Krishtlindjet, atmosfera e Parisit mahnit turistët
PARIS- Krishtlindjet janë periudha më e mirë e vitit gjatë së cilës mund të ndjehet atmosfera e festës në Paris. Gjatë periudhës së festës kryeqyteti francez ua merr mendjen banorëve të tij e turistëve të shumtë me kilometrat e dritave shumëngjyrëshe. Një milion llambushka zbukurojnë 415 pemët e bulevardit më mbresëlënës të kryeqytetit, Shamp Elize. Shumica e zbukurimeve janë dioda ndriçuese të cilat konsumojnë shumë herë më pak energji në krahasim me llambat tradicionale duke kursyer rreth 70% energji elektrike. Gjatë periudhës së festës dritat e vendosura në Shamp Elize do të konsumojnë të njëjtën sasi energjie me 12 familje të mesme në të njëjtën periudhë të vitit. Në ditën e fundit para Krishtlindjeve Parisi përballet me një trafik të jashtëzakonshëm. Hapësira bëhet gjithnjë e më e paktë, jo vetëm në rrugë por edhe nëpër qendrat tregëtare. Ato janë plot njerëz që rendin të blejnë dhuratat në minutën e fundit. Një prej tyre është edhe Charles. Ai nxitoi të gjente jo vetëm kravatën e duhur por edhe të ndjente sërisht të njëjtën atmosferë si dikur kur ishte fëmijë. "Vija shpesh këtu kur isha fëmijë. Prindërit më sillnin këtu për të parë kukullat nëpër vitrin. Atmosfera e kësaj periudhe është tepër e veçantë" tha Charles.(e.n/S.Topi/BalkanWeb)