Si i mbijetoi Himni Kombëtar 100 viteve
Alma MileNë plot një shekull janë krijuar shumë variante, janë bërë shumë konkurse, kanë dalë edhe fitues, por shekullit të vështirë i mbijetoi vetëm një “Rreth flamurit të përbashkuar”. Në 100-vjetorin e krijimit të Himnit të Flamurit, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe shtëpia botuese “Naimi” sjellin për publikun monografinë “Himni kombëtar i shqiptarëve”. Bëhet tashmë një shekull që ai këndohet mes shqiptarësh, kudo që ata janë, megjithatë asnjë studim i mirëfilltë nuk është shkruar deri më sot për të. Këtë sprovë e ndërmori studiuesja Valbona Karakaçi, e cila na ofron jo vetëm historinë tonë kombëtar, por na jep të dhëna edhe për himnografinë në përgjithësi. “Për himnin kombëtar, si tekst poetik dhe në tërësinë e vet, janë trashëguar shumë pak studime. Midis tyre, një shkrim i gjatë i Poradecit dhe një tjetër i mëvonshëm i Ramadan Sokolit, mbeten të vetmit për t’u veçuar. Në të vërtetë, të dy këta artikuj më shumë kanë karakter memoaristik e kronografik, informojnë për historinë e lindjes së himnit kombëtar, pa konsiderata të karakterit estetik-letrar. Një studim i mëvonshëm i V. Toles kryesisht sistemon në mënyrë enciklopedike të dhënat e njohura të dijes për himnin”, shkruan në parathënien e monografisë, studiuesi Shaban Sinani. Sipas tij në këtë studim, informacioni dhe përshkrimi i fakteve luajnë një rol parësor. Studiuesja Karakaçi ia bën të lehtë shfletimin lexuesit, duke dhënë më vete gjithë kronologjinë e jetës së himnit, që nga krijimi, këndimi i tij për herë të parë, ardhja në Shqipëri, regjistrimi i parë nga një orkestër profesioniste dhe të gjitha përpjekjet që janë bërë për të krijuar një himn të ri, konkurset që janë zhvilluar, ku kanë marrë pjesë poetë e kompozitorë të shquar, si Kadare, Arapi, Spahiu, apo Zadeja, Daija, Zoraqi, Gaci, Ibrahimi. Sipas kësaj kronologjie, në vitet 1907-1908 themelohet në Bukuresht Kori Kishtar Shqiptar, në përbërje të të cilit ishin 30 të rinj shqiptarë. Ishte pikërisht ky kor që këndoi për herë të parë Himnin Kombëtar Shqiptar. Në vitin 1908, himni u dërgua në atdhe nga kolonia shqiptare e Bukureshtit, përmes Tashko Ilos dhe Hil Mosit. Për të parën herë tekstin origjinal të Himnit të Flamurit, të shkruar nga Asdreni me titullin “Betimi mi Flamur”, e ndeshim në gazetën “Liri e Shqipërisë”, në Sofje. Himni u këndua në ditën e shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 si marsh patriotik dhe u ri këndua një vit më vonë nga orkestra frymore e qytetit të Shkodrës “Daulla”, e drejtuar nga Frano Ndoja. Duhet të kalonin shumë vite që Himni Kombëtar të rikonfirmohet si Himni i Flamurit pas ndryshimeve demokratike me Ligjin “Për Flamurin, stemën, himnin kombëtar, festën kombëtare dhe kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë” (1992). Një vit më vonë, për herë të parë në dokumentet themeltare të shtetit, himni merr mandatin e vet si simbol kombëtar me Projekt-Kushtetutën për Republikën e Shqipërisë, ku si himn kombëtar ishte “Për rreth flamurit tonë të bashkuar”. Ky himn u rikonfirmua edhe në vitet e mëtejshme. Por gjatë kësaj periudhe, kanë qenë të shumta tentativat për ta zëvendësuar atë. Kjo përpjekje ka nisur qysh në vitin 1913, kur Gjergj Fishta shkruan poezinë “Hymni i flamurit kombëtar”, këngë e cila u këndua për herë të parë nga nxënësit françeskanë nëpër rrugët e Shkodrës, ditën që autori me shokët e vet kishte ngritur flamurin kombëtar në kambanoren e Kishës së Gjuhadolit. Një vit më pas u kompozua një himn për Princ Vidin, me titull “Hymni Mbretnor”. Në vitin 1920 Lasgush Poradeci shkroi “Marshin e djalërisë” me përcaktimin zhanror Himn kombëtar. Dy vjet më vonë Këshilli i Ministrave shpalli konkursin për Himnin zyrtar kombëtar. Për shpalljen e konkursit dhe kriteret e tij u ngarkua Ministria e Arsimit, ku ndër të tjera u përcaktua edhe masa e shpërblimit 1000 franga ari për vjershëtarin e himnit dhe 3000 franga ari për kompozitorin. Tekstet e Ernest Koliqit dhe Kristo Floqit u shpallën si më të mirët. Në konkurs mendohet të ketë marrë pjesë edhe Asdreni. çdo përvjetor vinte me nga një konkurs për himnin. Aq shqetësues ishte çështja e himnit, sa në 1938-ën, Ministria e Punëve të Brendshme ngarkoi Legatën Mbretnore për të gjetur një kompozitor italian për kompozimin e Hymnit të Flamurit. Kjo përpjekje vijoi dhe pas çlirimit, por asnjë nga krijimet fituese nuk mundi të zëvendësojë Himnin e ardhur nga Bukureshti.Në garë Kadare e Zadeja Të shumtë kanë qenë ata që kanë tentuar të krijojnë një himn. Në konkurset e organizuara kanë marrë pjesë emra të shquar të poezisë dhe muzikës shqiptare. Në vitin 1945 u organizua konkursi i parë shtetëror për himn kombëtar. Fitues shpallet “Himni i Shqipërisë së Re” me poezi të Skënder Luarasit e muzikë të Cristo Konos, i cili u njoftua në 11 janar 1946. Në fillimi të viteve ’70 të shek. XX, Këshilli i Ministrave në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, si dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, shpalli konkursin për Himnin e Republikës. Në fund u arrit në dy variante: himni i krijuar nga çesk Zadeja dhe Nikolla Zoraqi me poezi të Fatos Arapit: “E lirë u ngrit toka jonë” dhe kënga e Pjetër Gacit “Për ty atdhe”. Në konkurs morën pjesë poetë si Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi etj. dhe muzikantët çesk Zadeja, Tish Daija, Nikolla Zoraqi, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi etj.