“Dimri i fundit” për regjisorin Ibrahim Muçaj
“Fjalët ndonjëherë janë të varfra për të thënë atë që ndjen”. Kështu thotë regjisori Kristaq Mitro, teksa ende nuk i besohet se nuk do të mund të flasë e të takohet më me mikun e shtrenjtë, bashkëudhëtarin, Ibrahim Muçaj. Dje, miqtë i dhanë lamtumirën njërit prej regjisorëve më të shquar shqiptar. Ende në një moshë të re, teksa kishte punë në duar, u nda nga jeta Ibrahim Muçaj. Vdekja erdhi papritur dhe lajmi i gjeti të gjithë të papërgatitur. “Në momentin kur më dhanë lajmin, pata një moment shumë të vështirë. Akoma nuk e besoj dot. Kur mora në telefon mikun tonë Rikard Ljarien, ai më pyeste vazhdimisht, “po a ke pyetur mirë, mos nuk është e vërtetë...”. Nuk mund t’i thosha gjë tjetër, veçse që ka ndodhur dhe mbylla telefonin e nuk fola dot më”, - thotë regjisori Mitro, me të cilin Muçaj realizoi shumicën e filmave të tij artistik. Në ceremoninë e ndarjes, që u organizua në ambientet e Teatrit Kombëtar erdhën miq, kolegë pune, aktorë, pushtetarë, njerëz që ndanë me të kohë të mira e të vështira. Të gjithë mundohen të kujtojnë diçka nga njohja me të. Aktorja Margarita Xhepa, që ka interpretuar në disa prej filmave të tij kujton se si ai dinte të komunikonte e të hynte në hallet e aktorëve. Rajmonda Bulku, i dedikon gjithë karrierën artistike. Ajo ishte 17 vjeç kur interpretoi rolin e parë në filmin “Dimri i fundit”. “Kur e shoh trupin e tij të shtrirë, më vjen ndër mend gjithë karriera ime artistike. Më kujtohet filmi i parë, nga i cili nisa rrugën e kinemasë. Unë isha një vajzë shumë e re, kurse ata, dy djem të rinj, që bënin filmin e tyre të parë”, kujton Bulku. Bujar Asqeriu është gjithashtu një nga aktorët, që formimin e tij ia dedikon Muçajt. Për Asqeriun ai do të mbetet gjithnjë një njeri i mirë, modest, kokulur, plot humor dhe një profesionist i vërtetë. “Ishte një regjisor që e ndihmonte shumë aktorin. Ishte i aftë t’i vilte atij sinqeritetin e spontanitetin e duhur. Modestia e Ibrahim Muçajt ishte thellësisht e admirueshme. Ishte një mik i shtrenjtë”, kujton ai i prekur. Por ai që ka më shumë për të kujtuar është pa dyshim bashkëregjisori Mitro. “Ibrahimi kishte një logjikë të hekurt. Karakteristikat tona u bashkuan dhe u krijua një dyshe që nuk e ndaje dot. Askush nuk e kuptonte dot se çfarë ishte imja dhe çfarë e tija. Nuk kishte asnjë lloj egoje mes tonë. E ndienim veten të barabartë dhe emrat shkruheshin në bazë të rendit alfabetik. Filmi ishte i yni dhe kjo kishte për ne rëndësi. Ne mësuam dhe kompensuam ato çka na mungonin tek njëri-tjetri. E dëgjonim shumë njëri-tjetrin. Nuk kishte ambicie mes tonë dhe kjo e çoi bashkëpunimin përpara, që nga filmi ynë i parë “Dimri i fundit”, deri tek “Një djalë dhe një vajzë””, - thotë Mitro. Kujtimet e tij janë pafund. Do t’i duhej një jetë e tërë për t’i sjellë ndër mend. Njohja e tyre kishte nisur qysh në fëmijëri, për të vijuar në shkollë, në Kinostudio e më tej gjatë gjithë krijimtarisë artistike. Krahas regjisë, Muçaj i ishte dedikuar edhe mësimdhënies. Ai drejtonte degën e regjisë skenike, pranë Akademisë së Arteve. Ndërkohë kishte në duar një projekt filmi, kushtuar kompozitorit Kujtim laro, miratuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike. Al.miKrijimtaria “Një ditë e mrekullueshme” (2003)“Dëshpërimisht” (2000)“Një djalë edhe një vajzë” (1990)“Telefoni i një mëngjesi” (1987)“Duaje emrin tënd” (1984)“Apasionata” (1983)“Njeriu i mirë” (1982)“Në prag të lirisë” (1981)“Liri a vdekje” (1979)“Nusja dhe shtetrrethimi” (1978)“Dimri i fundit” (1976) “Tokë e përgjakur” (1976)..., etj