E Diel, 1 Nëntor 2026

Reali i Madridit arrin nje fitore te madhe ne fushen e Valencias

Kampionatin spanjoll, një ligë që po luan javën e saj të 33-të, po e nisim me Realin e Madridit. S’ka problem që Barcelona kryeson dhe që nuk e vuri as këtë herë në diskutim epërsinë 8-pikëshe në krye. Skuadra e Murinjos meriton vendin e parë për atë që bëri në fushën e Valencias, aty ku arriti një superfitore 6-3.

Në “Mestaja”, pikërisht aty ku u fitua kupa të mërkurën e kaluar, festivali i golave nisi që në minutën e 23-të me autor Karim Benzema. Pa kaluar mirë 31 minuta ishte sulmuesi argjentinas, Gonzalo Higuain që realizoi edhe golin e dytë të skuadrës dhe të parin personal, ndërsa për ta bërë fitore krejt të sigurt mendoi Kaka. Braziliani pati një nga aktivizimet e rralla nga Murinjo, duke mos qenë i lodhur sepse nuk ka luajtur në dy klasiket e para ndaj katalanasve. Ai shënoi për herë të parë në minutën e 39-të po pjesa e parë nuk u mbyll me këtë rezultat. Kjo sepse Higuain realizoi edhe golin e tij të dytë vetëm 3 minuta para pushimit të ndeshjes.

Reali doli në pjesën e dytë sërish me urinë për të shënuar gola të tjerë dhe heroi i mbrëmjes meritoi të quhej Higuain që shtoi shifrat në 5-0 duke tundur rrjetën e Valencias në minutën e 53-të. Pas këtij rezultati, vendasit u shkundën disi dhe ish-madrileni Roberto Soldado shënoi në 60’ golin e parë valencian. Por, me të kaluar vetëm 120 sekonda dhe ishte Kaka që shënoi golin e gjashtë të Realit. Dhjetë minutat e fundit vërejtën një përgjigje të të zotëve të shtëpisë që shënuan dy gola, së pari me anë të Gonsalves Oliveira Jonasit në minutën e 80-të dhe pastaj me autor Zhordi Alban pesë minuta para fundit.

Në “Kamp Nou”, Barcelona nuk e pati aspak të lehtë të fitonte ndaj një Osasune në formë të madhe. Ndonëse David Vija iu afrua golit duke dhënë shenjën se goleada nuk do të mungonte, miqtë u treguan të rrezikshëm. Gjithsesi, Vija shënoi në 24’, por në fund të pjesës së parë Osasuna mund të barazonte.

Edhe fillimi i pjesës së dytë ishte më i mirë për miqtë dhe skuadra e Guardiolës nuk po arrinte të impononte lojën e saj. Në 15 minutat e fundit të dyja skuadrat patën nga një mundësi për të shënuar, më parë Barça dhe pastaj skuadra e ardhur nga vendet baske. Gjithsesi, hyrja e Mesit 10 minuta para fundit i dha shtysë katalanasve që shënuan golin e dytë pikërisht me anë të argjentinasit, në 88’. Ishte ky goli i 50-të sezonal për Topin e artë, ndërsa titulli kampion kyçet tashmë në kasafortë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›