E Diel, 1 Nëntor 2026

Sequi: Të mbrohen të drejtat e njeriut në burgje

Kreu i misionit të BE-së në Tiranë ofroi mbështetje për reformimin e sistemit të burgjeve, paraburgimeve dhe Shërbimit të Provës

Tiranë Të drejtat e personave të privuar nga liria dhe qendrat e paraburgimit në Shqipëri ishin në fokus të një konference të organizuar ditën e djeshme nën kujdesin e Bashkimit Europian. I pranishëm në këtë aktivitet, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, shprehu mbështetjen për reformimin e mëtejshëm të sistemit penitenciar në vendin tonë. “Gjatë 10 viteve të fundit, BE-ja me anë të programeve të asistencës, ka dhënë 40 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve të burgjeve. Ndërkohë që mbështetja jonë do të vazhdojë me një ndihmë prej më shumë se 18 milionë euro për përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës dhe kapaciteteve të burgjeve”- tha Sequi. Ambasadori Sequi theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të personave të privuar nga liria, duke u shprehur se mbrojtja e tyre është themelore në demokraci. “Ne e shikojmë me kujdes reformën e sistemit të burgjeve, si një pjesë të rëndësishme të shtetit të së drejtës, sigurisht në kuadër të perspektivës europiane të Shqipërisë", - theksoi ambasadori i BE-së. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, shprehu angazhimin e institucionit që drejton në respektimin e të drejtave të personave me liri të kufizuar. “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e konsideron një angazhim parësor sigurimin sipas standardeve europiane, trajtimin e personave të paraburgosur apo të dënuar, shndërrimin e dënimit penal të tyre në një mundësi rehabilitimi social, krijimin e një sistemi të hapur dhe transparent” - tha Dibra. Pjesëmarrësit në Konferencën me Temë “Mbi Hapjen e Vendeve të Privimit të Lirisë ndaj Monitoruesve”, theksuan rëndësinë e një sistemi penitenciar, transparent e të hapur si elemente kryesore në parandalimin e veprimeve arbitrare ndaj personave të privuar nga liria. Kjo reformë është mbështetur fuqimisht nga Bashkimi Europian, i cili ka financuar disa projekte që synojnë edhe për përmirësimin e Shërbimit të Provës, infrastrukturë dhe kapacitete. Në sajë të kësaj ndihme financiare nga taksapaguesit e BE-së, Shqipëria ka tani disa burgje dhe vende paraburgimi të sapondërtuar ose të rindërtuar, si dhe një Qendër të re për Ri-integrimin e të Miturve në Kavajë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›