshme.
Disa prej boceteve janë shoqëruar edhe me sheshin ku mund të vendosen, janë thjesht sheshe imagjinare, apo tashmë është përzgjedhur?
Skicat që kanë shoqëruar bocetet dhe maketet, duke u imagjinuar edhe vendet nga artistët, ka qenë një ndihmë për jurinë, e cila mund të kuptonte më mirë konceptin dhe veprën e propozuar, e nëse asaj do t’i shkonte më mirë një peizazh urban, në mes të qytetit e të godinave, apo në një mjedis të gjelbëruar, në një park, në një lulishte. Ndërkaq, sheshi nuk ka qenë një problem për pjesëmarrjen në konkurs. E mira do kishte qenë që ai të ishte përcaktuar që në fillim, megjithatë mendoj se nuk ka qenë aspak një problem dhe artistët kanë propozuar sheshe imagjinare, por edhe koncepte që mund të qëndrojnë në çfarëdo lloj sheshi.
Por, për përzgjedhjen e fituesit do merret parasysh dhe hapësira ku do vendoset monumenti, apo jo?
Sigurisht. Faza tjetër është dërgimi i këtyre pesë boceteve në komisionin shtetëror dhe për të vazhduar me përcaktimin e sheshit, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Bashkinë e Tiranës dhe Komisionin e Festimeve. Më pas, në një bashkëbisedim me artistin që do të shpallet fitues, do të përshtatet edhe vepra, në shkallë ndërtimi dhe me materialet që artisti propozon, qofshin këto materiale tradicionale, si bronz, gur, mermer, apo materiale më teknologjike, siç janë betonet sintetike, rezinat industriale, apo inokset. Pra, sheshi përcakton përmasat, ndërsa artisti materialin me të cilin ai do të ndërtohet. Shumica e projekteve të paraqitura janë fleksible, çka do të thotë që monumentet e propozuara përshtaten në çfarëdolloj shkalle realizimi dhe larmi materiali, mjaft që kjo kërkesë të vijë nga ofertuesi. Tashmë jemi në një situatë shumë të qartë.
Edhe pse ky konkurs është hapur për një qëllim të caktuar, ka shërbyer ai edhe për të parë nivelet e skulpturës shqiptare?
Ka shërbyer mjaft dhe për mendimin tim ka ardhur koha që realizimi i këtij monumenti të sjellë dhe shenjimin e një estetike të re në realizimin e monumenteve në qytetet tona, sepse tashmë ne jetojmë në një kohë tjetër, kanë ndodhur shumë ndryshime dhe nuk ka asnjë lloj arsyeje pse shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, apo nëpër botë të vazhdojnë të ndërtojnë monumente sikur jetojnë në socializëm.
Kjo mendësi vihet re pavarësisht moshave, në të vërtetë…
Është koha e hapjes së kulturës shqiptare, e stimulimit të një debati mbi trashëgiminë, shtresat kulturore të vendit tonë, për të kuptuar dhe për të arkivuar disa periudha. Ky vend është relativisht i pasur në realizimin e monumenteve. Ato datojnë në fillimin e viteve ’34 me monumentet që filloi t’i vinte Mbreti Zog në atë kohë. Janë në një frymë klasike realiste, monumente shumë simpatike dhe që mundën ta kapnin shpirtin e kohës në atë kohë. Do përmendja “Luftëtarin e pavarësisë” në Korçë, “Flamurmbajtësin” në Vlorë, shtatoren e Çerçizit në Gjirokastër dhe disa bizhu të tilla monumentesh shumë të bukura, të cilat do të jetojnë në përjetësi, sepse me të vërtetë kanë arritur të kapin thelbin e kohës. Ashtu si mbi këtë shtresë është mbivendosur gjithë trashëgimia e komuniste, butaforike, politike, propagandistike, që gjithsesi arriti të realizonte disa monumente të rëndësishme të realizuara me mjeshtëri të madhe. I referohem këtu monumenteve të heroit kombëtar. Tani ka ardhur koha që artistët tanë të reflektojnë ndryshimet, si në arkitekturë, ashtu edhe në realizimin e monumenteve. Nuk mund të vazhdohet me të njëjtat estetika, me të njëjtët emra, me të njëjtin edukim.
Të kthehemi te konkursi, kur do të kemi emrin e fituesit?
Data do të jetë e shpejtë, pasi komisioni do të njihet me argumentimin që anëtarët e jurisë kanë bërë për bocetet e përzgjedhura dhe nuk ka vend për diskutime të tjera. Mbetet vetëm të zgjidhet i pari, i dyti, apo i treti… Diferenca është shumë e vogël mes tyre.
Është hedhur ideja që disa prej projekteve të paraqitura të shfrytëzohen për hapësirat publike në Tiranë…
Është ide shumë e mirë, sepse ka disa projekte shumë interesante, të cilat mund të realizohen, jo vetëm në Tiranë, por dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
ALMA MILE