Dinamo: Lahtin do ta mundim, por kualifikimit s‘i dihet
Humbja e thellë 4-1 ndaj Lahtit në Finlandë e ka vënë Dinamon përpara një detyre të vështirë, nëse dëshiron të kualifikohet për në turin e dytë të Europa League. Bluve do t‘ju duhet një fitore e pastër 3-0, ose çdo fitore tjetër me 4 gola diferencë për të kaluar në raundin tjetër. Shpresat që një gjë e tillë të realizohet, janë të pakta. Paraqitja në ndeshjen e parë dhe gjendja më e mirë fizike e kundërshtarit, i cili është thuajse në mesin e sezonit të kampionatit finlandez, të imponojnë një mendim të tillë. Ndërsa Dinamo vjen nga një periudhë e shkurtër përgatitore. Megjithatë, asnjë nga blutë nuk ka ndërmend të dorëzohet. Në ndeshjen e parë, skuadra e Muçës pësoi një gol shokues që në minutën e dytë, ekuilibroi disi situatën në 1-1, por në minutat në vazhdim u ndëshkua nga tri gola të tjerë. Megjithatë, rezultati i thellë nuk pasqyron realisht lojën e bluve në fushë, pasi Dinamo iu kundërvu kundërshtarit duke krijuar shumë raste për shënim, por ku mungoi saktësia e shënjestruesve. "Jemi ndëshkuar nga goditjet standarde, sepse si nivel loje ka qenë i mirë", ka pohuar trajneri Muça, i cili mendon se skuadra e tij nuk e meritonte një humbje të tillë 4-1. Java përgatitore për ndeshjen e kthimit do të shënojë sot fundit e saj dhe nesër të dyja skuadrat do të zbresin në fushë për të dhënë verdiktin final të kësaj sfide të dyfishtë. Trajneri i Dinamos thekson se skuadra po përgatitet mirë dhe ka filluar analizat për të gjetur dhe rikuperuar problemet që patën në ndeshjen e parë. Por ai nuk dëshiron të flasë për shanset e mundshme për kualifikim. "Të futemi në fushë për të fituar, pa e çuar aspak ndërmend rezultatin e ndeshjes së parë. Titullarë do të jenë ata lojtarë që e përballojnë 90-minutëshin". Brkiç është stërvitur i diferencuar dhe mbetet në dyshim, ndërsa Lahti zbarkon sot në orën 16:00 në Tiranë.