E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, 1 pikë e vjedhur, Bylisi akuzon arbitrat

TIRANE-Nëse përpara ndeshjes së djeshme fjala "rënie" thuhej me një gjysmë zëri, tashmë ajo është një realitet për Dinamon. Blutë nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1 në takimin e djeshëm përballë Bylisit, tepër deciziv për fatet e tyre në Superligë. Një pikë e vjedhur për ta, pasi ballshiotët ishin në kryesim deri në fund, por arbitri Laver Alla ka lejuar një gol të dyshimtë të Emiljano Vilës. Barazimi i djeshëm e bën akoma më të vështirë situatën për kampionët në fuqi të vendit, duke qenë se ata ndodhen vetëm 2 pikë larg zonës së plejautit. Deri në fund rruga nuk duket aspak e lehtë, pasi javën e ardhshme blutë do të ndeshen me Besën në transfertë, në një ndeshje "ferri", duke qenë se kavajasit janë edhe ata të rrezikuar seriozisht për të rënë nga kategoria. Në fillim të sezonit, askush nuk e kishte menduar një ecuri të tillë të Dinamos, një ekip i mbushur me kampionë dhe që mendohej se mund të ishte rivali kryesor i dyshes Skënderbeu-Flamurtari. Largimi i shumë yjeve, por edhe problemet me financat, kanë bërë që ata tashmë të luftojnë për të mos rënë.
Ndeshja
Takimi i djeshëm ka nisur me dy skuadra deri diku apatike, për shkak edhe të frikës nga pësimi i golit. Dinamo gjithsesi ka patur fjalën e parë, ndërsa ballshiotët janë munduar të mbrohen mirë, duke mos lënë shumë hapësira dhe duke shfrytëzuar kundërsulmin. Në pjesën e dytë, Bylisi gjeti golin e avantazhit me anë të Abazajt në minutën e 63-të, duke shokuar dinamovitët. Pas këtij momenti, skuadra e drejtuar nga Artan Mërgjyshi është hedhur e gjitha në sulm, duke zhvilluar ndoshta 30 minutat më të mira të sezonit. Goli ka ardhur atëherë kur nuk mendohej, por për hir të së vërtetës, ai ka qenë i parregullt. Emiljano Vila nuk goditi topin, por duart e portierit dhe gjyqtari e konsideroi të rregullt. Një moment që shkaktoi protestat e shumta të ballshiotëve, por që gjithsesi nuk ndryshuan vendimin e Allës.
Akuzat
Pas ndeshjes së djeshme, trajneri i Bylisit Agim Canaj ka qenë më shumë se i xhindosur. Ai e ka patur me arbitrin Laver Alla, për shkak të golit të dyshimtë të realizuar nga Emiljano Vila. Ai moment vendosi jo pak në fatet e ndeshjes, pasi përpos epërsisë së Dinamos, veprimet e saj ishin të paqarta në fazën sulmuese. "Këta arbitra janë turpi i futbollit shqiptar, - deklaroi Canaj pas takimit. - Na kanë masakruar sa herë që kemi luajtur në transfertë dhe kështu vepruan edhe sot. Ky gjyqtar në mohoi një fitore të sigurt me vendimet e tij. Të gjithë e pamë faullin në momentin e golit, përveç arbitrit", shtoi më tej trajneri i Bylisit. Barazimi i djeshëm ka qenë gjithsesi një rezultat i mirë për skuadrën ballshiote.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›