Pozita që çon në LK ende e hapur

Sevilla ka mposhtur Villarrealin me rezultat prej 3-2 në njërin nga derbit e javës së 33-të të La Ligas. Andaluzianët dhe Nëndetësja e Verdhë u takuan në Ramon Sanchez Pizjuan për të zhvilluar takimin e vlefshëm për një pozitë që çon në Ligën e Kampionëve.
Ivan Rakitic arriti ta mposhtë Diego Lopezin në minutat e hershme të takimit (9’) për epërsinë e parë të vendasve.
Alvaro Negredo pranoi një top nga Perotti për të dyfishuar rezultatin me një gol të bukur (14’).
Në pjesën e dytë (56’), Carlos Marchena ngushtoi epërsinë në 2-1 për t`i dhënë shpresa skuadrës mysafire për ta kthyer rezultatin në favor të vet.
Mirëpo, nuk kaloi shumë kohë (62’) dhe Romaric, vetëm pak minuta pasi u inkuadrua në lojë, ngriti epërsinë në 3-1 për vendasit, ndërsa asistues ishte Negredo.
Takimi nuk përfundoi këtu. Giuseppe Rossi tregoi kualitetin e tij duke rihapur takimin në minutën e 73-të, dhe duke shënuar golin e 30-të të sezonit në të gjitha garat.
Megjithatë, mysafirët nuk qenë të aftë të bëjnë më shumë, sidomos pas përjashtimit të Carlos Marchenas me kartonin e dytë të verdhë (85’), ashtu që ndeshja përfundoi me epërsi të andaluzianëve të cilët arkëtuan tre pikë të reja në një takim mjaft të vështirë.
Me këtë fitore, Sevilla ngritet në kuotën e 49 pikëve, tetë më pak se Villarreali që mban pozitën e katërt dhe matematikisht ende ka gjasa për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, Nëndetësja e Verdhë ka bërë një hap negativ sa i përket sigurimit të pozitës së katërt, pasi tash gjendet gjashtë pikë përpara Athletic Bilbaos që mban vendin e pestë, ndërsa kanë mbetur edhe pesë javë për t`u zhvilluar.