Dinamo-Teuta, sfida "big" e javës së tretë
Kategoria Superiore kthehet pas pushimit për aktiviteteve ndërkombëtare. Sot në fushë do të zbresin të 12 skuadrat elitare në vend, të cilat do të luajnë gjashtë duelet e javës së tretë të kampionatit. Sfida më interesante është padyshim ajo ndërmjet Dinamos dhe Teutës. Skuadra e drejtuar nga Shkëlqim Muça kërkon të ruajë kryesimin në tabelë, por edhe vazhdimësinë në rezultate. Për t‘ia shtuar spektaklin këtij takimi, është vendosur që dy skuadrat të zbresin në fushën në orën 19:00 (ndeshjet e tjera zhvillohen në orën 16:30) në stadiumin "Qemal Stafa", nën dritën e prozhektorëve. Blutë kanë gjashtë pikë të plota dhe përballë durrsakëve të Mirel Josës do të kërkojnë të mos humbin terren ndaj Besës. Në fakt, kavajasit luajnë në shtëpi me Laçin, një ndeshje e cila të paktën në letër duket e lehtë. Një tjetër sfidë interesante është ajo ku Tirana do të luajë në Ersekë me Gramozin. Kampionët në fuqi do të jenë një test mjaft i vështirë për debutuesit në elitën e futbollit shqiptar, që ende nuk e njohin shijen e fitores pas dy javëve të para në Superiore. Skënderbeu pret në fushën e tij Flamurtarin, ndërsa Kristaq Mile do të debutojë në krye të stolit të Shkumbinit në ndeshjen me Apoloninë në Fier. Në takimin e fundit, Kastrioti pret Vllazninë: krutanët kërkojnë fitoren e parë, ndërsa shkodranët e Hasan Likës synojnë tri pikët e radhës.