Dinamit vilës trekatëshe, enigmë motivet
E ëma e pronarit të shtëpisë tregon se djali i saj kishte ikur nga Shqipëria në drejtim të Italisë vetëm një ditë më parë
FIER Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur orët e para të mëngjesit, në një banesë trekatëshe, në lagjen “Afrim i Ri” në Fier. Si pasojë, banesa ka pësuar dëmtime të mëdha, ndërsa prej intensitetit të shpërthimit janë prekur edhe dhjetëra banesa të tjera në këtë lagje. Ndërkohë mësohet se shtëpia është pronë e Altin Plepit, vëllai i të cili ka qenë drejtor i ujësjellësit në qytetin e Fierit dhe ishte anëtar i LSI-së në këtë qytet.
Shpërthimi
Gjithçka është regjistruar në orën 05:20 të mëngjesit të ditës së martë. Lënda shpërthyese është vendosur në katin e parë të godinës trekatëshe, pronë e shtetasit Altin Plepi. Në momentin e shpërthimit, në banesa nuk ka pasur njerëz. Mësohet se godina ka qenë në ndërtim e sipër dhe ditën e djeshme, pronari i saj Plepi, së bashku me familjen e tij është larguar për në shtetin fqinj, në Itali. Ai banon në këtë shtet prej vitesh, ndërsa ishte kthyer dhe ka qëndruar në vendlindje për një periudhe kohore dhjetë ditore. Paraprakisht u dyshua se lënda shpërthyese mund të kishte qenë granatë dorë e hedhur nga rrugica. Kjo për faktin se godina trekatëshe është e ndërtuar në fund të një rrugiceje lagje dhe për tu futur atje, duhet të kalosh një portë të lartë me material hekuri. Por më pas, policia deklaroi se lënda e përdorur për shpërthim ishte dinamit në një sasi të papërcaktuar në peshë.
Dyshimet
Sipas të moshuarës Xhevahire Plepi, nëna e pronarit të shtëpisë, nga shpërthimi janë dëmtuar rëndë të gjithë orenditë shtëpiake si dhe aksesorë të saj, përfshi dyer, dritare, ndërsa kanë pësuar çarje të konsiderueshme edhe muret mbajtëse të godinës.
Ajo tha se “ka qenë në shtëpinë e vet dhe se ka marrë një telefonatë nga djali i saj, që i ka thënë që të kujdesej për shtëpinë sepse ai po largohej për në Itali. Kur dëgjova shpërthimin, pohoi e moshuara, shkova te shtëpia dhe pashë se gjithë kati i parë është i shkatërruar, dhe po kështu edhe katet e tjera”. Nga shpërthimi janë tronditur edhe banorët e kësaj lagjeje. Ata janë zgjuar të tmerruar nga zhurma dhe lëkundja e tokës. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, si dhe ekspertë të Policisë Gjyqësore e prokurorë të organit të akuzës Fier. Policia ka nisur hetimet në disa pista përfshi qëndrimin në Itali të pronarit të banesës, si dhe pista që kanë të bëjnë me hakmarrje edhe nga grindje të çastit.
Hetimet
Pista 1
Një nga pistat kryesore që është duke hetuar policia e Fierit është ajo e hakmarrjes, në shenjë kërcënimi për vëllanë e tij i cili ka qenë drejtor i ujësjellësit në këtë qytet
Pista 2
Një tjetër pistë mund të jetë ajo e problemeve që ai ka në shtetin fqinj Itali, ku prej kohësh është vendosur me familjen dhe kjo mund të jetë një mënyrë për ta paralajmëruar
Pista 3
Pronari i vilës trekatëshe kishte disa ditë që kishte ardhur në Fier dhe ndoshta mund të jetë zënë me ndonjë person, gjatë një përplasje të çastit dhe kjo mund të ketë qenë një shenjë për ta kërcënuar