Pranga nënoficerit, plagosi hajdutin gjatë vjedhjes
TIRANE - Nënoficeri i Ministrisë së Mbrojtjes arrestohet me akuzën se ka plagosur një person i cili ka qenë duke vjedhur një lokal në bashkëpunim me tre persona të tjerë në kryeqytet. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në rrugën "Sitki çiço" në kryeqytet, kur Hysen Kanushi, 32 vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë, i shpallur në kërkim nga Policia e Gjirokastrës, për vjedhje, në bashkëpunim edhe me tre persona të tjerë ka tentuar të vjedhë një lokal. Gjatë tentativës për të vjedhur është parë nga nënoficeri Albin Hoxha, 24 vjeç, i cili nuk ka nguruar të afrohet dhe të përleshet me hajdutët. Hoxha sapo konstatoi se po vidhej lokali u mundua të ndalonte autorët, tre prej të cilëve u larguan me shpejtësi ndërsa nisi të konfrontohej me 32-vjeçarin Hysen Kanushi. Gjatë përleshjes fizike me të, nënoficeri ka kryer shkrepje të pa vullnetshme të armës së shërbimit, duke plagosur rëndë 32-vjeçarin. Me pas ai ka lajmëruar policinë duke i shpjeguar rrethanat se si kishte ndodhur ngjarja, por ka përfunduar në pranga me akuzën e "plagosjes së rëndë në kalim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme". I plagosuri Hysen Kanushi, edhe pse ndodhet në gjendje të rëndë në reanimacionin e Spitalit Ushtarak, i është komunikuar arrestimi me akuzën e vjedhjes së mbetur në tentativë të kryer në bashkëpunim, por edhe si person i shpallur në kërkim nga Policia e Gjirokastrës.