Gjendet i vrarë roja i kullotave në Baldushk
Etleva DeliaNjë i moshuar që ishte larguar nga shtëpia e tij prej më shumë se 10 ditësh është gjetur i vrarë me sëpatë në kokë mëngjesin e djeshëm, në një kasolle ku jetonte vetëm në fshatin Gror të Tiranës. Shefik Grori, largohej herë pas here nga shtëpia në afërsi të komunës Baldushk dhe shkonte për të ruajtur kullotat e tij në fshatin Gror, në mënyrë që të mos shfrytëzoheshin nga fshatarët e tjerë. Por vonesa e tij për t'u kthyer pranë familjes, më shumë se herë të tjera, ka sjellë edhe reagimin e tyre duke i'u drejtuar policisë. Mëngjesin e djeshëm efektivat e policisë kanë shkuar për të kontrolluar kasollen ku jetonte 71-vjeçari dhe aty e kanë gjetur të vrarë me një mjet të fortë që dyshohet të jetë sëpatë. Burime nga policia sqaruan se dyshimet e para lidhen me kullotat e tij në fshatin Gror dhe konflikte që mund të ketë pasur me barinjtë e tjerë të fshatit, të cilët nuk i lejonte që të kullosnin bagëtitë tek pronat e tij. Të njëjtat burime sqaruan se janë shoqëruar për të dhënë shpjegime disa barinj të fshatit, por ende nuk dihet se kush mund të jetë autori i ngjarjes. Por veç vrasjes së zbuluar në Komunën e Baldushkut, gjatë 2 ditëve të fundit në kryeqytet kanë ndodhur edhe 2 ngjarje të tjera të rënda, që janë cilësuar si vrasje të mbetura në tentativë. Burime nga policia thanë se një 24-vjeçar ka mbetur i plagosur në një lokal në rrugën "Irfan Tomini". Ngjarja sipas policisë ka ndodhur pasi i plagosuri, Denis Redhaj, i ka ngacmuar një të njohur të dyshuarit si autor i ngjarjes, shtetasit Elson Shehit, 19-vjeç. Ky i fundit ka qëlluar 4 herë me pistoletë në drejtim të tij, me qëllim për ta vrarë, por vetëm një nga plumbat e ka prekur. Më pas ka tentuar të arratiset në drejtim të Italisë, por është arrestuar në Portin e Durrësit, duke hipur në traget. Ndërsa në Kamëz një Ernest Doda, 24 vjeç ka tentuar të vrasë personin që i kishte borxh 35 mijë lekë të vjetra dhe nuk ia kishte kthyer. Doda i ka zënë rrugën, teksa Mariglen Lleshi, personi që i kishte paratë borxh, po kthehej me makinë në fshatin Laknas. Sapo ka parë makinën e tij tip "Opel", Ernest Doda ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të makinës, ku ndodheshin edhe dy persona të tjerë, Artur Prendi dhe Paulin Lleshi. Fatmirësisht asnjë nga plumbat s'ka prekur personat që ndodheshin në makinë.