E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo, barazim me Lacin në “Qemal Stafa”

TIRANA- Dinamo ka pësuar ndalesën e parë në fushën e saj, duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1 kundër Laçit në “Qemal Stafa”. Blutë kanë luajtur me një ritëm tjetër në krahasim me ndeshjet e fundit, ndonëse kjo pikë i lë shumë të shkëputur nga ndjekëset e saj kryesore Besa dhe Tirana. Laçianët gjetën golin pas vetëm 12 minutash lojë me anë të Norës, i cili i lënë i lirë në zonë e dërgoi topin në rrjetë. Në pjesën e dytë, Dinamo ka kërkuar të përmbysë shifrat, por miqtë kanë qenë të vendosur mirë në fushën e lojës. Trajneri Muça ka provuar gjithçka, duke hedhur në fushë 3 sulmues si edhe talentin e ri Asion Daja. Falë këtyre ndryshimeve, Dinamo ishte më kërkuese dhe arriti të barazonte shifrat në minutat shtesë, kur gjyqtari akordoi një penallti. Ishte sulmuesi Sebino Plaku ai që realizoi nga pika e bardhë, duke vulosur barazimin në këtë takim. Ndërkohë, në ndeshjen e zhvilluar në Kavajë, Besa ka mundur 1-0 Gramozin falë golit të shënuar nga Paulin Dhëmbi në minutën e 14-të. Ky barazim e çon skuadrën e Duros në kuotën e 30 pikëve, por me një ndeshje më pak. Me të njëjtin rezultat ka fituar edhe Teuta ndaj Shkumbinit, ku autor i golit ishte Hyseni në fundin e pjesës së parë. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›