E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe, telefonatë nga Dinamo: Vila, i shkëlqyer

Drejtuesit e Dinamos së Zagrebit vazhdojnë të shprehen me superlativa rreth Emiljano Vilës, mesfushorit që u bë pjesë e klubit të mirënjohur kroat rreth tri javë më parë. Së fundmi, krerët e gjigandëve kroatë i kanë telefonuar trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhe, duke i bërë të ditur se 21-vjeçari është një futbollist i shkëlqyer, jo vetëm në aspektin teknik dhe fizik, por edhe në sjelljen që po tregon gjatë fazës përgatitore. Drejtuesi i stolit të bluve, Kruno Jurçiç, është shprehur mjaft i kënaqur nga angazhimi i talentit të përfaqësueses. Pas disa muajsh vëzhgime, në periudhën kur lojtari militonte në radhët e Teutës, në fund skuadra e kryeqytetit kroat kishte kërkuar një mendim edhe nga Kuzhe dhe krahu i tij i djathtë, Mustedanagiç. Ata nuk hezituan ta sponsorizonin Vilën në këtë transferim mjaft të rëndësishëm drejt Zagrebit. "Vila është një lojtar i shkëlqyer teknikisht. Edhe të dhënat e tij fizike janë në nivele shumë të mira", ishte analiza që drejtuesit e Dinamos bënë për teknikun kuqezi nëpërmjet telefonit. "Por, duhet theksuar se lojtari ka edhe një sjellje të admirueshme: gjithmonë i disiplinuar në stërvitje dhe mjaft serioz në punën që bën". Pasi debutoi me gol në miqësoren e fituar 11-3 kundër NK Kalcer-Vodoterm, që militojnë në kategorinë e dytë sllovene, Vila ka luajtur edhe 30 minuta në miqësoren e tri ditëve më parë kundër rumunëve të Steauas së Bukureshtit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›